KLSH: 39 investime të Bashkisë Klos pa u marrë në dorëzim, bllokohen mbi 23.6 milionë lekë fonde publike

718
Foto ilustrim

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur probleme të shumta në menaxhimin e investimeve nga Bashkia Klos, ku dhjetëra projekte të financuara me fonde publike nuk janë marrë ende në dorëzim përfundimtar, duke sjellë bllokimin e një shume të konsiderueshme monetare. Sipas raportit përfundimtar të auditimit financiar për vitin 2024, rezulton se 39 investime nuk janë pranuar përfundimisht nga bashkia, çka ka penguar likuidimin e pagesave ndaj kontraktorëve.

Në raport, KLSH thekson se kjo situatë ka sjellë pamundësinë e xhirimit të fondeve. “Mosmarrja në dorëzim përfundimtar e 39 investimeve ka sjellë si pasojë pamundësinë e xhirimit të fondeve prej 23,599,443 lekë nga llogaria në thesar e Bashkisë Klos, në llogarinë e kontraktorit”, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Audituesit nënvizojnë se Bashkia Klos nuk ka dokumentuar në mënyrë të plotë arsyet që kanë çuar në këtë situatë, ndërkohë që ekziston rreziku që një pjesë e investimeve të mos përmbushin detyrimet kontraktuale. Për këtë arsye, KLSH i ka rekomanduar kryetares së bashkisë që të verifikojë çdo kontratë investimi dhe, në rastet kur konstatohet moszbatim i punimeve sipas kontratës, të përllogariten detyrimet përkatëse dhe të mbahen nga garancia e punimeve.

Raporti paralajmëron se, nëse vlera e detyrimeve të kontraktorëve tejkalon shumën e garancisë, subjektet përkatëse duhet të shpallen debitorë ndaj Bashkisë Klos, duke rritur kështu përgjegjshmërinë në përdorimin e fondeve publike dhe mbrojtjen e interesit financiar të institucionit vendor.