Në një periudhë prej dy vitesh, nga viti 2023 deri në mars të vitit 2025, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër janë regjistruar vetëm dy kërkesa penale për njohjen në Shqipëri të vendimeve të formës së prerë të dhëna nga gjykatat britanike ndaj shtetasve shqiptarë. Këto kërkesa përbëjnë hapat fillestarë të një procedure që mund të çojë në transferimin e të dënuarve për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në vendlindje.
Konkretisht, çështja e parë u regjistrua më 26 tetor 2023, me objekt njohjen e një vendimi penal të dhënë nga autoritetet britanike ndaj një shtetasi shqiptar, me qëllim transferimin e tij nga Britania e Madhe në Shqipëri. Çështja e dytë u regjistrua më 19 shkurt 2025 dhe i referohet një vendimi të Gjykatës së Kurorës së Salisbury, ndërsa procedura ndodhet ende në shqyrtim gjyqësor. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër e shtrin juridiksionin e saj në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Klos dhe Mat dhe vepron si shkallë e parë gjykimi.
Këto raste mbështeten në marrëveshjen dypalëshe mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, nënshkruar në maj 2023, e cila parashikon transferimin e deri në 200 të dënuar shqiptarë në Shqipëri brenda një periudhe dyvjeçare. Marrëveshja, që financohet nga pala britanike me një shumë prej 8 milionë paundësh, synon të lehtësojë ngarkesën në sistemin penitenciar të Britanisë dhe të rrisë bashkëpunimin gjyqësor mes dy vendeve.
Shifrat që sfidojnë retorikën
Sipas statistikave të Ministrisë së Drejtësisë britanike, deri më 31 mars 2025 në burgjet e Anglisë dhe Uellsit ndodheshin 10,838 shtetas të huaj, ku shqiptarët përbënin rreth 11 për qind, afërsisht 1,190 persona. Këto të dhëna bien ndesh me pretendimet e fundit publike për një përfaqësim të ekzagjeruar të shqiptarëve në burgje.
Lideri britanik i ekstremit të djathtë, Nigel Farage, deklaroi së fundmi në rrjetin X se “një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg” dhe kërkoi dëbimin e tyre. Kryeministri shqiptar Edi Rama reagoi publikisht, duke e cilësuar deklaratën si manipulim të të dhënave dhe ironizoi me një ftesë publike që Farage të vizitojë Shqipërinë, nëse nuk provohet saktësia e shifrave të tij. Përplasja virtuale mes tyre është kthyer në një debat të ashpër që ka nxitur vëmendjen ndërkombëtare dhe ka ekspozuar interpretimet politike të statistikave të emigracionit dhe kriminalitetit.
Ritmi i ngadaltë i zbatimit
Pavarësisht objektivit për 200 transferime, qeveria britanike raportoi në parlament se deri në mars 2025, vetëm tetë shtetas shqiptarë ishin transferuar realisht në Shqipëri. Si shkak përmenden vonesat administrative dhe procedurat e brendshme në palën shqiptare. Kërkesat e regjistruara në Dibër – një nga zonat me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar – tregojnë se zbatimi i marrëveshjes ka nisur, por ritmi mbetet larg objektivit të shpallur.
Për çfarë dënohen shqiptarët në Britani?
Sipas autoriteteve britanike dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), shqiptarët dënohen kryesisht për vepra që lidhen me narkotikët, veçanërisht për kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit. Një pjesë e madhe përfshihen në rrjete kriminale që menaxhojnë “fermat e kanabisit” në territorin britanik. Po ashtu, ka raste të shumta që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore, shfrytëzim për punë të detyruar, si dhe pastrim parash. Të tjerë janë dënuar për armëmbajtje pa leje, akte dhune dhe pjesëmarrje në grupe kriminale. Autoritetet britanike kanë deklaruar se shqiptarët përbëjnë grupin e vetëm më të madh të shtetasve të huaj të dënuar për vepra të lidhura me drogën në Britani.









