Rruga e Arbrit, aksi më i rëndësishëm verilindor, ka thyer të paktën pesë rekorde botërore deri tani.
I. Ka 20 vjet që po punohet me ritme shumë të shpejta (inaugurimi i fillimit u bë nga Nano në maj 2005) dhe është përuruar plot 10 herë deri tani, por përfundimi i veprës është ende larg.
II. Ka dy ura të vetme në llojin e tyre që, pavarësisht se ndodhen 150 metra mbi lum, përmbyten (Lezedra dhe ajo e Vashës).
III. Është e vetmja rrugë ku skarpatet janë tenderuar dy herë; njëherë bashkë me rrugën (siç bëhet në të gjithë botën) dhe njëherë tjetër veç skarpateve (siç mund ta bëjmë vetëm ne).
IV. Është një vepër që i ngjan më shumë se çdo gjë tjetër ‘Pëlhurës së Penelopës’, për nga mënyra se si është punuar dhe si po punohet aty.
V. Është rruga më e lënë rrugëve se çdo vepër tjetër që mund të gjendet gjëkundi!
Për ta përfunduar rrugën, për shembull, në segmentin me gjatësi prej vetëm 1 km te Gryka e Tujanit (Tiranë), nuk ka qenë ndonjëherë problem as me gjeologjinë apo ndonjë arsye tjetër reale. Por aty, rruga do të përfundojë pasi të përfundojë Unaza e Tiranës.
Çfarë lidhje ka, do të thoni ju, me Unazën?! E njëjta kompani që po punon për një segment të Unazës, po bën sikur po ndërton edhe Rrugën e Arbrit. Unaza ka nevojë për shumë gurë e zhavorr dhe ndodhet fare afër Grykës së Tujanit. Gryka e Tujanit, pavarësisht se është Park Kombëtar dhe Monument Natyre (që nuk duhen prekur fare me dorë), ka me shumicë gurë e zhavorr.
Me pretekstin se po punon me skarpatet e shpateve të Grykës së Tujanit, firma gërryen dhe shemb përditë inertet që i duhen, duke shkatërruar Rrugën e Arbrit për të ndërtuar Unazën e Tiranës. Institucionet bëjnë sikur nuk e shohin, dhe firma bën sikur nuk po merr gjë aty.
Prandaj, sapo të përfundojë punën e fundit që ka marrë përsipër në Unazë, do të përpiqet (mbase) të vazhdojë me punën e parë të papërfunduar, Rrugën tonë të Arbrit!
Deri në përfundim, presim rekordin e gjashtë ose më shumë. Ama, kur të përfundojë (nëse ndodh), do të quhet me plot meritë “Rruga që ka thyer çdo rekord”….









