Minatori 38-vjeçar humb jetën në galerinë e kromit në Bulqizë

2969
Miniera e Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Një aksident me pasojë vdekjen e një punëtori është shënuar këtë të mërkurë, rreth orës 11:30, në minierën e Bulqizës. Viktima është identifikuar si Kujtim Dangri, 38 vjeç, i cili ka humbur jetën gjatë punës në galeritë e minierës. Rrethanat e ngjarjes ende nuk janë bërë të qarta. Policia bëri me dije se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Minatori u transportua në Spitalin e Bulqizës, por pa shenja jete. Burime nga stafi mjekësor i thanë BIRN-it se trupi i punëtorit kishte dëmtime të shumta dhe, pavarësisht përpjekjeve të tyre, nuk mund të bëhej asgjë për ta shpëtuar.

Referuar të dhënave në Regjistrin e Lejeve Minerare, aksidenti ka ndodhur në galeritë e kompanisë “TRUE – L Shpk”, e cila është në pronësinë e Roland Kacit dhe Lejdon Gjonit. Kaci mban edhe detyrën e administratorit të subjektit. Deri në publikimin e këtij lajmi, kompania nuk ishte e arritshme për një qëndrim mbi rrethanat e aksidentit.

Referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “TRUE – L Shpk” është regjistruar më 26 janar 2022 dhe operon në fushën e shfrytëzimit dhe tregtimit të mineraleve nëntokësore e sipërfaqësore, si dhe në import-eksportin e pajisjeve minerare. Kompania ushtron aktivitet në Bulqizë, në Galerinë 43 të Zonës D – ku ndodhi edhe aksidenti me pasojë vdekjen e 38-vjeçarit – si dhe në Elbasan e Durrës.

Ky aksident përbën ngjarjen e katërt me pasoja fatale në sektorin minerar në zonën e Bulqizës dhe Klosit gjatë këtij viti. Vetëm një muaj më parë një 66-vjeçar humbi jetën teksa punonte në një nga galeritë e kromit në Bulqizë. Gjithashtu disa muaj më parë edhe një punëtor i ri humbi jetën teksa punonte në një fabrikë pasurimi kromi në Klos, ndërsa trupi i tij u gjet vetëm pas disa javësh kërkimesh intensive, ku morën pjesë banorët e zonës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Kosovës.

Referuar të dhënave zyrtare, pas ndërtimit, sektori i minierave dhe karierave mbetet ndër më të rrezikshmit, duke përbërë rreth 18 % të aksidenteve të raportuara në punë për vitin 2024.