Në Dibër do të ndërtohet park fotovoltaik me fuqi 96 MW, nga investimi preken 3 fshatra

1934
Gjurma e investimit. Burimi: Përmbledhje joteknike e VNM-së

Një park fotovoltaik me kapacitet të instaluar prej 96 megavat pritet të ndërtohet pranë fshatrave Sehodoll, Limjan dhe Kastriot të bashkisë Dibër. Projekti është depozituar nga kompania “Greencells Renewables Albania” Shpk dhe detajet teknike të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis janë publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM).

Ky është një ndër disa impiante me kapacitet të konsiderueshëm që po ndërtohen në vend, ku vetëm dy javë më parë një tjetër kompani dorëzoi koordinatat ku do të vendosej impianti i saj me kapacitet 102 megavat në disa fshatra me Kolonjës dhe Përmetit.

Sipas përmbledhjes joteknike të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), centrali do të shtrihet në njësinë administrative Kastriot dhe Fushë-Çidhën, në një zonë që përfshin sipërfaqe të konsiderueshme toke.

Greencells Renewables Albania SHPK është themeluar më 8 maj 2023 dhe e regjistruar zyrtarisht më 12 qershor 2023, me seli në Tiranë. Kjo kompani ndodhet nën pronësinë e plotë të Greencells Energy NL B.V., një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Holandë. Kompania operon në fushën e energjisë së rinovueshme dhe fokusohet në zhvillimin, ndërtimin, operimin dhe shfrytëzimin e centraleve të ndryshme energjetike, përfshirë ato fotovoltaike, eolike, hidrike dhe termale. Përveç ndërtimit dhe menaxhimit të projekteve, Greencells Renewables Albania ofron edhe shërbime konsulence, asistencë teknike dhe tregtare për entet dhe shoqëritë që veprojnë në sektorin energjetik.

Parku do të përbëhet nga 137,150 module diellore, secila me kapacitet 700 Wp, të cilat do të lidhen me 268 invertera të fuqisë 300 kW. Të gjitha panelet do të instalohen mbi struktura metalike të ngritura nga toka. Sipërfaqja totale e mbuluar nga panelet do të jetë rreth 426,036 metra katrorë.

Terreni ku do të ndërtohet centrali fotovoltaik

Ndikimi në mjedis nga ndërtimi i parkut fotovoltaik në Dibër vlerësohet si i kufizuar dhe i menaxhueshëm, sipas Përmbledhjes Joteknike të VNM-së të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Gjatë fazës së ndërtimit, thuhet se do të ketë ndikime kryesore lidhur me lëvizjet e mjeteve të rënda, zhurmat dhe ndryshimet në peizazh, por këto janë të përkohshme dhe të lokalizuara brenda zonës së projektit.

I vetmi ndikim afatgjatë i evidentuar në VNM është ai vizual, pasi panelet do të jenë të dukshme nga largësi të mëdha, por ky efekt konsiderohet me rëndësi të vogël për shkak të relievit dhe mbulesës bimore të zonës. Distanca prej rreth 1.65 km nga vendbanimet më të afërta, si fshati Limjan, e bën ndikimin mbi komunitetin të kufizuar, ndërsa investitori është zotuar për masa monitoruese dhe korrigjuese për të minimizuar çdo efekt negativ gjatë të gjitha fazave të zbatimit.

Në përfundim të vlerësimit paraprak të ndikimit në mjedis për ndërtimin e parkut fotovoltaik dhe veprave ndihmëse në Dibër, dokumenti zyrtar i Përmbledhjes Joteknike të VNM-së i publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit konstaton se projekti është hartuar dhe planifikuar në përputhje me të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet mjedisore kombëtare e ndërkombëtare.

Studimi ka evidentuar se zona e përzgjedhur nuk përfshin territore të mbrojtura apo monumente natyrore dhe nuk cenon komponentë të ndjeshëm të biodiversitetit. Energjia që do të prodhohet konsiderohet si një nga burimet më miqësore me mjedisin, pa emetime ndotëse dhe pa ndërhyrje të dëmshme në ekosisteme, ndërsa zbatimi i teknologjive moderne në fazën e ndërtimit do të garantojë siguri dhe ndikim minimal mjedisor.

Autorët e raportit theksojnë gjithashtu se ekzistojnë të gjitha mundësitë teknike për marrjen e masave mbrojtëse gjatë ndërtimit dhe funksionimit të impiantit, duke e bërë projektin të qëndrueshëm dhe të pranueshëm nga pikëpamja mjedisore.

Centrali FV (fotovoltaik) është një impiant për prodhimin e energjisë elektrike duke shfrytëzuar rrezet e diellit, përmes paneleve diellore që e shndërrojnë dritën në energji elektrike.