Deputetja Denisa Vata: Projekti i HEC-it “Shytaj” në Fushë-Bulqizë po rikthehet pas 7 vitesh pa konsultim publik

567
Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata

Çështja e ndërtimit të HEC-it “Shytaj” në Fushë-Bulqizë u rikthye në vëmendjen e Kuvendit të Shqipërisë gjatë seancës plenare të 2 marsit 2026, ku deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ngriti shqetësimet e banorëve për mungesën e konsultimit publik dhe pasojat e projektit mbi burimet natyrore, pyjet dhe ekonominë e zonës.

Gjatë diskutimeve për çështje të evidentuara nga zgjedhësit, Vata deklaroi se projekti për HEC-in “Shytaj” është rikthyer për shqyrtim pas shtatë vitesh pezullim, për shkak të kundërshtimit të fortë të komunitetit vendas. Sipas saj, ndërsa pushteti vendor e argumenton projektin me nevojën për zhvillim energjetik, banorët e zonës e kundërshtojnë për shkak të rrezikut që ai paraqet për burimet ujore të përdorura për vaditje, për fondin pyjor dhe kullosor, si dhe për ekonominë bujqësore të zonës.

Konflikti për HEC Shytaj nisi në pranverën e vitit 2019, kur këshilli bashkiak i asaj kohe dështoi tri herë radhazi të mblidhej për shkak të kundërshtive të forta nga banorët e Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë.

Në mbledhjen e parashikuar për datën 6 mars 2026 ora 13:00, Këshilli Bashkiak Bulqizë do të shqyrtojë projektvendimin “Mbi miratimin me shkrim për heqje nga fondi pyjor/kullosor për subjektin HEC Shytaj”, një hap ligjor kyç për nisjen e projektit hidroenergjetik mbi përroin e Hetmit dhe Sheshin e Vogël, degë të Zallit të Bulqizës. Ky projekt prek disa fshatra.

Deputetja ngriti publikisht dyshime për respektimin e procedurave ligjore, duke pyetur nëse është kryer një vlerësim i ri i ndikimit mjedisor dhe nëse ky proces është konsultuar realisht me banorët. Ajo theksoi se mungesa e këtyre hapave e kthen vendimmarrjen në një proces të njëanshëm, duke ngritur edhe dyshime për konflikt interesi të anëtarëve të Këshillit Bashkiak Bulqizë që kanë marrë ose pritet të marrin vendime për këtë projekt.

Në fjalën e saj, Vata solli edhe shembuj të tjerë nga zona të ndryshme të qarkut Dibër. Në Kurdari, sipas saj, banorët kanë bllokuar makineritë e një HEC-i tjetër, duke pretenduar mungesë konsultimi dhe transparence. Ndërkohë, në Martanesh, mijëra hektarë tokë janë vënë në dispozicion për projekte fotovoltaike pa një proces të besueshëm informimi dhe pa zhvillimin e dëgjesave publike me komunitetin.

Sipas deputetes, argumenti zyrtar i institucioneve mbetet zhvillimi energjetik, ndërsa kundërshtimi i qytetarëve është i lidhur me mbrojtjen e pronës, kullotave dhe ekonomisë bujqësore. Ajo theksoi se zhvillimi i energjisë së rinovueshme nuk duhet të përjashtojë detyrimin e institucioneve për të respektuar të drejtën e informimit dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

“Askush nuk është kundër energjisë së rinovueshme, por energjia e rinovueshme nuk mund të rinovojë mungesën e demokracisë vendimmarrëse,” u shpreh Vata, duke shtuar se vendimet për heqjen e tokave nga fondi pyjor dhe kullosor po merren, sipas saj, pa konsultim publik dhe pa dialog me komunitetin.

Deputetja kritikoi gjithashtu mënyrën se si institucionet po reagojnë ndaj kundërshtimit të banorëve, duke theksuar se në vend të dialogut po përdoren masa policore. Sipas saj, ky model vendimmarrjeje e trajton qytetarin si formalitet dhe rrit më tej mosbesimin ndaj institucioneve publike.

Fjala e Vatës në Kuvend vjen në një moment kur banorët e Fushë-Bulqizës janë mobilizuar përmes peticioneve dhe kërkesave zyrtare për ndalimin e procedurave për HEC-in “Shytaj”, duke kërkuar transparencë, dokumentacion të plotë mjedisor dhe dëgjesa publike përpara çdo vendimmarrjeje.