Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton dështime në funksionimin e auditit të brendshëm në Bashkinë Mat, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e këtij mekanizmi për të garantuar kontroll efektiv, parandalim të shkeljeve dhe përdorim të rregullt të fondeve publike. Në raport thuhet se auditi i brendshëm nuk ka arritur të ushtrojë rolin e tij thelbësor si strukturë mbikëqyrëse dhe parandaluese brenda institucionit.
Në raport theksohet se një pjesë e parregullsive të konstatuara nga KLSH duhej të ishin evidentuar më herët nga vetë auditi i brendshëm, por kjo nuk ka ndodhur. Kjo situatë, në raport thuhet se tregon për një funksionim formal dhe jo efektiv të kësaj strukture, e cila nuk ka ushtruar kontrolle të thelluara dhe të bazuara në risk. “Referuar gjetjeve dhe dokumentacionit të vënë në dispozicion, konstatohet se funksioni i auditit të brendshëm nuk ka qenë efektiv në identifikimin dhe parandalimin e parregullsive”, thuhet në raport.
“Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton dështime të theksuara në funksionimin e auditit të brendshëm në Bashkinë Mat, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e këtij mekanizmi për të garantuar kontroll efektiv, parandalim të shkeljeve dhe përdorim të rregullt të fondeve publike. Sipas audituesve, auditi i brendshëm nuk ka arritur të ushtrojë rolin e tij thelbësor si strukturë mbikëqyrëse dhe parandaluese brenda institucionit.” thuhet gjithashtu në raport.
Për vitin 2024, Njësia e Auditit të Brendshëm në Bashkinë Mat ka funksionuar me vetëm dy punonjës, konkretisht një Përgjegjës të Sektorit të Auditit dhe një specialist auditi. Kjo strukturë është në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 83, datë 03.02.2016, i cili përcakton se Njësia e Auditimit të Brendshëm duhet të përbëhet nga jo më pak se tre punonjës, përfshirë drejtuesin e njësisë, ndërsa në përbërjen e saj mund të përfshihen deri në një të tretën punonjës të pacertifikuar si auditues të brendshëm në sektorin publik.
Raporti vë në dukje gjithashtu se mungesa e një auditi të brendshëm funksional krijon një zinxhir risku, ku parregullsitë nuk identifikohen në kohë, përgjegjësitë nuk adresohen dhe rrezikohet keqadministrimi i fondeve publike. Në vend që të shërbejë si mekanizëm parandalues, auditi i brendshëm ka funksionuar kryesisht në mënyrë formale, pa ndikim të matshëm në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.
Një nga shkeljet e përmendura në raport lidhet me moskrijimin e Komitetit të Auditimit të Brendshëm, një organ i pavarur që duhet të monitorojë dhe të këshillojë titullarin e institucionit mbi funksionimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm.
Nga shqyrtimi i dosjeve të auditimit, veçanërisht në Njësitë Administrative Burrel dhe Komsi, KLSH vëren se raportet e auditimit përmbajnë konstatime të përgjithshme, pa gjetje të qarta të mbështetura në kritere dhe pa rekomandime konkrete që ndihmojnë realisht përmirësimin e situatës. Detyrat e lëna janë pa afate të përcaktuara dhe mungon një opinion i përgjithshëm mbi funksionimin e sistemeve të audituara.
Raporti evidenton gjithashtu se Njësia e Auditit të Brendshëm nuk ka krijuar dosje të përhershme auditimi për njësitë publike që auditon, duke e bërë të vështirë ndjekjen dhe krahasimin e gjetjeve në auditimet pasuese.
Në rekomandimet e tij, Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkon Bashkisë Mat të riorganizojë funksionin e auditit të brendshëm, të hartojë plane auditimi të bazuara në analizë risku, të forcojë pavarësinë profesionale të auditorëve dhe të sigurojë ndjekjen reale dhe të dokumentuar të rekomandimeve. Sipas raportit, vetëm një audit i brendshëm efektiv mund të garantojë kontroll të qëndrueshëm, transparencë dhe mbrojtje të interesit publik.









