Kriza demografike, në qarkun Dibër ulen me 19% lindjet për tremujorin e parë 2023

622
Foto ilustruese nga faqja në Facebook Këtu Mblidhen Dibranët

Këtë fillim-vit lindën më pak bebe se asnjëherë më parë në së paku 30 vitet e fundit dhe pjesës më të madhe të regjimit komunist.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve janar-mars erdhën në jetë 5 mijë e 164 foshnje nga mbi 6 mijë e 200 në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë duke regjistruar kështu një tkurrje me gati 17 për qind në rang vendi.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 3-mujorin e parë të vitit humbën jetën 5 mijë e 557 vetë, në rënie me mbi 31 për qind krahasuar me një vit më parë, kur pandemia konsiderohej ende pjesërisht aktive.

Por, ndonëse numri i vdekjeve u ul, shtesa natyrore e popullsisë u mbyll negativisht. Në tre muaj vendi regjistroi së paku 393 individë, pa përfshirë këtu ata që emigrojnë. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se qarku me numrin më të lartë të lindjeve në harkun e muajve janar-mars është Tirana me 1 mijë e 939 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 77 lindje.

Dibra me tregues negativ për lindjet

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve janar-mars, në qarkun Dibër erdhën në jetë 229 bebe, ose 19.1% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022. Në tremujorin e parë 2023, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2022.

Qarku me numrin më të lartë të vdekjeve është Tirana me 1.358 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Kukësi me 132 vdekje. Ndërsa në qarkun Dibër janë regjistruar 227 vdekje, ose afro 24% më pak krahasuar me tremujorin e pare të vitit 2022. Shtesa natyrore e popullsisë në qarkun Dibër ishte 2 lindje më shumë se vdekje.

Të dhënat e lindjeve sipas karakteristikave bazë demografike sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, e cila dërgon në INSTAT vetëm numrin e lindjeve të banuesve në Shqipëri. Konsiderohen të gjitha lindjet e banuesve në Shqipëri gjatë periudhës referencë, duke mos marrë parasysh lindjet e banuesve jashtë Shqipërisë (emigrantëve), edhe pse mund të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile, pranë ish-vendbanimeve të tyre.

OKB: Në vitin 2100, Shqipëria pritet të ketë popullsinë më të plakur në botë

Shqipëria është ende sot një nga popullsitë më të reja në Europë, me një moshë mediane (mesorja që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta) prej 38.2 vjeç, por pas disa dekadash pritet që të jetë popullsia më e plakur, jo vetëm në Europë, por në të gjithë globin.

Llogaritjet janë bërë nga njësia e përpunimit të të dhënave “Visual Capitalist”, që ka analizuar të dhënat e divizionit të popullsisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Sipas parashikimeve, 49% e popullsisë së Shqipërisë do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2100, pesha më e lartë në botë dhe dyfishi i mesatares globale deri në atë vit.

Grafiku i publikuar nga Visual Capitalist përdor të dhëna nga parashikimet e Popullsisë Globale nga Kombet e Bashkuara për të dhënë rritjen e popullsisë së moshuar në botë.
Në vitin 2022, sipas raportit., kishte 771 milionë njerëz të moshës 65+ vjeç në të gjithë botën, që përbënin pothuajse 10% të popullsisë botërore.

Në vitin 1950 mosha mesatare e popullsisë ishte 19.2 vjeç, ndërsa në 2022 arriti në 38.2 vjeç, sipas INSTAT. OKB parashikon që në vitin 2100, mosha mediane do të arrijë në 63.3 vjeç, që do të thotë që gjysma e popullsisë në vend do të jetë mbi 63 vjeç. (shiko grafikun: Mosha mediane, Shqipëria, 1950-2100).

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT në 1 janar 2022 popullsia banuese në Shqipëri ishte 2,793,592 banorë. Ndonëse ka kaluar afati në kalendarin e publikuar nga INSTAT, nuk është bërë ende publike popullsia në 1 janar 2023.

Të dhënat indirekte tregojnë se tkurrja mund të jetë e fortë për dy arsye. Së pari shtesa natyrore në vitin 2022 ishte vetëm 690 lindje më shumë se vdekje.
Së dyti, emigracioni është rritur ndjeshëm në 2022, teksa vetëm kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar ishin rreth 32 mijë, niveli më i lartë që nga viti 2015.