
Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me British Council dhe programin “Alternative Pathways”, inauguroi QendraPodcast EduLab – një hapësirë moderne dhe inovative e dedikuar edukimit dhe teknologjisë. E vendosur brenda ambienteve të Ministrisë, kjo qendër synon të fuqizojë të rinjtë duke i angazhuar në projekte kreative dhe zhvillime teknologjike.
Në këtë ceremoni, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu, dhe Drejtoresha e British Council, znj. Majlinda Mazelliu, diskutuan rëndësinë e nismave që lidhen me fuqizimin e të rinjve. Ministrja Manastirliu vlerësoi bashkëpunimin me British Council, duke ftuar të rinjtë të angazhohen në këtë qendër për të shkëmbyer ide mbi sfidat e arsimit dhe të ardhmes.
“QendraPodcast EduLab është një shembull i përkushtimit tonë për të nxitur krijimtarinë dhe aftësitë teknologjike te të rinjtë,” tha znj. Mazelliu.
Në kuadër të inaugurimit, një podcast i drejtpërdrejtë bashkoi nxënës të talentuar nga klubet multimediale dhe të kodimit të ngritura në 8 bashki të Veriut të Shqipërisë, të cilët ndanë eksperiencat e tyre me pjesëmarrësit.
Era, një nxënëse 14-vjeçare nga shkolla “Avni Rustemi” në Kukës, ndau përvojën e saj mbi përdorimin e pajisjeve micro:bit, duke theksuar rolin e tyre në rikthimin funksional të aeroportit të Kukësit: “Micro:bit nuk është thjesht një qark i vogël, por një pajisje që na ndihmon të realizojmë projekte kreative, si krijimi i një avioni që niset kur përplasen duart.”
Diana, një tjetër nxënëse nga i njëjti klub, tregoi përvojën e saj në krijimin e një podcast-i dhe dokumentari, duke theksuar se kjo eksperiencë po ndikon në zgjedhjet e saj për të ardhmen profesionale.
“Rrugë Alternative” në Mat: Multimedialiteti si mjet fuqizimi
Në kuadër të programit “Alternative Pathways”, Klubi i Multimedias në shkollën “Gjergj Kastrioti” në Mat përfundoi fazën e parë të trajnimeve për nxënës të moshës 13-18 vjeç. Këto trajnime, të mbështetura nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe zbatuar nga organizata Albanian Women in Audiovisual, përqendrohen në aftësimin teknologjik të të rinjve për projekte që trajtojnë sfidat e komunitetit dhe perspektivën gjinore.
Nxënësit nga fshati Baz krijuan tre projekte dokumentare dhe podcast, duke përvetësuar aftësi si shkrimi i skenarëve, puna me kamera dhe montazhi. Pandeli Çeço, mentori i produksionit video, u shpreh: “Është frymëzuese të shohësh të rinj që kanalizojnë talentet e tyre në projekte me potencial për të ndikuar në komunitetin e tyre.”
Enisa Gjonaj, një nxënëse pjesëmarrëse, ndau emocionet e saj: “Mësuam shumë njohuri të reja dhe realizuam projekte që shpresojmë të vlerësohen.”
Programi “Rrugë Alternative” synon të frymëzojë të rinjtë të bëhen kontribues aktivë në komunitetet e tyre, duke i pajisur me njohuri dhe mjete teknologjike. Me mbështetjen e British Council, nisma ka ndikuar pozitivisht në jetën e qindra të rinjve në veri dhe jug të Shqipërisë, duke i afruar më pranë teknologjisë dhe fuqizimit profesional.
Kjo iniciativë mbetet një model i suksesshëm për edukimin dhe angazhimin rinor në vend.
*** Ky material nuk është prodhim i Bulqizaime.al dhe publikohet si informacion i marrë nga burime të tjera, pa ndërhyrje redaktoriale nga redaksia jonë.








