Në Bashkinë Bulqizë, për vitin 2026, numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike ka arritur në 1663, duke treguar një varësi të lartë nga skemat e mbrojtjes sociale.
Sipas të dhënave zyrtare të përpunuara nga shkresat e sjellë në Këshillin Bashkiak, në skemën kryesore të ndihmës ekonomike janë përfshirë 1445 familje, ndërsa në listë përfshihen edhe kategori të veçanta si: Individë me status jetimi, viktima të dhunës në familje, fëmijë në familje kujdestare dhe familje me fëmijë trinjakë duke e çuar edhe më të lartë numrin e përfituesve.
Paralelisht me skemën kryesore, Bashkia Bulqizë aplikon edhe fondin e posaçëm prej 6%, i miratuar nga Këshilli Bashkiak për familjet që nuk kualifikohen nga sistemi kombëtar i pikëzimit, por që konsiderohen në nevojë nga strukturat vendore. Për muajin dhjetor 2025, nga ky fond janë trajtuar 218 familje shtesë.
Skema kryesore e ndihmës ekonomike përfshin gjithsej 5,818 persona, ndërsa lista e fondit 6% për muajin janar 2026 që pritet të miratohet në Këshillin Bashkiak përfshin afro 630 persona. Në total, rezulton se 6,448 banorë të Bashkisë Bulqizë që trajtohen drejtpërdrejt me ndihmë ekonomike.
Sipas të dhënave të Censusit të Popullsisë 2023, Bashkia Bulqizë ka 26,839 banorë.
Në raport me këtë shifër, rezulton se rreth 24% e popullsisë, pra afërsisht 1 në çdo 4 banorë të Bulqizës është pjesë e skemave të ndihmës ekonomike.
Shpërndarja e përfituesve të ndihmës ekonomike sipas njësive administrative tregon se numri më i madh i familjeve është i përqendruar në Shupenzë, e ndjekur nga Ostreni, Bulqiza dhe Gjorica ndërsa përqindje më të ulëta regjistrohen në Martanesh dhe Trebisht.
Skema e ndihmës ekonomike në Shqipëri funksionon duke u bazuar në një sistem pikëzimi që vlerëson gjendjen e tyre sociale dhe ekonomike. Ajo menaxhohet përmes dy kanaleve kryesore: skema e përgjithshme shtetërore, ku përzgjedhja bëhet automatikisht nga Sistemi i Ndihmës Ekonomike, dhe fondi i kushtëzuar prej 6%, i cili u lejon bashkive të trajtojnë raste që nuk kualifikohen nga sistemi, por që vlerësohen si prioritare nga strukturat vendore.
Pagesat mujore për familjet përfituese të ndihmës ekonomike variojnë në varësi të numrit të anëtarëve dhe kategorisë së përfitimit, duke përfshirë ndihmën bazë dhe kompensimin për energjinë elektrike. Sipas listës së fondit 6% të miratuar nga Këshilli Bashkiak, për individët me 1 anëtar pagesat totale luhaten kryesisht nga 3,000 lekë deri në 4,000 lekë. Për familjet me 2 anëtarë pagesa mesatare është rreth 7,000 lekë, ndërsa për familjet me 3 deri në 4 anëtarë shumat variojnë nga rreth 6,500 lekë deri në 9,000 lekë. Familjet më të mëdha, me 5 ose më shumë anëtarë, përfitojnë vlera më të larta që arrijnë në 10,000 dhe deri në maksimumin prej 16,000 lekë në muaj.
Përveç ndihmës financiare për familjet, skema mbulon kategori specifike si jetimët, viktimat e dhunës në familje, dhe prindërit me fëmijë trinjakë apo më shumë. Implementimi i kësaj skeme kërkon një bashkëpunim midis strukturave të shërbimit social në bashki dhe Drejtorive Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror për verifikimin dhe miratimin e listave përfundimtare të përfituesve.










