Shtyhet “ahengu” për hapjen e tunelit të Murrizit

1757
Tuneli i Murrizit

Kompania “Gjoka”, e cila ka koncesionin për ndërtimin e rrugës së Arbrit, me anë të një deklarate të postuar në rrjetet sociale bën të ditur se ishte i pavërtetë lajmi se tuneli i Murrizit ishte hapur. Ky reagim erdhi fill pasi paraditen e së premtes, qarkulloi lajmi se të dyja anët e tunelit ishin lidhur.

Por propagandës së qeverisë nuk mund t’i ikte nga dora një zhvillimi i tillë “pa hedhur valle” për të disatën herë në rrugën e Arbrit. Siç thuhet edhe në deklaratën e kompanisë, tuneli nuk është hapur, por është në hapat e fundit, ku po bëhen përforcimet e nevojshme për sigurimin e kantierit dhe të personelit. Sipas kompanisë “Gjoka”, prezantimi publik i hapjes së tunelit, por jo i përfundimit të punimeve, do të jetë në ditët në vijim.

Investimi më i rëndësishëm në tunelin e Murrizit vazhdon të mos jetë funksional edhe një vit e gjysmë pas skadimit të afatit fillestar.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i’u përgjigjur interesit të BIRN në tetor të këtij viti, bëri të ditur se po përgatitej një amendim i dytë i kontratës koncesionare për ndërtimin e rrugës së Arbrit, duke parashikuar si afat të ri përfundimin në pranverën e vitit 2025.

Edhe në ato segmente të rrugës së Arbrit që konsiderohen të përfunduara, cilësia e punimeve dhe siguria rrugore janë jashtë çdo standardi, siç është deklaruar edhe nga ekspertë të ndryshëm të fushës.

Në projektbuxhetin e vitit 2024, qeveria parashikon që për koncesionin e rrugës së Arbrit do të paguhen mbi 3.5 miliardë lekë. Rruga e Arbrit në total pritet ti kushtojë qytetarëve 40.3 miliardë lekë, me pagesa që do të vijojnë deri në vitin 2031. Qytetarët kanë paguar sakaq 15 miliardë lekë, ndërsa kompania sipërmarrëse ka dështuar deri më sot të dorëzojë objektin sipas kontratës. Dhe jo vetëm kaq, por e njëjta kompani ka zhvilluar punimet në terren edhe për tenderin “rivitalizimi i skarpatave”, në Plan të Bardhë dhe Shkallën e Tujanit, gjë që efektivisht është shtesë me afro 20 milionë euro mbi shtesën e kontratës për ndërtimin e rrugës.

Drejtësia “mbyll” sytë dhe veshët për koncesionin e rrugës së Arbrit

Disa nga koncesionet e dhëna nga qeveria Rama ndër vite kanë përfunduar në dyert e drejtësisë. Ndërtimi i rrugës së Arbrit nëpërmjet formës koncesionare me Partneritet Publik-Privat me kompaninë “Gjoka” ka nisur që në vitin 2018-të. Bazuar në “Ligjin për të Drejtën e Informimit”, Bulqizaime.al ju drejtua më 27 nëntor 2023 Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK duke kërkuar informacione nëse ka kallëzime penale ose hetime lidhur me koncesionin e rrugës së Arbrit ose administratorëve të kompanisë “Gjoka 87” dhe “Gjoka Konstruksion”, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk morëm përgjigje.