Zbulohen dy magazina me veshje kontrabandë në Rrugën e Arbrit; në pranga edhe Luan Haka, ish-kandidat për kryetar bashkie në Dibër

1028
Magazina të përdorura për stampimin dhe tregtimin e veshjeve të dyshuara si kontrabandë. Foto: Policia e Shtetit

Katër persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre një shtetas turk, pas një operacioni të zhvilluar nga strukturat e hetimit të krimeve ekonomike në Policinë e Shtetit. Aksioni u zhvillua në zonën e fshatit Brrar, përgjatë Rrugës së Arbrit, ku u identifikuan dy magazina të përdorura për stampimin dhe tregtimin e veshjeve të dyshuara si kontrabandë, me logo të falsifikuara të markave ndërkombëtare.

Sipas burimeve zyrtare, të arrestuarit janë shtetasit L. H., A. B., Xh. L. dhe A. H., ndërsa në kërkim janë djali i L. H., dhe shtetasi turk O. S., i cili dyshohet se ka pasur rol koordinues në këtë aktivitet. Katër persona të tjerë që punonin në këto magazina janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Burime policore bëjnë me dije se Luan Haka është bashkëadministrator i njërës prej magazinave ku u zbuluan linjat e prodhimit të veshjeve me logo të falsifikuara. Ai ka qenë kandidat për deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe ka garuar për kryetar të Bashkisë Dibër në zgjedhjet vendore të vitit 2022, për fraksionin politik të Lulzim Bashës.

Gjatë kontrollit në terren, u sekuestruan sasi të konsiderueshme veshjesh të përpunuara, dhjetëra makineri për qepje, printim dhe stampim, logo të ndryshme markash të njohura, dokumente identifikimi të shtetasit turk, një shumë parash, njësi kompjuterike, një celular dhe të tjera sende që do t’i shërbejnë hetimeve.

Burime pranë Policisë bënë me dije se ndërhyrja erdhi pas administrimit të informacioneve për aktivitetin e dyshuar që po zhvillohej në këto ambiente. Të dyja magazinat ishin të pajisura me linja të plota për përpunimin dhe modifikimin e veshjeve me logo të falsifikuara, ndërkohë që për to dyshohet se mungonte dokumentacioni ligjor për origjinën dhe importin e mallrave.

Ndaj të dyshuarve janë ngritur akuza për një sërë veprash penale, përfshirë “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Hetimet vijojnë, ndërsa po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim.

Falsifikimi i rrobave dhe përdorimi i logove të markave të regjistruara dëmton rëndë ekonominë ligjore, cenon të drejtat e pronësisë intelektuale dhe krijon konkurrencë të padrejtë në treg. Ky fenomen ndikon negativisht në të ardhurat e bizneseve të ligjshme, ul cilësinë e produkteve që konsumatorët marrin dhe shpesh lidhet me punësim informal e shmangie taksash. Legjislacioni i Bashkimit Evropian e ndalon rreptësisht këtë praktikë përmes direktivës 2004/48/EC, që ka të bëjë me zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, si dhe përmes rregullores nr. 608/2013, e cila përcakton masa të kontrollit doganor për të parandaluar hyrjen në treg të mallrave të falsifikuara.