Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë në fushën e mjedisit: Ndërtimi HEC-eve me pjesëmarrjen dhe konsultimin e publikut

627
Lumi Seta 4, tubacioni i HECIT SETA 4. Foto MSG promotion

Komisioni Europian botoi raportin vjetor të përparimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë. Në to rekomandohej hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë “në sajë të përparimit të arritur, duke ruajtur dhe thelluar hovin aktual të reformave”. Në raport një vend të rëndësishëm kishin edhe problematikat mjedisore me të cilat përballet Shqipëria, veçanërisht sa i përket investimeve në HEC-e, Në raportin e Komisionit Europian kërkohet që ndërtimi i HEC-eve të jenë në përputhje me detyrimet kombëtare dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimit të ujit, të sigurojnë pjesëmarrjen dhe konsultimin e publikut.

Gjetjet kryesore të Raporti të Përparimit 2019

Për problematikat kryesore në fushën e mjedisit:

1. Zbatimi i Direktivës së Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) duhet të forcohet, veçanërisht në sektorin e HEC-eve dhe minierave;
2. Janë lëshuar leje për ndërtimin e disa hidrocentraleve të reja dhe rezorteve turistike në zonat e mbrojtura, dhe ka shqetësime që kanë të bëjnë me cilësinë e VNM-ve dhe pjesëmarrjen e publikut;
3. Nevojiten më shumë përpjekje për të arritur pjesëmarrje dhe konsultim efektiv të publikut në proçesin e vendimmarrjes, veçanërisht në nivel lokal;
4. Mungesa e nën-akteve ligjore pengon vlerësimin e përgjegjësisë mjedisore për dëmtimin e mjedisit;
5. Zëvendësimi i stafit ka dobësuar kompetencat e inspektorateve për të kryer funksionet e tyre;
6. Agjencia e mjedisit duhet të kryejë monitorim të rregullt të industrive dhe instalimeve të cilat potencialisht lëshojnë sasi të mëdha të ndotësve në ajër;
7. Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të reduktuar përmbajtjen e squfurit tek lëndët djegëse;
8. Ndërtimi i një inceneratori në Elbasan dhe fillimi i proçedurave për ndërtimin e dy incineratorëve në Tiranë dhe Fier paraqesin shqetësime në lidhje me përputhshmërinë me Direktivat e BE-së për Mbetjet, parimin e hierarkisë së mbetjeve me djegien si alternativë më pak e preferuar për menaxhimin e mbetjeve dhe me objektivat e BE për riciklimin;
9. Duhen zgjeruar rrjetet e ujërave të zeza dhe për të ndërtuar impiantet e reja të trajtimit, veçanërisht në zonat urbane, bregdetare dhe turistike;
10. Kufizimet e kapaciteteve pengojnë progresin në zbatimin e legjislacionit për parandalimin e aksidenteve të mëdha që përfshijnë kimikate të rrezikshme;
11. Planet e menaxhimit të pellgjeve lumore duhet të miratohen menjëherë;
12. Ligji për Investimet Strategjike i vitit 2016 ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura, përkatësisht në Parkun Kombëtar të Divjakës dhe në Vjosë-Nartë, në kundërshtim me ligjet ekzistuese kombëtare dhe konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit që Shqipëria ka ratifikuar;
13. Duhet te zbatohet ligji në mënyrë që të garantohet mbrojtja e pyjeve;
14. Investimet në hidrocentrale duhet të jenë në përputhje me detyrimet kombëtare dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimit të ujit, të sigurojnë pjesëmarrjen dhe konsultimin e publikut dhe të garantojnë një cilësi të lartë të VNM e që përfshijnë vlerësimet e ndikimit mbi natyrën dhe biodiversitetin;
15. Kapaciteti zbatues i inspektoratit të mjedisit është shumë i kufizuar;
16. Nuk ka një strategji për mbrojtjen civile;
17. Nuk ka ndonjë strukturë administrative specifike për trajtimin e çështjeve të ndryshimeve klimatike;
18. Përpjekje të mëtejshme duhet të bëhen në standardet e emetimeve nga makinat;
19. Nevojiten përpjekje të mëdha për kufizimin e gazeve serrë nga përdorimi i tokës, ndryshimi i përdorimit të tokës dhe PYJET;
20. Nevojitet forcim i konsiderueshëm i kapaciteteve administrative, financiare si dhe aktivitete ndërgjegjësuese lidhur me ndryshimet klimatike.

Për situatën politike:

– Vazhdon polarizimi i fortë i situatës politike. Aktiviteti i parlamenti është ndikuar nga bojkoti i zgjatur i partive të opozitës, të cilat dorëzuan në bllok mandatet parlamentare në shkurt 2019.

– Më shumë se gjysma e mandateve të dorëzuar janë ridhënë nga KQZ për personat e tjerë në listën e partive. Kuorumi për funksionin e plotë të parlamentit u ruajt.

– Mosmarrëveshja e partive të opozitës ka ndikuar në përpjekjet dypalëshe për kryerjen e reformës zgjedhore, pavarësisht përpjekjeve të shumicës për të çuar përpara procesin. Partitë e opozitës duhet të riangazhohen në institucionet demokratike.

– KE rekomandon që Shqipëria duhet të përmirësojë transparencën dhe kontrollin në financimin e partive politike.

Për reformën zgjedhore:

– Nuk është bërë shumë progres për të adresuar dhe plotësuar rekomandimet e OSBE/ODHIR për reformën zgjedhore.

– Është ngritur një komision i ri parlamentar ad hoc në tetor 2018 por komisioni ka punuar me ndërprerje. Në mungesë të konsensusit mes shumicës dhe opozitës, propozimet e njëanshme të qeverisë u paraqitën në tetor 2018 dhe përsëri në dhjetor 2018, por asnjë vendim nuk u mor.

Për reformën në drejtësi:

– Shqipëria ka bërë përparim në zbatimin e reformës në drejtësi. Formimi i institucioneve të reja si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi janë një hap kyç në forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit. Rezulatet e prekshme të procesit të vetingut kanë forcuar pavarësinë, paanësinë, profesionalizmin, dhe llogaridhënien e gjyqësorit.

– Gjykata Kushtetuese duhet të kishte nëntë anëtarë, por vetëm një prej tyre ka mbetur për shkak të dorëheqjeve, daljeve në pension dhe procesit të vetingut. Procesi për të plotësuar vendet e lira filloi pas krijimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Për luftën kundër krimit të organizuar:

– Policia ka shtuar operacionet për të shpartalluar organizatat kriminale.

– Shqipëria ka treguar vazhdimisht një angazhim të fortë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Në dy sezonet e kaluara, nga mbikëqyrja ajrore nuk është gjetur pothuajse asnjë plantacion kanabisi në zona të hapur në Shqipëri.

– Duhen bërë më shumë përpjekje për ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar të kriminelëve dhe konfiskimin e parave që vijnë nga veprimtaritë kriminale.

– Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti: të bëjë përparim të dukshëm në shpërbërjen efektive të grupeve të krimit të organizuar, të marrë masa dhe të japë dënime parandaluese,të luftojë të ardhurat nga krimi duke konfiskuar pasuritë, të miratojë një strategji dhe plan veprimi të ri për drogat dhe të intensifikojë luftën kundër trafikimit të drogave të rënda.

Për luftën kundër korrupsionit:

– Shqipëria ka arritur rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, përfshirë edhe procesin e vetingut, i cili ka sjellë dorëheqjen e një sërë magjistratësh të lartë, përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

– Në përgjithësi, korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese.

Për ekonominë:

– Ekonomia shqiptare u rrit, por papunësia mbetet ende e lartë.

– Borxhit publik është ulur, por ritmi i konsolidimit fiskal është i ngadalshëm.

– Klima e të bërit biznes është përmirësuar vetëm në disa aspekte. Kapaciteti i Shqipërisë për kërkime, zhvillim dhe inovacion mbetet shumë i ulët.

– Rritja e transparencës dhe llogaridhënies, në veçanti të sistemit të prokurimit publik dhe menaxhimit të financave publike, mbetet ende thelbësore.

Për emigracionin:

– Pavarësisht se këtë vit numri i aplikimeve të pabaza për azil të shtetasve shqiptarë në BE është ulur, shifrat sërish mbeten të larta dhe kërkojnë përpjekje të vazhdueshme dhe të qendrueshme nga qeveria, në veçanti për të adresuar fenomenin e emigrimit të fëmijëve të pashoqëruar.

Për lirinë e shprehjes dhe pronës:

– Shqipëria duhet të sigurojë zbatimin e Kodit të Punës, të forcojë mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve shqiptarë, si dhe të sjellë në standardet europiane ligjet për transparancën e pronësisë së medias dhe kufizimet e saj.

– Po ashtu, nevojiten më shumë përpjekje për të konsoliduar të drejtat e pronës.

Kliko – Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2019