Në qytetin e Dibrës së Madhe, banesat e vjetra qytetare rrezikojnë shembjejen. Aktualisht, vetëm shtatë prej këtyre banesave gjenden në qytet, por fatkeqësisht edhe ato po degradohen çdo ditë e më shumë. Këto shtëpi, të cilat përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit, janë ndër të fundit që kanë mbetur nga shumë të tilla që dikur zbukuronin Dibrën.
Ekspertët e fushës theksojnë se një nga faktorët kryesorë që po sjellin degradimin e këtyre banesave është mungesa e ndërhyrjes nga institucionet e kulturës. Këto institucione, të cilat janë përgjegjëse për mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve, nuk kanë burime të mjaftueshme financiare dhe logjistike për të përmbushur misionin e tyre.
Përveç kësaj, mungesa e bashkëpunimit me pronarët e këtyre banesave është një tjetër faktor. Shumë pronarë, për shkak të mungesës së fondeve apo të interesit, por edhe largimit në emigracion nuk kanë mundësi të mirëmbajnë dhe restaurojnë shtëpitë e tyre.
Një nga mënyrat më të efektshme për të restauruar dhe për të mbajtur këto shtëpi është kthimi i tyre në muze, bujtina, hotele ose restorante. Ky transformim jo vetëm që do të ndihmojë në ruajtjen e tyre, por gjithashtu mund të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetit. Kthimi i këtyre banesave në destinacione turistike do të tërhiqte vizitorë dhe do të stimulonte ekonominë lokale. Përpjekjet për të ruajtur dhe për të promovuar këto monumente kulturore do të ndihmojë në ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.
Godinat që gëzojnë statusin e monumentit të kulturës, njihen me mbiemrat e familjeve që i kanë ndërtuar dhe që kanë jetuar në to për vite me radhë. Këto shtëpi, jo vetëm që përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe kulturës së Dibrës, por edhe janë dëshmi e stilit unik arkitekturor dhe mënyrës së jetesës së banorëve të zonës në periudha të ndryshme historike.
Në Bashkimin Evropian dhe në shumë vende të tjera të botës, ruajtja e ndërtesave historike është një prioritet. Në shumë qytete evropiane, ndërtesat historike janë restauruar dhe janë kthyer në qendra kulturore ose objekte komerciale, të cilat jo vetëm që ruajnë trashëgiminë kulturore, por gjithashtu kontribuojnë në zhvillimin ekonomik lokal. Fondet e dedikuara, bashkëpunimi publik-privat dhe incentivat financiare për pronarët janë disa nga praktikat që kanë rezultuar të suksesshme në ruajtjen dhe revitalizimin e këtyre monumenteve kulturore.