Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Bulqizë, ku pritej të diskutohej edhe çështja e projektit hidroenergjetik “HEC Shytaj”, në mbështetje të banorëve të zonës ishte i pranishëm edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi. Ai mori pjesë edhe në takimin e banorëve me kryetaren e Bashkisë Bulqizë.
Pas zhvillimeve në Këshillin Bashkiak, Muçi reagoi edhe përmes një qëndrimi publik në rrjetet sociale, ku theksoi se bëhet fjalë për një projekt me rrënjë që prej vitit 2017, i cili synon të ndërhyjë në burimet ujore dhe në zonën pyjore të kësaj pjese të Bulqizës.
Muçi u shpreh se banorët ishin të vendosur në mbrojtje të pronës publike dhe të përbashkët, nga e cila, sipas tij, varet edhe mbijetesa e komuniteteve në këto zona malore. Ai shtoi se situata të ngjashme po ndodhin edhe në zona të tjera të vendit, duke përmendur Kurdarinë në Klos, Martaneshin dhe zonën e Tragjasit në Kuç.
Deputeti theksoi se është e nevojshme të rikthehet ndjenja e përgjegjësisë së komunitetit dhe që përfaqësuesit e zgjedhur në këshillat bashkiakë të ndjejnë presionin dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve që përfaqësojnë. “Lëvizja Bashkë dhe unë si përfaqësues i saj në Kuvend, kudo ku na kërkohet prania dhe ndihma për të artikuluar qasjen e banorëve në mbrojtje të pasurisë publike, do të jemi gjithmonë të pranishëm”, u shpreh ai në reagimin e publikuar.









