Ndalohet lëvizja e dhenve dhe dhive në gjithë vendin, mbi 600 krerë të ngordhur nga murtaja në Dibër

677
Foto ilustruese

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka shpallur një thirrje publike për fermerët dhe tregtarët në të gjithë territorin e Shqipërisë, pas rasteve të përsëritura të shkeljes së rregullave për lëvizjen dhe tregtimin e kafshëve. Sipas njoftimit zyrtar, është rreptësisht e ndaluar lëvizja e bagëtive të imta – konkretisht dhenve dhe dhive – nga një fermë në një tjetër, si dhe shitja dhe blerja e tyre në të gjithë vendin.

E vetmja lëvizje që lejohet është ajo drejt thertoreve, me kushtin që kafshët të jenë të pajisura me certifikatë shëndetësore veterinare, lëshuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit. Ministria thekson se çdo shkelje do të referohet menjëherë tek organet kompetente për ndjekje penale.

Kjo masë vjen si reagim ndaj situatës alarmante të krijuar në disa zona të vendit, ku është konfirmuar përhapja e sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta. Në Qarkun Dibër, sipas të dhënave nga specialistët e veterinarisë, janë asgjësuar mbi 600 krerë dele dhe dhi të prekur nga kjo sëmundje. Rastet janë regjistruar në tre vatra: një në Kastriot të Dibrës dhe dy të tjera në zonën e Martaneshit në Bulqizë. Ekspertët sqarojnë se vatrat aktualisht janë izoluar dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

Ministria u bën thirrje të gjithë fermerëve të mos rrezikojnë tufat e tyre dhe tregtarëve të mos rrezikojnë ekonominë blegtorale të vendit, duke respektuar rregullat dhe duke bashkëpunuar me autoritetet përkatëse.

Murtaja e bagëtive, e njohur edhe si PPCB (Peste des Petits Ruminants), është një sëmundje ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo karakterizohet nga ethe të larta tek kafsha, ulje të oreksit, rrjedhje nga hundët dhe sytë, diarre të fortë dhe shpesh çon në ngordhje masive të tufës. Sëmundja përhapet shpejt nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve dhe përbën rrezik për ekonominë blegtorale.

Humbja e qindra krerëve të bagëtive përbën një goditje të rëndë financiare për familjet që mbijetojnë nga blegtoria, veçanërisht në zona të thella, ku mundësitë janë të kufizuara. Në një kohë kur të rinjtë po largohen masivisht drejt emigracionit dhe investimi në bujqësi dhe blegtori është në rënie, sëmundje të tilla vetëm sa e përkeqësojnë situatën.