Murtaja prek fermën në Val të Martaneshit, ngordhin afro 150 krerë bagëti

803
Afro 150 krerë bagëti kanë ngordhur në fermën e blegtorit Bajram Mata në fshatin Val të Martaneshit, duke shkaktuar alarm mes banorëve dhe autoriteteve për përhapjen e sëmundjes së murtajës në tufën me rreth 700 krerë. Burimi: Bulqizaime.al

Një përhapje e sëmundjes së murtajës së bagëtive ka alarmuar banorët dhe autoritetet në fshatin Val të Martaneshit, në njësinë administrative Martanesh të Bulqizës. Mësohet se afro 150 krerë bagëti kanë ngordhur në fermën e blegtorit Bajram Mata, ndërsa rrezikohet përhapja edhe në pjesën tjetër të tufës, me afro 700 krerë.

Sipas informacioneve zyrtare, janë marrë mostrat e para dhe janë dërguar për analizë në laboratorët përkatës në Tiranë, ku pritet konfirmimi përfundimtar i diagnozës.

Murtaja e bagëtive, e njohur edhe si PPCB (Peste des Petits Ruminants), është një sëmundje ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo karakterizohet nga ethe të larta tek kafsha, ulje të oreksit, rrjedhje nga hundët dhe sytë, diarre të fortë dhe shpesh çon në ngordhje masive të tufës. Sëmundja përhapet shpejt nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve dhe përbën rrezik për ekonominë blegtorale.

Në drejtim të fermës në Val të Martaneshit, janë nisur specialistë të Drejtorisë Rajonale Bujqësisë në Dibër, si dhe veterinerë të bashkisë Bulqizë. Autoritetet po punojnë për kufizimin e përhapjes së infeksionit dhe për ndalimin e çdo lëvizjeje të bagëtive jashtë zonës së prekur.

Humbja e qindra krerëve të bagëtive përbën një goditje të rëndë financiare për familjet që mbijetojnë nga blegtoria, veçanërisht në zona të thella si Martaneshi, ku mundësitë janë të kufizuara. Në një kohë kur të rinjtë po largohen masivisht drejt emigracionit dhe investimi në bujqësi dhe blegtori është në rënie, sëmundje të tilla vetëm sa e përkeqësojnë situatën dhe dekurajojnë ata pak që ende përpiqen të mbajnë gjallë ekonominë rurale.

Ky nuk është rasti i parë i murtajës së bagëtive në vend. Vetëm një javë më parë, u identifikua një vatër e ngjashme në Postribë të Shkodrës. Pas konfirmimit të pranisë së sëmundjes, autoritetet izoluan zonën brenda një rrezeje prej 3 deri në 10 kilometra dhe nisën eliminimin e kafshëve të infektuara për të parandaluar përhapjen.