Drejtuesja e Prokurorisë Dibër, Esmeralda Keshi përballet me vetingun

883
Esmeralda Keshi (cami), drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Dibër. Foto: BIRN

Autor: Edmond Hoxhaj  BIRN

Drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës, Esmeralda Keshi (Cami) u përball të hënën me vetingun gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në mesditë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku u evidentuan vetëm disa pasaktësi dhe mospërputhje për kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit. Trupa gjykuese përbëhej nga Pamela Qirko kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Firdes Shuli anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte John Leonardo. Keshi është vlerësuar nga KPK për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurisë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin,

Komisioni ka evidentuar si problematikë gjatë hetimit administrativ të subjektit blerjen e një sipërfaqe toke në Kamëz nga bashkëshorti me çmim me të ulët nga ai i tregut, si dhe mospërputhje të deklarimeve për bashkëpronësinë e saj dhe të bashkëshortit në dy apartamente. Në pesë dosjet e shortuara – si pjesë e vlerësimit profesional, KPK ka konstatuar disa pasaktësi, ndërsa për figurën prokurorja Keshi u vlerësua pozitivisht.

Sipas raportit të dorëzuar pranë KPK-së nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, prokurorja Keshi ka kryer deklarim të saktë të pasurisë, ka burime të ligjshme, nuk ka kryer fshehje apo deklarim të rremë dhe se nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Komisioni ka kryer një hetim të pavarur lidhur me deklarimin e pasurisë së prokurores Keshi. Relatorja Etleda

Çiftja tha se KPK nuk ka konstatuar problematika lidhur me deklarimet e disa llogarive bankare të saj dhe të bashkëshortit. Kështu, Komisioni ka vlerësuar se deklarimet e prokurores Keshi përputhen me konstatimet e hetimit lidhur me një llogari rrjedhëse të pasqyruar në deklaratën veting në vitin 2017 me gjendje 1.61 milionë lekë.

Komisioni gjeti pa probleme edhe deklarimin për një llogari kursimi të bashkëshortit me vlerë 930 mijë lekë dhe një tjetër llogari rrjedhëse të pagës po të bashkëshortit që në vitin 2017 ka pasur gjendjen 700 mijë lekë.

Ndërkohë, relatorja Çiftja u shpreh se janë konstatuar mospërputhje lidhur me pasqyrimin e dy pasurive në deklaratën veting, krahasuar ato me provat dhe të dhënat e siguruara nga hetimi administrativ. Prokurorja Keshi ka deklaruar në vitin 2017 bashkëpronësinë e një apartamenti 83 m2 në Bulqizë, me pjesë takuese 1/6, dhe si burim të kësaj pronësie, trashëgiminë ligjore. Por, nga verifikimi Komisioni ka konstatuar se ajo nuk figuronte bashkëpronare e këtij apartamenti në vitin 2016.

Komisioni ka konstatuar të njëjtën situatë, edhe lidhur me deklarimin e bashkëpronësisë së bashkëshortit të prokurores Keshi për një apartament 58 m2 në Bulqizë me pjesë takuese 1/16. Për këtë pasuri, bashkëshorti i prokurores Keshi ka shpjeguar se e kishte trashëguar nga babai, por Komisioni ka gjetur se bashkëshorti i prokurores Keshi nuk figuronte pronar i kësaj prone në momentin e deklarimit.

Relatorja Çiftja tha se prokurorja Esmeralda Keshi ka dhënë shpjegime lidhur me këto mospërputhje të cilat do të vlerësohen para marrjes së vendimit.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në deklarimin e përdorimit nga ana e prokurores Keshi të një automjeti tip “Benz” në pronësi të vëllait të saj. Keshi ka depozituar pranë Komisionit prova për burimin e krijimit të kësaj pasurie nga i vëllai, që sipas relatores Çiftja do të shqyrtohen para marrjes së vendimit.

Komisioni ka konkluduar se prokurorja Keshi kishte burime të ligjshme për përballimin e qirasë mujore të një apartamenti në Dibër në vlerën 13 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, nga hetimi është konkluduar se subjekti nuk ka dorëzuar dokumente që vërtetojnë kontratën e qirasë, por ka dorëzuar deklarimin e administratorit të apartamentit dhe prova të tjera që do të shqyrtohen.

Lidhur me një pronë tokë-arë me sipërfaqe 368 m2 në Bathore të Bashkisë Kamëz të blerë nga bashkëshorti i subjektit në vlerën e 103 mijë lekëve, komisioni ka konstatuar se ajo është përfituar me çmim më të ulët nga ai i tregut dhe nga ai i përcaktuar në VKM-në përkatëse. Si burim të krijimit të kësaj pasurie, prokurorja Keshi ka deklaruar pagat e bashkëshortit.

Komisioni ka konstatuar se Keshi nuk ka deklaruar gjendjen e pagës në vitin 2011 dhe bashkëshorti llogarinë e pagës për vitin 2014. Relatorja Çiftja pohoi se për këto gjetje subjekti ka deklaruar prova që do të shqyrtohen nga komisioni para marrjes së vendimit.

Ndërkohë, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dhe Komisioni nuk kanë evidentuar probleme për figurën, duke e vlerësuar prokuroren Esmeralda Keshi(Cami) si të përshtatshme për të vazhduar detyrën për këtë kriter.

Çiftja tha se, lidhur me aspektin profesional, Komisioni ka konstatuar disa pasaktësi e mangësi në pesë dosjet e shortuara. Ndërsa në denoncimet e kryera nga publiku nuk janë gjetur prova për vërtetësinë e pretendimeve të denoncuesve.

Në fund të seancës dëgjimore prokurorja Esmeralda Keshi(Cami) kërkoi konfirmimin e saj në detyrë. KPK do të shpallë vendimin më datë 19 qershor, ora 10:00.