Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit në fshatin Xibër-Murrizë të bashkisë Klos, ku një 65-vjeçar është gjetur i pajetë pranë pronës së tij. Viktima Selim Velsula, dyshohet se është goditur me thikë pas një konflikti me një person tjetër.
Sipas informacioneve zyrtare nga policia, pas hetimeve paraprake është identifikuar si autor i dyshuar Hazbi Velsula, 32 vjeç. Ai është ndaluar në lagjen Allias të Tiranës, ku ishte strehuar në banesën e vëllait të tij, disa orë pas ngjarjes.
Nga të dhënat e hetimit rezulton se midis dy personave ka pasur një përplasje fizike për motive të dobëta, e cila më pas ka përfunduar me përdorimin e një mjeti prerës. Goditjet e marra i kanë shkaktuar viktimës humbjen e jetës në vend.
Policia ka sekuestruar edhe mjetin e dyshuar të krimit, një thikë që pritet të analizohen si provë materiale. Ndaj 32-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të ftohta”. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.









