Buxheti 2026 i Bulqizës rëndohet nga kontratat e vjetra infrastrukturore

583
Rrëshqitje në rrugën e fshatit Kovashicë, në njësinë administrative Shupenzë. Segmenti rreth 1 km, i asfaltuar së fundmi nga Bashkia Bulqizë.

Bashkia e Bulqizës ka dërguar tek anëtarët e Këshillit Bashkiak projekt-buxhetin për vitin 2026. Bashkia e drejtuar nga Festime Mjeshtri, prej vitesh ka zgjedhur një strategji të financimit me faza (këste) për projektet kryesore të infrastrukturës. Dokumenti zyrtar tregon se një pjesë e konsiderueshme e investimeve që kanë nisur ose ishin planifikuar për vitin 2025, do të vazhdojnë të rëndojnë arkën e bashkisë edhe gjatë vitit 2026 dhe 2027, duke krijuar një cikël pagesash të shtrira në kohë.

Shuma totale që Bashkia Bulqizë duhet të paguajë në vitin 2026 vetëm për 5 projekte infrastrukturore të mbartura nga viti 2025, kap vlerën prej rreth 94,197,354 lekë ose afro 950 mijë euro.

Nga analiza e shifrave, vërehet një praktikë e “copëzimit” të vlerave të investimit. Në vend që projektet të likuidohen brenda një viti fiskal, ato janë ndarë në faza, gjë që dëshmon për një hapësirë të kufizuar buxhetore për të mbyllur investimet në kohë. Kjo praktikë, ndonëse mundëson nisjen e disa punimeve njëkohësisht, rrezikon ta zhysë bashkinë në detyrime, duke “penguar” fondet për projekte të reja në të ardhmen.

Sipas projekt-vendimit për buxhetin e vitit 2026, investimet që do të thithin pjesën më të madhe të buxhetit të vitit 2026 për pagesa të prapambetura ose në vazhdim janë:

1. Rruga Çerenec – Viçisht (Njësia Administrative Gjoricë): Ky është projekti me peshën më të rëndë financiare. Pasi u planifikuan 38.1 milionë lekë në vitin 2025, bashkia do të duhet të paguajë edhe 51.7 milionë lekë të tjera në vitin 2026 për të mbyllur këtë investim.

2. Rrugët e fshatrave Bllacë, Shtushaj dhe Zogjaj (Njësia Administrative Shupenzë): Pas 12.4 milionëve të vitit 2025, në vitin 2026 do të paguhen edhe 19.9 milionë lekë, ndërsa një mbetje prej rreth 2.9 milionësh do të shtyhet deri në vitin 2027.

3. Infrastruktura në Valikardhë dhe Dragu-Koçaj: Këto dy projekte rrugore do të kërkojnë rreth 19.2 milionë lekë nga buxheti i vitit 2026, me pagesa që gjithashtu do të shtrihen deri në fund të vitit 2027.

4. Rikonstruksioni i Çerdhes Nr. 1: Edhe investimet në arsim nuk i kanë shpëtuar kësaj skeme, ku një pjesë e mbetur prej 3.3 milionë lekësh do të paguhet gjatë vitit 2026.

Zhytja financiare

Ekspertët e pushtetit vendor vlerësojnë se kjo formë financimi – ku buxheti i vitit pasardhës është i paracaktuar në masën 50-70% nga kontratat e vjetra – redukton autonominë e bashkisë për t’u përgjigjur emergjencave apo kërkesave të reja. Për vitin 2026, Bashkia Bulqizë duket se do të jetë më shumë një “paguese borxhesh e detyrimesh të kontratuara” sesa një iniciatore e projekteve të reja.

Në listën e investimeve kryesore mbetet segmenti rrugor Çerenec-Viçisht në Njësitë Administrative Gjoricë-Trebisht, ku edhe këtë vit do të thithë një investim prej afro 1.2 milionë euro e shtrirë në pagesa edhe për vitin 2027 dhe 2028. Afro 900 mijë euro ishin planifikuar për vitin 2025 dhe 2026, duke e çuar në total këtë investim në afro 2.1 milionë euro.

Megjithatë, kjo kosto e lartë ka ngritur pikëpyetje te shumë anëtarë të Këshillit Bashkiak, të cilët e shohin të pamundur që një rrugë e kësaj distance të përfundojë vetëm me fondet e limituara të bashkisë. Këshilltarët argumentojnë se përqendrimi i shumicës së investimeve në këtë aks rrugor për vite me radhë, jo vetëm që do të mbante peng zhvillimin e zonave të tjera, por sërish nuk do të garantonte mbylljen e plotë të projektit. Për këtë arsye, ata i kanë kërkuar kryetares së Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri që të mos e mbingarkojë buxhetin lokal, por të kërkojë mbështetje financiare nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), si i vetmi institucion që ka kapacitetet teknike dhe financiare për ta çuar këtë projekt deri në fund.

Anëtarë të opozitës në Këshillin Bashkiak kanë ngritur akuza ndaj kryetares se Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri duke deklaruar për Bulqizaime.al se projekt-buxheti i vitit 2026 nuk reflekton aspak gjetjet dhe kërkesat e qytetarëve të shprehura në dëgjesën publike. Sipas tyre, ky dokument është një ‘lajthitje financiare’ që injoron nevojat reale të njësive administrative.

Në një këshill me 21 anëtarë në total, opozita shpreson se do të gjejë mbështetjen jo vetëm të anëtarëve të partive të vogla, por edhe të disa anëtarëve nga radhët e Partisë Socialiste, për të bllokuar këtë skemë financimi që e lë bashkinë “peng” të projekteve të vjetra dhe një shpërndarje jo të drejtë të investimeve të reja.