Gjykata e Dibrës për vitin 2025: Më pak çështje të reja, drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt kryeson veprat penale, divorcet dominojnë çështjet civile

396
Godina e Gjykatës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër. Foto: Bulqizaime.al

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër ka publikuar analizën vjetore të punës për vitin 2025, ku evidentohen të dhëna mbi kriminalitetin, funksionimin e drejtësisë, ngarkesën e gjyqtarëve dhe problematikat infrastrukturore të institucionit.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 në këtë gjykatë janë shqyrtuar gjithsej 1702 çështje gjyqësore, ndërsa 506 çështje kanë mbetur pa përfunduar dhe janë mbartur për vitin 2026. Nga totali, 1043 kanë qenë çështje penale dhe 659 çështje civile.

Analiza tregon se kriminaliteti në qarkun Dibër vijon të dominohet nga veprat penale që lidhen me drejtimin e automjeteve në mënyrë të parregullt, dhunën në familje, ndërtimet pa leje dhe narkotikët.

Vetëm për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” janë shqyrtuar 67 raste gjatë vitit 2025, duke mbetur kategoria me numrin më të lartë të procedimeve penale në gjykatë.

Një tjetër fenomen shqetësues mbetet dhuna në familje. Sipas raportit janë shqyrtuar 26 raste të kësaj natyre, ndërsa vetë gjykata pranon se numri real mund të jetë më i lartë, pasi shumë viktima kërkojnë vetëm urdhër mbrojtjeje dhe jo ndjekje penale të autorëve.

“Fenomeni i dhunës në familje vazhdon të mbetet shqetësues”, thuhet në analizën e gjykatës, ku kërkohet ndërhyrje më e madhe nga institucionet për të parandaluar rastet e dhunës.

Ndërkohë, janë shqyrtuar edhe 21 raste për “Ndërtim të paligjshëm”, 9 raste për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, si dhe 2 raste për “Kultivim narkotikësh”.

Në raport evidentohet gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë gjykuar edhe çështje të rënda penale, përfshirë një rast “Vrasje me paramendim”, një rast “Vrasje në rrethana cilësuese”, si dhe një dënim me burgim të përjetshëm.

Nga vendimmarrjet e gjykatës rezulton se gjatë vitit të kaluar janë dënuar 268 persona, ku 252 prej tyre meshkuj dhe 16 femra. Për 11 persona është dhënë pafajësi, ndërsa për 27 raste është vendosur pushimi i çështjes penale.

Një tjetër element që bie në sy në analizë është përdorimi i lartë i masës së sigurisë “Arrest me burg”. Nga 109 masa sigurie të caktuara gjatë vitit 2025, plot 59 kanë qenë arrest me burg, ose rreth 64 për qind e totalit.

Vetë gjykata pranon në raport se kjo tendencë bie ndesh me rekomandimet e Këshilli i Europës për kufizimin e përdorimit të paraburgimit, duke theksuar se paraburgimi duhet të konsiderohet përjashtim dhe jo rregull.

Sipas të dhenave gjatë vitit 2025 Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër ka aplikuar në 197 raste dënime alternative ndaj personave të dënuar, ku më i përdoruri mbetet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në provë, me 170 raste. Ndërkohë, në 27 raste është dhënë dënimi me punë në interes publik, ndërsa nuk është aplikuar asnjë rast me “gjysmë liri”. Të dhënat tregojnë se gjykata ka favorizuar masat alternative për veprat me rrezikshmëri më të ulët shoqërore.

Raporti evidenton edhe problematika serioze infrastrukturore. Gjykata disponon pesë salla gjykimi, por vetëm katër janë funksionale. Salla e dedikuar për çështjet e të miturve është kthyer në arkiv për shkak të mungesës së ambienteve.

Po ashtu, vetëm një sallë është e përshtatshme për zhvillimin e proceseve me persona të arrestuar apo të paraburgosur, situatë që sipas gjykatës shkakton vonesa dhe përplasje të orareve të seancave.

Në analizë thuhet gjithashtu se pozicioni i kryetarit të gjykatës ka qenë vakant gjatë gjithë vitit 2025 dhe funksionet janë ushtruar nga zëvendëskryetari.

Nga ana tjetër, ngarkesa më e madhe civile vijon të lidhet me konfliktet familjare. Gjatë vitit 2025 janë shqyrtuar 265 padi për zgjidhje martese, si dhe 69 kërkesa për urdhër mbrojtjeje dhe urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje.

Një pjesë e konsiderueshme e volumit të punës lidhet edhe me IEVP Burrel, pasi në juridiksionin e gjykatës përfshihet burgu i Burrelit. Vetëm për të drejtat e të dënuarve me burgim, përfshirë kërkesat për ulje dënimi, transferime apo kundërshtime masash disiplinore, janë shqyrtuar 102 kërkesa.

Sipas të dhënave të raportit, shumica e vendimeve të ankimuara në Apel janë lënë në fuqi, ndërsa vetëm një përqindje e vogël është ndryshuar ose kthyer për rigjykim.