Publikohet deklarata e pasurisë së kryetarit të bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi

1907

Autor: BIRN   Tiranë

Kryetari i bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi dështon në testin aritmetik-logjik në të paktën 2 vite të karrierës së tij, ndërkohë investimi dhe të ardhurat e tij në një fabrikë për ambalazhimin e ujit janë të turbullta.

Melaim Damzi u zgjodh kryetar i bashkisë Bulqizë në vitin 2015-të si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, me mbështetjen e Aleancës për Shqipërinë Europiane, duke siguruar 56.25 % të votave.

I diplomuar si mjek në Universitetin e Tiranës, Damzi është specializuar si kirurg nga viti 1997 deri në vitin 2001. Nga viti 1991 deri në vitin 1996 ai ka punuar si mjek i përgjithshëm në Spitalin e Bulqizës dhe pas specializimit në vitin 2001 deri në vitin 2013 si kirurg në Spitalin Rajonal Peshkopi. Brenda kësaj periudhe Damzi ka mbajtur 2 herë postin e Drejtorit të Spitalit Rajonal Peshkopi, respektivisht në vitet 2004 – 2005 dhe 2012 –2013. Nga viti 2013 deri në vitin 2015-të ai ka mbajtur funksionin e Prefektit të Qarkut Dibër.

Karriera politike e Z. Damzi fillon në vitin 2007, kur ai emërohet sekretar i Partisë Socialiste Dibër. Në vitin e 2012 ai kalon tek Lëvizja Socialiste për Integrim, nën logon e secilës zgjidhet dhe kryetar bashkie i Bulqizës në vitin 2015-të.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve të bashkive të vendit në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë familjare të deklaruar nga kryebashkiaku Damzi nga viti 2012 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Kryetari i bashkisë së Bulqizë deklaron një pasuri familjare në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2012 në vlerën 22 milion lekë. Në 31 dhjetor 2017, pasuria e deklaruar familjare e kryetarit të bashkisë Bulqizë arrin vlerën 29.5 milionë lekë – duke regjistruar një rritje mesatare vjetore prej 1.2 milionë lekë.

Kjo pasuri përbëhet në vitin 2017-të nga 1.5 milionë lekë likuiditete bankare, një automjet Land Rover me vlerë 600 mijë lekë dhe pasuri të paluajtshme me vlerë 27.4 milionë lekë.  Pasuria e paluajtshme e Damzit përbëhet nga një apartament 67 m2 dhe vlerë 3.5 milionë lekë, një ndërtesë 275 m2 dhe truall 1400 m2, me vlerë 15.5 milionë lekë, si dhe një apartament tjetër me vlerë 8.4 milionë në Tiranë.

Gjatë periudhës së deklarimit Damzi ka pasur të ardhura në vlerën 9. 2 milionë lekë, nga të cilat 8.9 milionë lekë ose 96 % vijnë si rrjedhojë e pagës për shkak të funksionit dhe pagës së bashkëshortes.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 6 vite të deklarimit, nga të cilat 2 vite deklarimi dolën me probleme dhe 4 pa probleme.  Subjekti rezulton me pasuri të pajustifikuar në vitin 2013 dhe 2014 përkatësisht në shumat 815,584 lekë dhe 6,128,000 lekë (pa marrë në konsideratë shpenzimet e konsumit jetik për familje).

Nga analiza cilësore e deklaratave rezulton gjithashtu se subjekti në deklarimin për herë të parë (ka deklaruar pasurisë si Drejtor i Spitalit Peshkopi), ka deklaruar ndërtesë 1 katëshe me sipërfaqe 275 m2 dhe truall 1500m2 , ndërtuar në vitin 2006-2007 për një “fabrikë për prodhim ujrash të gazta” dhe zotëron 80% të shoqërisë “A-Korabi’. Lidhur me këtë objekt, subjekti ka deklaruar pjesërisht burimin për investimin e kryer nga një hua nga të tretë në shumën 6 milionë lekë.

Në vitin 2014 është marrë hua shtesë në shumën 2 milionë lekë. Gjatë periudhës deklaruese subjekti nuk ka sqaruar nëse është ushtruar aktivitet tregtar apo nëse janë përfituar të ardhura nga ky investim. Në vitin 2017 është deklaruar shitja e kuotave të shoqërisë së regjistruar A-Korabi’ me çmim 80,000 lekë. Që nga viti 2008, Damzi rezulton gjithashtu i regjistruar si person fizik me emrin tregtar ‘Korabi’, me objekt ambalazhim dhe paketim uji – regjistrim që nuk është deklaruar në deklaratën e interesave private.

Për vitin 2013 dhe 2014, subjekti Melaim Damzi ka deklaruar pasurinë si Prefekt i Qarkut Dibër,  por në asnjërën nga deklaratat e pasurisë për këto dy vite nuk ka deklaruar të ardhura nga detyra e prefektit. Për huanë e marrë nga të tretët, rezulton se nuk është shlyer deri më datë 31.12.2017 shuma prej 4 milionë  lekë.

Deklarata para fillimit të detyrës 2012

Deklarata e pasurisë 2012

Deklarata para fillimit të detyrës 2013

Deklarata  pasurisë 2013

Deklarata  pasurisë 2014

Deklarata  pasurisë 2015

Deklarata  pasurisë 2016

Deklarata  pasurisë 2017