Bashkia Klos ka mangësi të shumta në respektimin e procedurave ligjore për punësimet. Kjo në përputhje me ligjin për shërbimin civil, aktet ligjore në fuqi dhe Kodin e Punës. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2024, theksohet se strukturat organizative dhe praktikat e punësimit nuk kanë qenë gjithmonë të harmonizuara me nevojat funksionale të institucionit, duke sjellë mbivendosje funksionesh, mungesë eficience dhe risk për përdorim jo sipas nevojave të fondeve publike për paga.
“Për periudhën 2020-2023 struktura ka pasur 3 drejtori, ndërsa në vitin 2024 struktura është e përbërë nga 6 drejtori, 3 ekzistuese dhe 3 të reja, të cilat nuk janë pjesë e rregullores ekzistuese lidhur me detyrat, kompetencat, varësinë, ndërveprimin me strukturat e tjera paralele brenda institucionit, etj. Të gjitha ndryshimet strukturore gjatë viti 2024, kanë bërë të nevojshme hartimin e rregullores së re të institucionit, por kjo nuk është realizuar, me ndikim në organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së njësisë vendore…” thuhet në raportin e KLSH.
KLSH rekomandon marrjen e masave konkrete për rishikimin e strukturës organizative, përmirësimin e planifikimit të burimeve njerëzore dhe garantimin e transparencës në proceset e rekrutimit.
Të dhënat mbi numrin e punonjësve dhe fondin e pagave për Bashkinë Klos janë të aksesueshme përmes dokumenteve zyrtare dhe platformave kombëtare të transparencës. Numri total i të punësuarve në bashki varion nga rreth 195 deri në 210 punonjës (bashkë me punësimet sezonale), të ndarë në dy shtylla kryesore: aparati administrativ, me rreth 80 punonjës, dhe institucionet në varësi, ku përfshihen Shërbimet Publike, MZSH-ja dhe personeli ndihmës në sektorin e arsimit, me rreth 115–130 punonjës.
Për mbulimin e kësaj strukture, fondi vjetor i planifikuar për paga dhe sigurime shoqërore ka pësuar rritje, duke arritur në një vlerë totale prej afërsisht 180 milionë lekësh, në përputhje me reformën e re të pagave. Sipas të dhënave orientuese, paga mesatare mujore në Bashkinë Klos luhatet rreth 57 mijë lekë, ndërsa për drejtuesit varion nga 85,000 deri në 130,000 lekë.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton se Bashkia Klos nuk disponon rregulla të shkruara dhe të miratuara nga titullari për procedurën e marrjes dhe dorëzimit të detyrës me procesverbal, si për dokumentacionin shkresor ashtu edhe për atë elektronik, si dhe për dorëzimin e aktiveve që punonjësit kanë në ngarkim.
Sipas auditimit, në rastet e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, fillimit të punës rishtas apo lëvizjeve brenda institucionit, urdhrat e nxjerrë nga titullari nuk përcaktojnë detyrimin për dorëzimin e detyrës dhe të aktiveve, duke mos garantuar ruajtjen e bazës së të dhënave institucionale dhe duke krijuar vështirësi serioze në vazhdimësinë e punës dhe transmetimin e saj nga një punonjës te tjetri. KLSH thekson se kjo praktikë bie në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi.
Rekomandimet e KLSH dhe zbatimi i tyre ndër vite
Një tjetër gjetje lidhet me ndjekjen e rekomandimeve të mëparshme të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Raporti evidenton se një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve të dhëna në auditimet e mëparshme nuk janë zbatuar plotësisht, ose janë zbatuar pjesërisht, pa adresuar thelbin e problematikave.
KLSH evidenton se problematikat në këtë fushë nuk janë të izoluara, por të përsëritura ndër vite.
Veçanërisht ato që lidhen me forcimin e kontrollit të brendshëm, standardizimin e procedurave të punësimit si dhe dokumentimin e plotë të vendimmarrjes administrative. Rekomandimet e mëparshme kanë mbetur të pazbatuara ose janë trajtuar në mënyrë formale. Kjo, sipas audituesve, tregon mungesë të një qasjeje sistematike për përmirësimin e administrimit dhe rrit rrezikun e përsëritjes së shkeljeve nga viti në vit.
Titullarja e institucionit, Valbona Kola, zgjedhur kryetare e Bashkisë Klos në zgjedhjet vendore të vitit 2023 nga radhët e Partisë Socialiste, sipas kuadrit ligjor për vetëqeverisjen vendore, mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin e administratës, miratimin e strukturës institucionale dhe ndjekjen e rekomandimeve të organeve audituese.
Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se zbatimi i këtyre rekomandimeve nuk përbën thjesht një detyrim formal, por është një instrument thelbësor për përmirësimin e qeverisjes vendore. Moszbatimi i tyre, veçanërisht në fushën e burimeve njerëzore, cenon eficiencën e administratës dhe besimin e publikut ndaj institucionit.









