Spitali i Bulqizës përballet me mungesë të mjekëve të rojës, shkak pagesat dhe kushtet

1136
Foto ilustruese nga Spitali Bashkiak Bulqizë

Spitali i Bulqizës po përballet me mungesën e mjekëve të rojës, i cili është i domosdoshëm për ofrimin e kujdesit shëndetësor 24-orësh. Mjekët e familjes, që janë pjesë e stafit me kohë të pjesshme dhe kontribuojnë në këtë shërbim, po refuzojnë të vijojnë punën në muajt në vijim. Kjo për shkak të uljes drastike të pagesave si edhe kushteve të vështira të punës.

Spitali Bashkiak i Bulqizës funksionon me një strukturë të brendshme të kufizuar, ku janë të punësuar vetëm disa mjekë me kohë të plotë, ndërsa përballen me mungesa të theksuara të mjekëve specialistë. Mungesa më kritike është ajo e një kirurgu të përhershëm në repartin e kirurgjisë, një shërbim thelbësor për një zonë si Bulqiza, ku punojnë qindra minatorë dhe aksidentet në sektorin minerar janë të shpeshta.

Mjekët e jashtëm në disa spitale bashkiake në vend edhe më parë kanë bojkotuar shërbimin e urgjencës 24-orëshe, ndaj uljes së ndjeshme të pagesave. Pas orës 15:00, shërbimi në spital mbulohet shpesh nga vetëm një mjek i përgjithshëm, i cili pa mbështetje nga specialistët, detyrohet të përballojë urgjencën dhe pavionet e tjera.

Në Spitalin e Bulqizës, mjekët e punësuar me kohë të pjesshme kryejnë shërbimin e rojës në dy fashë orare të ndryshme, në varësi të ditës. Në ditët normale të javës, shërbimi i tyre fillon në orën 15:00 dhe përfundon në orën 08:00 të mëngjesit të ditës pasardhëse. Ndërsa në ditët e pushimit apo në festa zyrtare, shërbimi zgjat 24 orë, duke filluar në orën 08:00 të mëngjesit dhe përfunduar në të njëjtën orë të ditës së ardhshme.

Në trajtimin e mëparshëm financiar, pagesat bruto për shërbimin e mjekut roje në ditë normale ishte 3,733 lekë, për ditën e shtunë 4,000 lekë, ndërsa për ditën e dielë dhe festat 7,000 lekë. Nga kjo pagesë bruto përllogaritej edhe një heqje prej 15% për tatimin mbi të ardhurat personale. Aktualisht, pagesa bruto është ulur në 2000 lekë për ditë normale, për ditën e shtunë 2,300 lekë dhe në 2,700 lekë për ditët e fundjavës dhe festave.

Disa prej mjekëve të kontaktuar nga Bulqizaime.al shprehen se me tarifat e reja të ofruara nga spitali, angazhimi në shërbimin e rojës nuk është më i justifikueshëm, pasi pagesat janë aq të ulëta sa nuk mbulojnë as shpenzimet bazë personale.

Përveç aspektit financiar, ata ngrenë shqetësime serioze edhe për mungesën e kushteve minimale të punës në spital; duke përfshirë pajisjet, medikamentet dhe mungesën e specialistëve. Ata tregojnë se kjo situatë krijon një klimë të vazhdueshme tensioni dhe stresi gjatë orarit të shërbimit, duke vënë në rrezik si shëndetin e tyre, ashtu edhe cilësinë e kujdesit që i ofrohet pacientëve.

Për këtë situatë, Bulqizaime.al kërkoi një qëndrim edhe nga drejtuesi i Spitalit Bashkiak të Bulqizës, Arben Çupi. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, ky i fundit, nuk iu përgjigj kërkesës sonë për koment dërguar në rrugë elektronike, lidhur me situatën e mungesës së mjekëve në shërbimin e rojës dhe kushtet e punës në këtë institucion. Çupi u emërua në këtë detyrë pas dorëheqjes së Brunkita Ramës, mjeke interne pranë të njëjtit spital. Përveç funksionit të tij si drejtor, Çupi është gjithashtu kryetar i Këshillit Bashkiak të Bulqizës nga radhët e Partisë Socialiste si edhe administrator i disa kompanive që operojnë në sektorin minerar dhe jo vetëm.

Më 16 qershor, Drejtoria e Shërbimit Spitalor Bulqizë me anë të një shkrese që Bulqizaime.al e disponon, i kërkoi Njësisë së Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, angazhimin me kohë të pjesshme të mjekëve të familjes pranë Qendrave Shëndetësore në shërbimin e mjekut roje në Spitalin Bashkiak.

Mjekët shprehen se nuk mund të punojnë në kushte që ndihen si të detyruar apo nën presion për t’u angazhuar. Ata theksojnë se nuk ka asnjë bazë ligjore që t’i detyrojë të punojnë kundër dëshirës dhe se puna duhet të jetë në respekt me të drejtat e tyre. Ata shprehen se çdo përpjekje për t’i detyruar në këtë mënyrë është e papranueshme dhe shkel kodin e punës si dhe standardet ndërkombëtare që Shqipëria i ka ratifikuar.

Sipas tyre, zgjidhja e vetme për të siguruar angazhimin e mjekëve është trajtimi me dinjitet financiar dhe ofrimi i kushteve më të mira të punës. Kjo do të mundësonte që edhe mjekë nga Tirana, të afroheshin dhe të ofronin shërbim në Bulqizë, sidomos me përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Sipas tyre, deri tani nuk është bërë asnjë hap konkret në këtë drejtim.

Mungesa e mjekëve të familjes ka bërë që mbulimi shëndetësor i njësive administrative në Bulqizë të bëhet në mënyrë jo të rregullt. Si pasojë, edhe ata pak mjekë që janë ende në sistemin e kujdesit parësor shëndetësor janë të mbingarkuar, duke u detyruar të mbulojnë disa fshatra dhe zona njëkohësisht.

Në këto kushte, shumë banorë që nuk kanë qasje të rregullt te mjeku i familjes, detyrohen të drejtohen për ndihmë mjekësore në spitalet bashkiake ose në Spitalin Rajonal të Dibrës.

Banorë të njësisë administrative Ostren i thanë Bulqizaime.al se mjeku vjen vetëm një herë në javë në qendrën shëndetësore të zonës. Situata është e ngjashme edhe në Shupenzë, njësia më e madhe administrative pas qytetit të Bulqizës, ku mjeku shkon vetëm një herë në javë. Po ashtu, një mjek i vetëm është i ngarkuar të mbulojë dy njësi të tjera si Fushë-Bulqizë dhe Zerqan, ndërsa një tjetër për njësitë administrative Gjoricë dhe Trebisht.

Spitalet e bashkive Mat, Klos dhe Bulqizë janë përballur vazhdimisht me largimin e mjekëve dhe specialistëve, të cilët shpesh preferojnë të punojnë në Tiranë apo të emigrojnë jashtë vendit. Ndërkohë, mjekët e rinj refuzojnë të kthehen pas studimeve të punojnë në sistemin shëndetësor lokal.