Shkeljet ligjore me të “dyja këmbët”, projekt-vendimet në Këshillin Bashkiak Bulqizë votohen pa shqyrtim në komisione

1026
Kryetari i Këshillit Bashkiak Bulqizë, Arben Çupi dhe kryetarja e bashkisë, Festime Mjeshtri.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak Bulqizë e zhvilluar këtë të enjte, u shoqërua me debate dhe tensione mes këshilltarëve, pas akuzave për shkelje të procedurës ligjore në kalimin e projekt-vendimeve për votim, pa kaluar më parë në komisionet përkatëse të këshillit.

Gjatë diskutimit për rendin e ditës, në fillim të mbledhjes këshilltari nga radhët e Partisë Socialiste, Endri Meta kërkoi respektimin e procedurës ligjore, duke theksuar se projekt-vendimet duhet që fillimisht të shqyrtohen në komisione dhe më pas të hidhen për miratim në mbledhje plenare; ndryshe nga mbledhjet e tjera, këtë herë ai u ul në fund të sallës, duke u distancuar nga kryetarja e bashkisë dhe kryetari i këshillit që ndodheshin në krye të saj, një veprim i lexuar si distancim “simbolik” nga mënyra e drejtimit.

“Duhet të kalojnë këto në komision, pastaj të miratohet rendi i ditës. Siç e ka ligji dhe nuk është nevoja të zihemi e kacafitemi. Duhet të mbajë përgjegjësi secili që ka pranuar të jetë pjesë e komisioneve”, deklaroi Meta.

Akuzat për shkelje ligjore u përforcuan nga këshilltari Behar Cani, i cili e cilësoi procedurën e ndjekur si në kundërshtim të hapur me ligjin për vetëqeverisjen vendore.

“Këtu po bëhet shkelje ligjore. Nëse do ta hapësh ligjin për pushtetin vendor e thotë qartë se nëse nuk kalon në komisione një projekt-vendim nuk ka pse futet në rendin e ditës. Kjo është rregullorja, por po të doni e bëjmë si të doni ju. Se opinioni është kështu: hë se këshilltarët nuk marrin vesh. Se këshilltarët janë të trashë dhe e ngrejnë dorën”, u shpreh Cani.

Debati u shoqërua me përplasje verbale mes këshilltarëve, ndërsa situata u përshkallëzua më tej pas deklaratave të këshilltarit të opozitës, Veap Halili, i cili hodhi akuza për manipulim dokumentesh brenda komisioneve të këshillit.

“Komisioni i Ekonomisë është ndër të vetmit që ka funksionuar. Në mbledhjen e kaluar u mblodh komisioni dhe kur unë erdha të nesërmen ishte ndryshuar procesverbali, por edhe falsifikuar firmat e personave që nuk ishin prezent. Kam kërkuar që mbledhjet e komisioneve të bëhen me video dhe nuk bëhen. Pse? I qëndroj kësaj që thash për falsifikim”, deklaroi Halili.

Këto akuza u kundërshtuan nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Çupi, i cili kërkoi prova konkrete për pretendimet e ngritura dhe paralajmëroi përgjegjësi për deklarata publike pa fakte.

“Akuza duhet ta faktosh. Akuza pa bazë mos bëj. Se po deklaron se ne po falsifikojmë dokumente. Për deklarata publike do të mbash përgjegjësi. Nëse ke fakte, nxirri… vazhdojmë me rendin e ditës. I keni projekt-vendimet përpara. Rendin e miraton Këshilli Bashkiak dhe nuk do të presim ne të mblidhen komisionet dhe të kalojnë projekt-vendimet”, u shpreh Çupi.

Sekretari i Këshillit Bashkiak është figura administrative që garanton ligjshmërinë e procesit vendimmarrës. Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, ai duhet të veprojë si filtër procedural, duke mos lejuar futjen në rend dite të projekt-vendimeve pa relacion shpjegues, bazë ligjore, faturë financiare dhe mendim të komisioneve. Ai mban përgjegjësi për njoftimin në afat të këshilltarëve, për procesverbalin e saktë të mbledhjes dhe për vërtetësinë e votimit. Me nënshkrimin e tij, sekretari garanton ligjshmërinë e akteve dhe merr përgjegjësi të drejtpërdrejtë ligjore e penale për çdo pasaktësi apo manipulim dokumentesh.

Pavarësisht kundërshtimeve, mos kalimit në komisione dhe pretendimeve për shkelje ligjore, rendi i ditës u miratua me 11 vota pro, ndërsa të gjitha pikat e rendit të ditës u votuan në të njëjtën mbledhje.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak Bulqizë e zhvilluar ditën e enjte, më 29 janar 2026

Në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, sipas të dhënave zyrtare dhe vendimeve të miratuara, funksionojnë pesë komisione të përhershme, të cilat duhet të përbëjnë hallkat kryesore ku shqyrtohet çdo projekt-vendim përpara se të hidhet për votim në mbledhjen plenare të këshillit. Komisioni i Ekonomisë dhe Financës ka edhe peshën kryesore për çdo vendim me kosto buxhetore.

Në rendin e ditës ishin përfshirë, ndër të tjera, projekt-vendime që lidhen me përdorimin e fondit shtesë për ndihmën ekonomike, kriteret për familjet në nevojë për vitin 2026, dhënien e ndihmave financiare, si dhe dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore për sheshe depozitimi në funksion të lejeve minerare.

Megjithatë, këto projekt-vendime dhe shumë të tjera të mëparshme u futën për votim pa ju nënshtruar shqyrtimit paraprak në komisionet e këshillit bashkiak. Komisionet janë hallka ligjore ku bëhet oponenca teknike dhe ligjore e çdo vendimi përpara se ai të hidhet për votim në mbledhjen plenare. Kapërcimi i këtij hapi, sipas praktikës ligjore dhe rregullores tip të këshillave bashkiakë, përbën parregullsi procedurale dhe e bën vendimin të cenueshëm nga pikëpamja ligjore.

Në këto kushte, çdo vendim i marrë në këtë mënyrë rrezikon të konsiderohet i pavlefshëm nga Prefekti i Qarkut ose të rrëzohet në Gjykatën Administrative në rast ankimi.

Ekspertë të së drejtës vendore theksojnë se edhe nëse arrihet shumica e nevojshme e votave, kjo nuk e “tejkalon” shkeljen procedurale të mungesës së shqyrtimit paraprak në komisione. Ligji parashikon përjashtime vetëm në raste emergjente, si fatkeqësi natyrore apo situata të jashtëzakonshme, të cilat në këtë rast nuk janë argumentuar zyrtarisht nga institucioni.

Ky debat në Këshillin Bashkiak Bulqizë solli në vëmëndje një problem të përsëritur në funksionimin e këtij institucioni: kalimin e vendimeve me procedurë të përshpejtuar, pa respektuar filtrat ligjorë dhe pa debat në komisione.