ARRSH: Tuneli i Murrizit nuk është dorëzuar për kolaudim

1628
ARRSH: Segmenti i Tunelit të Murrizit nuk është dorëzuar për kolaudim

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka pranuar zyrtarisht se Tuneli i Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, është hapur për qarkullim pa përfunduar ende procesi i kolaudimit, procedurë e detyrueshme ligjore që certifikon sigurinë teknike dhe strukturore të veprës. Në një përgjigje zyrtare dërguar Kuvendit, ARRSH sqaron se ky segment i rrugës nuk i është dorëzuar ende institucionit për ndjekjen e procedurave të kolaudimit, duke ia kaluar përgjegjësinë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si autoritet kontraktor.

Sipas dokumentit zyrtar, kontrata koncesionare për Rrugën e Arbrit zbatohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa ARRSH deklaron se ka arkivuar dokumentacionin teknik të projektit dhe korrespondencën përkatëse, por thekson se Tuneli i Murrizit nuk është ende i kolauduar dhe, rrjedhimisht, nuk ka marrë certifikimin përfundimtar për përdorim.

Ky zhvillim vjen pas shqetësimeve të ngritura publikisht nga deputetja Denisa Vata, e cila bëri publike përgjigjen e marrë nga ARRSH dhe hodhi dyshime mbi ligjshmërinë dhe sigurinë e hapjes së tunelit për qarkullim.

Pamje të publikuara më herët nga brendësia e tunelit tregojnë çarje në mure dhe tavan, prani uji, si dhe deformime të asfaltit në disa segmente. Në disa pika vërehet thërrmim i betonit.

Përveç problemeve strukturore, përdoruesit e rrugës kanë raportuar edhe shqetësime të tjera funksionale. Në disa raste ka pasur mungesë të energjisë elektrike brenda tunelit, ndërsa sistemi i ventilimit paraqet probleme të vazhdueshme, duke bërë që në brendësi të tunelit të krijohen shpesh tymra dhe ajër i rënduar, sidomos gjatë fluksit të lartë të automjeteve.

Tuneli i Murrizit u hap për qarkullim më 14 mars 2025, pak ditë para zgjedhjeve, dhe u prezantua nga qeveria si një vepër e përfunduar dhe plotësisht funksionale. Në ceremoninë zyrtare u deklarua se ishte ndërtuar sipas standardeve më të larta teknike dhe se garantonte qarkullim të sigurt, pa ndërprerje trafiku. Hapja u shoqërua me aktivitet festiv, duke u paraqitur si një nga arritjet kryesore infrastrukturore të viteve të fundit.

Ndërkohë, prej ditësh ka nisur edhe rehabilitimi i bypass-it të Murrizit, rruga alternative që përdorej para hapjes së tunelit. Një tjetër problem mbetet tuneli i emergjencës, i cili nuk ka përfunduar ende plotësisht dhe nuk është funksional.

Tuneli i Murrizit përbëhet nga tuneli kryesor me gjatësi 3,789 metra dhe tuneli i emergjencës me gjatësi 3,781 metra. Ai është pjesë e një projekti të ndërtuar me skemën PPP, një nga projektet më të kushtueshme dhe më të zvarritura në kohë në Shqipëri. Sipas dokumenteve buxhetore, pagesat për këtë kontratë parashikohet të vazhdojnë deri në vitin 2031, ndërsa kostoja totale e projektit kap vlerën mbi 40 miliardë lekë.

Bulqizaime.al i ishte drejtuar më herët shoqërisë ndërtuese “Gjoka” sh.p.k. me një kërkesë për informacion lidhur me gjendjen e tunelit dhe masat e marra për garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës. Në këtë kërkesë ishin kërkuar sqarime mbi problemet teknike të konstatuara, inspektimet e kryera dhe ndërhyrjet e mundshme që mund të sillnin kufizime të qarkullimit. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, një përgjigje zyrtare nuk është marrë.