Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike shqyrtoi këtë të martë projektligjin “Për statusin e minatorit”, të propozuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, një nismë që synon garantimin e një mbrojtjeje të veçantë sociale dhe ekonomike për minatorët, si një nga kategoritë më të ekspozuara ndaj rrezikut në punë.
Projektligji parashikon një paketë të zgjeruar përfitimesh për minatorët, duke nisur nga paga minimale e detyrueshme, pensionet suplementare, trajtimi shëndetësor, deri te përfitimet për familjarët në rast aksidenti fatal. Sipas draftit, paga e minatorëve nuk mund të jetë më e ulët se dyfishi i pagës minimale kombëtare, ndërsa pensioni rritet me 3% për çdo vit shërbimi mbi kufirin minimal të përcaktuar për pensionin bazë.
Në relacionin shoqërues argumentohet se nga miratimi i statusit do të përfitonin rreth 13,300 persona, ndërsa efekti financiar për buxhetin e shtetit përllogaritet në 1.27 miliardë lekë. Drafti parashikon gjithashtu që minatorët që kanë punuar të paktën 10.5 vite nëntokë të kenë të drejtë të dalin në pension pas 20–25 viteve punë, por jo më pak se 20 vite sigurim.
Projektligji përcakton se në asnjë rast pensioni i minatorit nuk mund të jetë më i ulët se 130% e pagës minimale. Për ata që kanë përfituar pension të plotë ose pension invaliditeti, si dhe për minatorët që kanë mbetur të papunë për shkak të mbylljes së minierave para hyrjes në fuqi të ligjit, parashikohet përfitimi i 50% të masës së përcaktuar nga statusi.
Një pjesë e rëndësishme e draftit lidhet me trajtimin shëndetësor të minatorëve. Projektligji parashikon që ata të përfitojnë shërbim shëndetësor falas për sëmundjet që vijnë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga puna në minierë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Financimi i kurimit jashtë vendit do të mbulohet nga buxheti i shtetit për ish-minatorët, ndërsa për minatorët aktivë parashikohet ndarje e kostos 50% nga shteti dhe 50% nga punëdhënësi.
Drafti përfshin edhe masa për periudhën e papunësisë, duke parashikuar që minatorët të përfitojnë shpërblim në masën e pagës minimale, të shtuar me përfitime sipas viteve të punës, për një periudhë deri në pesë vjet. Po ashtu, minatorët e papunë kanë prioritet për ripunësim në të njëjtin sektor ose në sektorë të tjerë.
Në rast aksidenti me pasojë vdekjen, familja e minatorit përfiton pension familjar në masën 50% të pagës referuese, pavarësisht nga periudha e sigurimit. Ky pension indeksohet njësoj si pensionet e tjera. Fëmijët e minatorëve që humbin jetën në punë, sipas draftit, përfitojnë bursë shtetërore nëse ndjekin arsimin e lartë.
Gjatë diskutimit në komision, zëvendësministrat e Ekonomisë dhe të Shëndetësisë argumentuan se aktualisht kjo kategori përfiton një sërë lehtësish dhe trajtimesh të veçanta, duke ngritur pikëpyetje mbi nevojën për krijimin e një statusi të ri ligjor me kosto të lartë buxhetore.
Ndërkohë, deputetët e mazhorancës u shprehën kundër idesë së miratimit të statusit të minatorit, propozuar nga Tabaku, të cilin e cilësuan si populist dhe të papërballueshëm financiarisht në formën aktuale.
Në fjalën e saj në Komisionin e Ligjeve, deputetja Jorida Tabaku theksoi se nisma është rezultat i kërkesave të vazhdueshme të minatorëve dhe sindikatave, si dhe i protestave që kanë vijuar për më shumë se një vit e gjysmë para Parlamentit. Ajo solli në vëmendje faktin se në vitet 2017–2019 janë bërë përpjekje të mëparshme për miratimin e statusit, por sipas saj, ligji i miratuar nga qeveria në vitin 2019 ka qenë i mangët dhe nuk ka përmbushur nevojat reale të minatorëve.
Tabaku argumentoi se minatorët përballen me nivele të larta aksidentesh në punë, me pasoja fatale, si dhe me probleme serioze shëndetësore afatgjata, veçanërisht me sëmundje të mushkërive dhe invaliditet të parakohshëm. Sipas saj, dhënia e një statusi të veçantë do të sillte jo vetëm pension suplementar më të lartë, por edhe mbrojtje shëndetësore dhe sociale për familjet e tyre.
Olsi Komici: Statusi i minatorit kërkon më shumë detaje dhe garanci kundër abuzimeve
Në emër të mazhorancës socialiste, deputeti Olsi Komici vlerësoi në parim nismën për statusin e minatorit, por e cilësoi projektligjin e propozuar si të paplotë dhe të pamjaftueshëm në aspektin teknik dhe ligjor. Sipas tij, iniciativa e deputetes Tabaku përfaqëson një kuadër të përgjithshëm, por ka nevojë për një thellim të konsiderueshëm në përmbajtje, për të shmangur paqartësitë dhe hapësirat për interpretime abuzive.
Komici ngriti pikëpyetje mbi përkufizimin e vetë figurës së “minatorit”, duke e cilësuar termin tepër të përgjithshëm. Ai argumentoi se në industrinë minerare punojnë kategori të ndryshme profesionistësh – inxhinierë, elektricistë, hidraulikë, shoferë dhe zjarrfikës – të cilët hyjnë në nëntokë, por nuk janë domosdoshmërisht minatorë në kuptimin klasik të fjalës. Sipas tij, pa një specifikim të saktë ligjor, ekziston rreziku që statusi të shtrihet në mënyrë të pakontrolluar dhe të krijojë pasoja financiare të paparashikuara për buxhetin e shtetit.
Një tjetër shqetësim i deputetit socialist lidhej me mënyrën se si do të funksionojë struktura institucionale që do të mbikëqyrë zbatimin e statusit. Ai kërkoi sqarime për përbërjen dhe kompetencat e Komisionit të Pavarur për Minierat dhe Mineralet, si dhe për rolin e institucioneve si ministritë, sindikatat dhe Reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave, veçanërisht në lidhje me trajnimin profesional dhe sigurinë në punë.
Komici vuri në dyshim edhe kriteret për kompensimin e aksidenteve në punë dhe përfitimet gjatë periudhës së papunësisë, duke kërkuar argumentim më të fortë mbi afatin pesëvjeçar të pagesës dhe mënyrën e llogaritjes së saj. Ai theksoi se çdo masë financiare duhet të mbështetet në analiza të sakta dhe jo në formula arbitrare, pasi përndryshe rrezikon të kthehet në një barrë të vështirë për t’u përballuar nga sistemi i sigurimeve shoqërore.
Një nga pikat më kritike të fjalës së tij ishte dokumentacioni për përfitimin e statusit. Duke iu referuar përvojës si jurist, Komici paralajmëroi se ka një histori të gjatë konfliktesh gjyqësore lidhur me përllogaritjen e viteve të punës nëntokë dhe mbitokë. Ai argumentoi se kriteret aktuale të parashikuara në draft janë të pamjaftueshme dhe mund të hapin rrugë për manipulime dhe përfitime të padrejta, nëse nuk përcaktohen qartë mekanizmat e verifikimit dhe ndarja mes punës nëntokë dhe asaj mbi tokë.
Deputeti socialist solli në vëmendje edhe nevojën për kujdes shëndetësor të vazhdueshëm për minatorët, sidomos në kompanitë e vogla minerare që nuk kanë kapacitete për qendra mjekësore të brendshme. Ai theksoi se ligji duhet të garantojë standarde të njëjta shëndetësore për të gjithë minatorët, pavarësisht madhësisë së kompanisë ku punojnë.
Në përfundim, Komici kërkoi që ligji të mos fokusohet vetëm te përfitimet pas daljes në pension, por të adresojë edhe kushtet gjatë ushtrimit të profesionit. Ai ngriti edhe çështjen e ushqimit si pjesë e sigurisë shëndetësore, duke kujtuar praktikat e mëparshme të detyrimit për konsumimin e qumështit si masë parandaluese. Sipas tij, statusi i minatorit duhet të ndërtohet si një politikë gjithëpërfshirëse, që e bën këtë profesion më të sigurt dhe më tërheqës për banorët e zonave minerare, dhe jo thjesht si një skemë përfitimesh pas mbylljes së ciklit të punës.









