Procesi zgjedhor në Komunën e Dibrës në Maqedoninë e Veriut, i zhvilluar këtë të dielë, është karakterizuar nga një atmosferë e qetë dhe pa incidente. Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Zgjedhor, kandidati i Koalicionit VLEN, Fisnik Mela, ka siguruar 40,08% të votave (3.227 vota), duke u renditur i pari në garën për kryetar komune.
Në vendin e dytë është pozicionuar Ramadan Imeri, kandidat i pavarur, me 31,45% të votave (2.532 vota), i cili ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në balotazhin e 2 nëntorit. Ky rezultat vlerësohet si një arritje për një kandidat jashtë strukturave partiake.
Ndërkohë, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Ilirian Fetahu, është renditur i treti me 24,19% të votave (1.948 vota).
Zhvillimi i raundit të parë të zgjedhjeve në Dibër u krye në mënyrë të rregullt, pa shkelje të evidentuara apo parregullsi që do të ndikonin në procesin zgjedhor. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Zgjedhor, deri në orën 18:30 në Komunën e Dibrës kishin votuar gjithsej 7.825 qytetarë nga 19.763 të regjistruar në listën zgjedhore, që përfaqëson një pjesëmarrje prej 39,63% nga 27 vendvotime të hapura.









