Gjykata urdhëron rikthimin e pajisjeve dhe hyrjen e gazetarëve të News24 në redaksi

493
Ambientet e News 24 në Tiranë.

Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë gazetarëve dhe stafit të Focus Media Group, duke e cilësuar të paligjshme ndërhyrjen që solli ndërprerjen e sinjalit të News24 dhe pengimin e punës së tyre.

Gjykata urdhëroi shoqërinë shtetërore “KAYO” që, brenda 48 orëve, të kthejë të gjitha materialet e marra nga redaksia – përfshirë kompjuterat, dosjet dhe pajisjet e punës së gazetarëve – si dhe të lejojë menjëherë hyrjen e stafit në godinën e “Panorama Group”, kontrata e së cilës është e vlefshme deri në vitin 2033. Po ashtu, u rekomandua që brenda 15 ditësh gazetarët të ngrenë padi ndaj institucioneve shtetërore për shkeljen e të drejtës së punës dhe cënimin e sekreteve gazetareske.

Në një deklaratë për shtyp më 9 gusht, Avokatura e Shtetit deklaronte se kontrata e qiramarrjes së mjediseve të ish-Uzinës së Autotraktorëve nga shoqëria “Fokus Media News” ka përfunduar në vitin 2022. Sipas institucionit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë kishte kërkuar lirimin e godinës deri më 25 korrik 2022, por subjekti nuk e kishte dorëzuar pronën në mënyrë vullnetare.

Gjykata e Tiranës e vlerësoi ndërhyrjen ndaj gazetarëve të grupit mediatik “Focus Media” si të joproporcionale dhe jo në përputhje me nevojën reale për të ndërhyrë. Gjykata theksoi rëndësinë e ndarjes së mosmarrëveshjeve kontraktuale mes palëve nga liria e shprehjes dhe puna e gazetarëve, duke theksuar se kufizimi i tyre për shkak të çështjeve pronësore është i papranueshëm.

Në vendim u nënvizua se mosmarrëveshjet lidhur me zbatimin e kontratave duhet të zgjidhen në mënyrë që të mos cenojnë të drejtën kushtetuese të gazetarëve për të dhënë informacion dhe lirinë e shprehjes, që është një detyrim ndërkombëtar i shtetit. Gjykata urdhëroi zyrën e Përmbarimit Shtetëror të identifikojë dhe inventarizojë sendet personale dhe pajisjet e punës së gazetarëve brenda 24 deri në 48 orësh, duke siguruar kthimin e tyre dhe ruajtjen e integritetit të materialeve profesionale.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë e përshëndetën vendimin, duke bërë thirrje për zbatim të menjëhershëm dhe pa zvarritje. “Ky është një precedent i rëndësishëm që tregon se pengimi i punës së gazetarëve dhe ndërhyrja në materialet e tyre përbën shkelje të rëndë ligjore,” theksohet në reagimin e UGSH.

Ngjarja vjen pas ndërhyrjes së 9 gushtit, kur Policia e Shtetit rrethoi ndërtesën e Focus Media Group, ndërpreu energjinë elektrike dhe pengoi qasjen e gazetarëve, duke shkaktuar ndërprerjen e sinjalit të News24 për disa ditë. Veprimi u dënua nga 27 organizata vendase dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, të cilat e cilësuan të paqartë ligjërisht dhe të dëmshëm për pluralizmin dhe të drejtën e informimit.

Drejtoresha e Përgjithshme e News24, Anila Jole, e cilësoi vendimin si “një mesazh të qartë për ata që bënë paligjshmëri dhe për ata që hodhën baltë pa fakte”, duke theksuar se stafi do të rikthehet menjëherë në punë.

Hyrja e forcave të policisë në ambientet e televizionit News24 dhe ndërprerja e sinjalit televiziv të këtij kanali shkaktuan protesta të menjëhershme nga stafi i tij, i cili e konsideroi aktin si një cenim të rëndë të lirisë së medias. Ngjarja nxiti gjithashtu reagime të forta nga shoqëria civile, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe personalitete të ndryshme publike, të cilët kërkuan rikthimin e menjëhershëm të transmetimit dhe respektimin e pavarësisë së mediave.