
Punimet për ndërtimin e unazës së qytetit të Burrelit, të cilat janë prezantuar si drejt përfundimit, po shfaqin probleme serioze në disa segmente të saj, ende pa kaluar pak muaj. Pamjet e siguruara nga terreni tregojnë çarje të dukshme të asfaltit, si edhe rënie të shtresës rrugore në pjesë të ndryshme të këtij aksi.
Më 21 tetor 2025, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një postimi në rrjetet sociale njoftoi se po hidhen shtresat e fundit asfaltike dhe se kanë përfunduar punimet për veprat e artit, duke theksuar se unaza do të shërbejë për devijimin e trafikut jashtë qytetit. Megjithatë, situata në terren paraqitet ndryshe nga ajo e raportuar publikisht.
Sipas dokumenteve zyrtare, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lidhur më 6 mars 2025 kontratën për punime me objekt “Sistemim asfaltim rrugë të Drejtorisë së Rajonit Verior Shkodër”, ku përfshihet edhe unaza e Burrelit. Vlera e kontratës arrin në 128,334,975.6 lekë me TVSH, ose rreth 1.35 milionë euro fituar nga kompania “Ulza”.
Opozita – në një deklaratë të mëparshme për mediat – ka theksuar se, sipas procedurës së prokurimit të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, mbikëqyrja e punimeve për këtë objekt i është dhënë një bashkimi operatorësh (LENI ING SHPK – ANGERBA SHPK), të shpallur fitues më 2 qershor, rreth tre muaj pasi ishte lidhur kontrata për punët.
Sipas saj, këto procese duhet të zhvillohen paralelisht, pasi asnjë punim ndërtimi nuk mund të zbatohet pa u mbikëqyrur njëkohësisht. Në tabelën informuese teknike në terren nuk figuron bashkimi i operatorëve fitues si mbikëqyrës i punimeve, por një punonjës i ARRSH-së, z. Nikollaq Mihali, duke e cilësuar këtë mospërputhje si problem serioz në zbatimin e procedurave.








