Opozita në Këshillin Bashkiak të Bulqizës propozon 15 ndryshime në buxhetin 2026

833
Këshilli Bashkiak Bulqizë

Grupi i anëtarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak Bulqizë, me propozim të këshilltarit Veap Halili, ka depozituar një paketë me 15 amendamente për ndryshime në projekt-vendimin “Për buxhetin e Bashkisë Bulqizë për vitin 2026”.

Sipas dokumentit zyrtar, amendamentet synojnë rishpërndarjen e fondeve buxhetore drejt shërbimeve sociale, arsimit parashkollor, sportit, mjedisit dhe infrastrukturës urbane e rurale, me fokus të veçantë shtresat në nevojë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.

Një nga kërkesat kryesore lidhet me rritjen e mbështetjes për çerdhet dhe kopshtet. Opozita propozon dyfishimin e fondit të ushqimit për këto institucione, si dhe subvencionimin 100% të pagesave për fëmijët e familjeve në nevojë. Për kopshtet që nuk ofrojnë shërbim ushqimi, kërkohet alokimi i një fondi prej 3,000 lekësh në muaj për çdo fëmijë.

Në paketën e amendamenteve përfshihet edhe mbështetja për fëmijët dhe të rinjtë e angazhuar në sport, ku propozohet që krahas transportit të ofrohet edhe pagesë për ushqim, në masën 500 lekë për çdo pjesëmarrje në aktivitetet sportive.

Një tjetër amendament synon vënien në funksion të një qendre sociale për ushqim për shtresat në nevojë, për të cilën kërkohet një fond prej 1.5 milionë lekësh. Po ashtu, opozita kërkon alokimin e një fondi të njëjtë për përmirësimin e shërbimeve në qendrat e të moshuarve, duke përfshirë sistemin e ngrohjes, aksesin në internet dhe televizion, si dhe shërbime bazë si ujë dhe kafe.

Në fushën e mjedisit dhe shërbimeve urbane, propozohet mbjellja e pemëve dekorative nga qyteti drejt njësive administrative, me një fond prej 10 milionë lekësh, si dhe ofrimi i shërbimit të transportit urban në qytet, për të cilin kërkohen 2 milionë lekë.

Opozita ka paraqitur gjithashtu një amendament që parashikon përdorimin 100% të të ardhurave nga fondi pyjor për investime në mirëmbajtje, pastrim dhe pyllëzim.

Ndër propozimet e tjera përfshihet zhvendosja e ambienteve të AFT-së nga lagjja “Minatori” në lagjen “Gjeologu”, duke e kthyer hapësirën ekzistuese në një zonë rekreative për komunitetin, si dhe nisja e procedurave të ankandit për shitjen e ekipit të futbollit, në zbatim të ligjit për sportin.

Në drejtim të investimeve infrastrukturore, amendamentet kërkojnë ndërhyrje në disa lagje të qytetit Bulqizë, konkretisht në zonat Vajkal 1 dhe Vajkal 2, me një fond prej 10 milionë lekësh për vitin 2026, si dhe investime në pedonalen e lagjes “Gjeologu” për rivitalizimin e saj. Një tjetër kërkesë lidhet me rritjen e fondeve për njësinë administrative Fushë Bulqizë, për lidhjen me rrugë të fshatrave Koçaj, Kokërdhak dhe Dushaj me qendrën e njësisë.

Paketa e amendamenteve mbyllet me kërkesën për uljen me 20% të shpenzimeve operative të aparatit qendror dhe agjencive në varësi për vitin 2026, me synim rritjen e eficiencës dhe lirimin e fondeve për investime prioritare.

Amendamentet pritet të diskutohen në mbledhjen e datë 24 dhjetor në orën 13:00 të Këshillit Bashkiak, ku do të vendoset nëse propozimet e opozitës do të reflektohen ose jo në buxhetin përfundimtar të Bashkisë Bulqizë për vitin 2026.