Grupi i anëtarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Bulqizës ka reaguar përmes një deklarate për mediat pas zhvillimeve të fundit në dëgjesat e organizuara në Gjoricë dhe në fshatin Lejçan të Njësisë Administrative Ostren. Në reagimin e tyre, ata shprehin shqetësim për mënyrën se si po zhvillohet procesi që synon dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore, duke dalë në mbështetje të banorëve dhe duke ngritur akuza për mungesë transparence, probleme procedurale dhe rrezik për cenimin e pronave të përbashkëta, ndërsa i bëjnë thirrje edhe organeve të drejtësisë që të ndjekin me vëmendje këtë proces.
Deklarata e plotë vijon më poshtë:
DEKLARATË PËR MEDIAN DHE OPINIONIN PUBLIK
NGA GRUPI I ANËTARËVE TË OPOZITËS NË KËSHILLIN BASHKIAK BULQIZË
Nisur nga zhvillimet e fundit në dëgjesat publike të zhvilluara në Gjoricë dhe në fshatin Lejçan të Njësisë Administrative Ostren, Grupi i Anëtarëve të Opozitës në Këshillin Bashkiak Bulqizë shpreh shqetësimin për mënyrën se si po synohet të zhvillohet procesi i dhënies në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore.
Ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për banorët e këtyre zonave, të cilët kanë kundërshtuar në mënyrë të qartë dhe të argumentuar çdo përpjekje që cenon përdorimin tradicional të tokave të përbashkëta. Këto sipërfaqe përbëjnë burim jetese për komunitetin dhe çdo ndërhyrje që i nxjerr ato jashtë funksionit bujqësor dhe blektoral, rrezikon drejtpërdrejt ekonominë familjare dhe balancat sociale në zonë.
Ne, anëtarë të opozitës në Këshillin Bashkiak Bulqizë, theksojmë se nuk jemi kundër investimeve apo zhvillimit ekonomik të zonës, përkundrazi, i konsiderojmë ato të domosdoshme për përmirësimin e jetës së banorëve. Megjithatë, çdo investim duhet të bëhet me maturi, transparencë dhe në konsultim të plotë me komunitetin, duke respektuar të drejtat e tyre dhe duke garantuar që zhvillimi të mos vijë në kurriz të burimeve jetike dhe pronave të përbashkëta.
Shprehim shqetësimin se procesi në fjalë, nëse vazhdon në këtë formë, mund të nxisë konflikte mes banorëve dhe të krijojë përçarje. Për këtë arsye, i bëjmë thirrje Bashkisë Bulqizë të ndalojë çdo veprim të mëtejshëm që prek pronat e përbashkëta pa një proces të plotë, transparent dhe gjithëpërfshirës.
Dëgjesat publike të zhvilluara kanë evidentuar probleme serioze procedurale dhe institucionale. Në këto takime, nga 21 anëtarë të Këshillit Bashkiak, ka qenë i pranishëm vetëm një këshilltar, përfaqësues i opozitës. Kjo mungesë e theksuar e përfaqësimit dëmton legjitimitetin e procesit dhe e kthen dëgjesën publike në një formalitet pa vlerë.
Gjithashtu, konstatojmë me shqetësim se sekretari i Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues të administratës së bashkisë kanë marrë rol dhe kompetenca që i përkasin ekskluzivisht Këshillit Bashkiak si organ vendimmarrës.
Në referencë të Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, konkretisht nenet 54 dhe 55, Këshilli Bashkiak është organi që vendos për administrimin dhe përdorimin e pasurive publike. Ndërsa sekretari i këshillit, sipas nenit 57, ushtron funksione administrative dhe nuk mund të zëvendësojë në asnjë rast vendimmarrjen e këshilltarëve.
Nxitimi i administratës së Bashkisë Bulqizë për të nxjerrë në ankand sipërfaqe të konsiderueshme të pronave publike, pa transparencë dhe pa një analizë të thelluar të ndikimit, është i pajustifikuar dhe potencialisht i rrezikshëm.
Në këto kushte, i bëjmë thirrje organeve të prokurorisë, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) të mbajnë në monitorim të vazhdueshëm këtë proces, pasi ekziston rreziku që të përballemi me skema abuzive në dëm të pronave të përbashkëta, të cilat mund të sjellin pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për komunitetin në të ardhmen.
Grupi i Anëtarëve të Opozitës mbetet i vendosur në mbrojtje të interesit publik dhe do të ndjekë çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të parandaluar çdo vendimmarrje që dëmton komunitetin dhe pasuritë e tij.










