Ndërtim i paligjshëm pranë “Urës së Vashës”, policia procedon penalisht 50-vjeçarin pas transmetimit të rastit në media

2206
Dëmtimet në Urën e Vashës. Foto: TV Klan

Një 50-vjeçar nga fshati Fshat, Klos është proceduar penalisht për dëmtimin e monumentit të kulturës “Ura e Vashës” si edhe ndërtime të tjera të paligjshme në atë zonë.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mat kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedimin penal ndaj shtetasit F. S., i dyshuar për veprat penale “Shkatërrimi i veprave kulturore”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”.

Hetimet paraprake tregojnë se ky person ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme pranë monumentit të kulturës “Ura e Vashës”, ku dyshohet se ka kryer gërmime, spostime të inerteve dhe ndërtim objekti pa leje ndërtimi.

Reagimi i Policisë vjen pas publikimit të rastit në emisionin investigativ “STOP” në Tv Klan, ku u denoncuan dëmet e shkaktuara pranë urës historike. Pamjet dhe dëshmitë e transmetuara nxorën në pah ndërhyrjet me mjete të rënda në zonën përreth monumentit dhe mungesën e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë.

Punimet në afërsi të urës së Vashës.

Prej më shumë se dy vitesh në afërsi të urës janë kryer punime për ndërtimin e një lokali, ndërsa janë gërryer me eskavator skarpatet dhe shtrati i lumit Mat për krijimin e një vendparkimi, duke dëmtuar strukturën dhe territorin përreth monumentit. Edhe pse vetëm 1 km larg nga rruga e Arbërit, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje prej institucioneve përgjegjëse: përfshirë, IKMT-në e Dibrës, Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Klos dhe strukturat përkatëse të Policisë Vendore.

Ura e Vashës, e ndërtuar mbi lumin Mat mes fshatit Fshat dhe Guri i Bardhë në Klos, daton nga fillimi i shekullit XVIII dhe është një nga urat më të vjetra të zonës. Fillimisht e njohur si “Ura e Skurës”, ajo mban statusin “monument kulture” dhe përfaqëson një vlerë historike dhe arkitektonike të rrallë.

Ura e Vashës, korrik 2016-të. Foto: MSG Promotion

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për vijimin e hetimeve dhe marrjen e masave të nevojshme ligjore.

REKLAMË