Dështon sërish miratimi i ndihmës ekonomike në Këshillin e Bashkisë Bulqizë

417
Në foto: Salla e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak Bulqizë

Ka dështuar sërish miratimi i ndihmës ekonomike në Këshillin e Bashkisë Bulqizë, ku shkak për këtë është bërë mungesa e kourumit të anëtarëve të nevojshëm. Kjo është mbledhja e tretë e Këshillit të Bashkisë Bulqizë që ka dështuar për miratimin e ndihmës ekonomike.

Mbledhja edhe pse ishte parashikuar të niste në orën 11:00 ka filluar me 30 minuta vonesë për shkak se mungonte kourimi i nevojshëm prej 11 anëtarësh për mbledhjen e këshillit, që në rast se do të dështonte edhe këtë herë do të duhej të thirrej nga prefekti. Në këtë mbledhje të Këshillit të Bashkisë ka munguar për të disatën herë radhazi edhe Kryetari i Bashkisë, Melaim Damzi.

Pika e fundit e rendit të ditës ishte miratimi i ndihmës ekonomike, por që në sallë ishin vetëm 9 anëtarë nga 11 që kërkon korumi i nevojshëm. Në një situatë të tillë ka pasur diskutime mes këshilltarëve nëse duhej të prisnin të vinin edhe të tjerët apo të largoheshin edhe ata. Këshilltarët e majtë zgjodhën të largoheshin nga salla që çoi në mbylljen e kësaj mbledhje, duke mos e miratuar për të disatën herë listën e ndihmës ekonomike.

Gjithashtu në këtë mbledhje u diskutua për problemet e hasura në qarkullimin rrugor në qytetin e Bulqizës, ku për të raportuar ishte kërkuar pjesmarrja edhe e Shefit të Policisë Rrugore në Bulqizë. Nga këshilltarët u kërkua që Policia Rrugore dhe Bashkia Bulqizë të marrin masa për vendosjen e sinjalistikës rrugore në ato vende ku mungon si dhe disiplinimin e qarkullimit të makinave në Lagjen e Re.

Anëtarët e Këshillit të Bashkisë kërkuan edhe ndalimin e parkimit në rrugën përballë Komisariatit të Policisë Bulqizë, pasi kjo kthehet në pengesë për qarkullimin e furgonave që vijnë nga fshatrat. Një kërkesë e tillë ka kaluar për një studim nga ana e policisë dhe bashkisë.

Një raportim është bërë edhe nga Drejtori i Shërbimit Pyjor në Bulqizë, Lutfi Miftari për punën e bërë nga institucioni që ai drejton gjatë periudhës së zjarreve në pyje, por edhe për prerjet e pa ligjshme në pyje.

Sipas Miftarit rezulton se janë përshkruar nga flakët afro 527 hektarë, ku afro 21,5 hektarë janë djegur totalisht, kryesisht pisha me një sasi lënde drusore prej rreth 2, 875 m³ ku dëmi ekonomik kap vlerën e afro 1, 437, 000 lekë të reja. Miftari deklaroi se institucioni që ai drejton nuk ka pasur logjistikën dhe as stafin e nevojshëm për të ndërhyrë në terren.

Anëtarët e Këshillit të Bashkisë Bulqizë, shprehen se nga institucioni i Shërbimit Pyjor, por edhe nga Inspektoriati Pyjor në Bashkinë Bulqizë nuk është punuar aq sa duhet gjatë periudhës së zjarreve, por edhe me ndalimin e prerjes së pyjeve në mënyrë të pa ligjshme. Madje këshilltarët shkuan edhe më tej, duke i akuzuar inspektorët e Shërbimit Pyjor dhe Policinë Bashkiake për korrupsion në lidhje me prerjen e pyjeve.

Në këtë mbledhje ishte thirrur edhe Drejtori i Ujësjellësit në Bulqizë, Nedion Muça për të raportuar për mungesën e ujit të pijshëm në Bulqizë, por që ky i fundit për të dytën herë radhazi nuk është paraqitur.

/bulqizaime.al/