Rrjeti i amortizuar i ujit të pijshëm, rrezik për shëndetin e banorëve të Bulqizës

1139
Depozitë uji në Zerqan

ARKIVA: Janar 2018 | citizens-channel.com

Bulqiza përveç pasurisë nëntokësore të kromit është e rrethuar edhe nga burime të shumta ujore, por qyteti përballet me orë të zgjatura të mungesës së ujit të pijshëm.

Në vitin 2013-të nisën punimet për sistemimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm të lagjes së vjetër në Bulqizë, investim i cili e çoi deri në 12 orë furnizimin me ujë. Por që shumë shpejt orari i furnizimit me ujë u shkurtua. Sot nuk kalon më shumë se 7 orë në ditë, kjo për shkak të punimeve me cilësi të ulët që janë bërë në rrjet dhe ndërhyrjeve të jashtëligjshme.

Por më problematike situata paraqitet në Lagjen e Re, ku që prej vitit 1985 kur është ndërtuar si bllok banimi, në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm nuk është investuar asnjëherë. Burime të Citizens Channel bëjnë me dije se aktualisht humbet afro 70% e ujit dhe vetëm 30% shkon tek konsumatorët.

Ujësjellës Sh. a Bulqizë, arrin të grumbullojë afro 50% të pagesës së ujit nga abonentët familjarë dhe 70-80% nga biznesi, por që këto të ardhura nuk mbulojnë më shumë se pagat që shkojnë për personelin e saj, me afro 40 persona të punësuar.

Banorët e Bulqizës kanë protestuar disa herë për mungesën e ujit, por zëri i tyre nuk është marrë parasysh. Pyetur nga Citizens Channel, banorët akuzojnë ndërmarrjen e ujësjellësit, e cila nuk është në gjendje të menaxhojë situatën, pasi sipas tyre është e pa pranueshme që në qytetin e Bulqizës të mos ketë ujë, kur Bulqiza zotëron burime të bollshme ujore.

Sa i sigurtë është uji me të cilin furnizohen banorët e Bulqizës?

Për të pasur një cilësi të mirë të ujit, siguria duhet të fillojë që nga veprat e marrjes së ujit të pijshëm. Citizens Channel ishte pranë depozitës së ujit të pijshëm në lagjen “Çupe”, nga ku furnizohet një pjesë e Bulqizës. Depozita ishte ndërtuar në qendër të kësaj lagjeje dhe e rrethuar me banesa. Por çfarë përcakton ligji për sigurinë e veprave të marrjes së ujit?

Sipas ligjit nr. 111/2012 neni 57 për zonat e mbrojtjes higjieno-sanitare, pika b përcaktohen kriteret. Zona e mbrojtjes së afërt, brenda së cilës ndalohen ndërtimet, zhvillimi i industrisë, kryerja e veprimtarive bujqësore e blegtorale, hapja e puseve, hapja e kanaleve, depozitimi apo shkarkimi i ndotjeve, ujërave të ndotura, substancave kimike e toksike, përdorimi i plehrave kimike dhe pesticideve, përdorimi si varrezë apo groposja e kafshëve të ngordhura.

Në rastin konkret, nga depozita në të cilën furnizohet me ujë një pjesë e qytetit një ligj i tillë nuk gjen zbatim, pasi gjendet e rrethuar nga haure, toka bujqësore dhe ndërtesa duke u kthyer në një rrezik potencial për shëndetin e banorëve.

Sipas ligjit në fjalë, personat fizikë dhe juridikë, interesat e të cilëve dëmtohen nga përcaktimi i zonave të mbrojtjes higjieno-sanitare, kompensohen sipas dispozitave të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë.

Drejtoria e Shëndetit Publik ka për detyrë që të bëjë monitorimin e jashtëm që përfshin kontrollin higjienosanitar të objekteve të veprës së ujësjellësit, verifikimin e kryerjes së monitorimit të brendshëm dhe analizimin e rezultateve të këtij monitorimi, kontrollin e zonave të mbrojtjes sanitare, kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm në rrjetin shpërndarës të ujësjellësit etj.

Vepra e marrjes se ujit, ku furnizohet Lagjia e Re Bulqizë. Foto: Sami Curri

Në Lagjen e Re, banorët tregojnë për Citizens Channel edhe për ndotjen e ujit në vitin 2015-të. Sipas tyre, uji vinte i ndotur, me erë të rëndë , nuk mund të përdorej për t’u pirë dhe as për larje, pasi nëse përdorej i ngrohtë lëshonte një erë tejet të rëndë.

Eksperti i ujërave nga EcoAlbania, Olsi Nika, i pyetur nga Citizens Channel për rastin në fjalë shprehet: “Nuk ka asnjë të keqe që në veprën e marrjes të ketë aktivitet njerëzor. Por poshtë duhet të ketë patjetër impiantin e filtrimit të ujit, që duhet të ruhet në kushte shumë të rrepta sigurie, sipas kuadrit ligjor. Pasi nëse nga një vepër e tillë e marrjes së ujit, ku më mirë le të themi depozitë uji, të kaloj tek konsumatori, kjo po që është një situatë shumë e rrezikshme për cilësinë e ujit dhe më pas sigurinë e banorëve që konsumojnë ujin nga kjo vepër marrje”, u shpreh Nika për Citizens Channel.

Në deklarimin e tij për Citizens Channel, drejtori i “Sh.A Ujësjellës Bulqizë”, Nedion Muça shprehet se institucioni që ai drejton është në pamundësi finaciare për të investuar. Madje edhe ato pak investime që janë bërë në rrjet, kanë pasur një mbështetje sa nga biznesi që operon në Bulqizë dhe sa nga financat e tyre.

Sipas Muçës, nëse do të ishim përballë një situate ku rrjeti ekzistues nuk do të lejohej për furnizimin e banorëve me ujë, ky institucion nuk disponon një mjet të dytë alternativ për furnizimin e banorëve me ujë.

Gjithashtu nga Spitali i Bulqizës, mësohet se në fillim të muajit shkurt 2017 ka pasur një valë shtrimesh , me shenja të helmimit nga uji. Një tjetër rast i helmimit masiv që dyshohej të ishte nga uji i pijshëm erdhi nga fshati Ostreni i Madh, ku siç bëjnë të ditur burime nga policia, afro 55 dasmorë kanë përfunduar në spital të helmuar.

A ka një skemë të rrjetit shpërndarës dhe ujërave të zeza dhe të bardha?

Citizens Channel ka mësuar se “Ujësjellës Sh. a Bulqizë” nuk ka një skemë të saktë të rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm në Bulqizë. Një gjë e tillë deklarohet edhe nga Drejtori i Shëndetit Publik në Bulqizë, Flamur Meta.

Ai deklaron se institucioni që ai drejton nuk ka një skemë të plotë të rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm në Bulqizë. Gjithashtu edhe një pikë tjetër janë zonat më problematike përsa i përket ndotjes, ku gjithashtu mungon edhe skema e rrjetit të ujërave të zeza.

Si veprohet me njësitë administrative?

Përballë një situate të tillë, Ndërmarrja e Ujësjellësit në Bulqizë ka “ngritur duart lart”. Me reformën territoriale, prej fillimit të vitit 2016-të duhet të kishte marrë në menaxhim edhe ujësjellësat e fshatrave, ku përpos njësisë administrative Shupenzë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma. Situata  në fshatra paraqitet e vështirë, ku banorët në masën dërrmuese kanë investuar vetë për shtrimin e tubacionit që i furnizon me ujë. Sipas drejtorit të “Ujësjellës Sh.A Bulqizë” mësohet se në fillim të vitit 2018-të mund të merren në dorëzim edhe ujësjellësat e njësive administrative.

Fshati Zerqan. Foto: Sami Curri

Citizens Channel ishte në njësinë administrative Zerqan të bashkisë Bulqizë, për të parë rrjetin shpërndarës. Pamjet janë tmerruese, ashtu si në shumicën e ujësjellësave në fshatrat e Bulqizës, ku lehtësisht mund të futesh në depozitat e shpërndarjes së ujit të pijshëm, që kanë vite që janë lënë në mëshirë të fatit, pa as edhe më të voglin investim dhe jashtë çdo rregulli për higjienën. Edhe Drejtoria e Shëndetit Publik në Bulqizë, nuk bën matje për cilësinë e ujit në fshatra, por vetëm në qytet. Sipas drejtorit të DSHP Bulqizë, Flamur Meta, analizat bëhen vetëm për bizneset ose në ato raste kur ka një indicie për cilësinë e ujit.

Banorët e Zerqanit, pyetur nga Citizens Channel deklarojnë se për ujin e pijshëm kanë shkuar deri në konflikte me njëri – tjetrin, pasi ndërhyjnë në tubacionin shpërndarës. Këta të fundit deklarojnë se janë harruar totalisht nga pushteti vendor dhe se edhe për më të voglin dëmtim në rrjetin e shpërndarjes, janë të detyruar të investojnë vetë.

Ky shkrim është publikuar në Janar të vitit 2018-të, autor Sami Curri
https://citizens-channel.com/2017/10/27/rrjeti-i-amortizuar-i-ujit-te-pijshem-rrezik-per-shendetin-e-banoreve-te-bulqizes/