Mbledhje pa njoftim publik në Këshillin Bashkiak Bulqizë, diskutime në sallë për peticionin kundër HEC-it “Shytaj”

1103
Mbledhje në Këshillin Bashkiak Bulqizë e datës 9 mars 2026

Pa një njoftim zyrtar të bërë publik dhe pa komunikim formal në adresat e anëtarëve, ditën e sotme u zhvillua një mbledhje e Këshilli Bashkiak Bulqizë, ku morën pjesë 13 anëtarë. Sipas anëtarëve të opozitës, njoftimi për mbledhjen është mbajtur larg vëmendjes së opinionit publik dhe nuk është dërguar në mënyrën e parashikuar nga rregullorja.

Rendi i ditës i mbledhjes ishte pothuajse i njëjtë me atë të planifikuar për datën 6 mars, por me një ndryshim të rëndësishëm: u hoq pika 9 që lidhej me projektin e HEC-it “Shytaj” në Fushë-Bulqizë. Pikërisht kjo pikë kishte shkaktuar më herët reagimin e banorëve dhe bllokimin e godinës së bashkisë dhe sallës së këshillit gjatë mbledhjes së 6 marsit. Ata kërkuan që Këshilli Bashkiak të mos ndërmarrë asnjë veprim për heqjen e fondit pyjor dhe kullosor.

Shqetësimi u ngrit që në fillim të mbledhjes nga anëtari i opozitës Veap Halili, i cili deklaroi se është e papranueshme që mbledhja të zhvillohet pa një njoftim zyrtar për anëtarët e këshillit. Sipas tij, procedura e njoftimit është një detyrim i qartë i rregullores dhe mungesa e saj cenon transparencën e vendimmarrjes.

Nga ana tjetër, kryetari i këshillit Arben Çupi argumentoi se njoftimi për mbledhjen ishte bërë në një grup komunikimi në WhatsApp. Megjithatë, asnjë nga anëtarët e tjerë nuk ngriti çështjen se përse nuk ishte ndjekur procedura e zakonshme e njoftimit sipas rregullores.

Në hapje të mbledhjes, Halili ngriti gjithashtu çështjen e peticionit të paraqitur nga banorët e fshatrave të Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë kundër projektit të HEC-it “Shytaj”, duke pyetur nëse ai ishte marrë në konsideratë nga këshilli. Kryetari Çupi u përgjigj se çështja i ishte lënë subjektit që kërkon të ndërtojë HEC-in për të kontaktuar dhe për të dialoguar me banorët.

Halili kundërshtoi këtë qëndrim duke theksuar se, në momentin që një peticion depozitohet në adresë të Këshillit Bashkiak, institucioni ka detyrimin ta shqyrtojë dhe të njoftojë komunitetin për procedurat përkatëse. Nga ana e tij, kryetari Çupi deklaroi se nuk ishte në dijeni të peticionit dhe se, nëse ai kishte mbërritur në bashki, do të përfshihej në mbledhjen e ardhshme të këshillit.

Gjatë diskutimit ndërhyri edhe anëtari i këshillit Arjan Hoxha, i cili pyeti përse peticioni nuk ishte paraqitur për shqyrtim në këshill. Ndërsa sekretari i këshillit Klodian Reçi sqaroi se dokumenti kishte mbërritur në protokoll gjatë ditës së sotme. Kryetarja e Bashkisë Festime Mjeshtri deklaroi se peticioni do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës.

Në kërkesën e tyre depozituar në datë 5 mars 2026 dhe firmosur nga afro 350 banorë, ata kërkojnë ndalimin ose pezullimin e çdo vendimmarrjeje që lidhet me ndërtimin e HEC-it “Shytaj” dhe respektimin e detyrimit ligjor për konsultim publik. Sipas tyre, nuk është zhvilluar asnjë proces i rregullt dhe i dokumentuar konsultimi me komunitetin.

Në peticion theksohet se projekti prek drejtpërdrejt burimet ujore, tokat bujqësore, pyjet dhe ekosistemin e zonës lidhur me jetesën e tyre të përditshme.

Nga 12 pikat e parashikuara në rendin e ditës, vetëm 8 arritën të miratohen, ndërsa 4 të tjera u bllokuan pasi nuk kishin kaluar më parë në komisionet përkatëse të Këshillit Bashkiak, siç kërkohet nga procedurat e funksionimit të institucionit.