Ismail Keta kundër ndërtimit të HEC-it Shytaj: “Vendlindja nuk sakrifikohet për interesa private”

1126

Ismail Keta, sportist i njohur në boks me disa tituj, brenda dhe jashtë Shqipërisë, por edhe banor i zonës që preket drejtpërdrejt nga projekti, ka reaguar publikisht për çështjen e ndërtimit të HEC-it Shytaj. Ai shprehet se, pavarësisht se jeton dhe vepron prej vitesh jashtë vendlindjes, lidhja me të dhe përgjegjësia për ta mbrojtur mbetet e pandryshueshme. Sipas tij, zhvillimi nuk mund të ndërtohet mbi kurrizin e komunitetit dhe të natyrës, ndërsa çdo vendimmarrje për projekte të tilla duhet të marrë në konsideratë vullnetin e banorëve dhe pasojat që ato sjellin për jetën e përditshme në zonë.

Postimi i plotë në rrjetet sociale:

HEC-et dhe vendlindja!

Mund të jesh kudo, por vendlindjen nuk e zëvendeson asgjë. Kujdesi e meraku për të ështe detyrë pa kompromise dhe interese private.

Si banor i zonës që preket nga ndërtimi i hidocentralit në lagjen Shytaj dhe si një individ që është përpjekur e përpiqet për të bërë gjithshka që është në interes të zhvillimit e prmirësimit të jetës në vendlindje, më lejoni të shpreh disa mendime lidhur me shqyrtimin e projektvendimit “Mbi miratimin me shkrim për heqjen nga fondi pyjor/kullosor per subjektin HEC Shytaj” që i hap rrugë ndërtimit të këtij hidocentralit Shytaj!

SË PARI, unë mendoj se nuk do kishte asnjë problem ndërtimi i kësaj vepre nëse ajo do të vlerësohej si mundësi zhvillimi nga vetë banorët e zonës. Nëse ata do të ishin dakord për këtë investim unë do ti bashkohesha me shumë kënaqësi vendimmarrjes së tyre.

Por ata, siç është e ditur, banorët e refuzuan kategorikisht ndërtimin e HEC-it para 8 vitesh.

Duke shqyrtuar dhe konsultuar argumentat e banorëve, edhe me specialistëtë kësaj fushe, të cilët më kanë informuar se ndërtimi i këtij HEC-i me parametrat e projektuar (konkretisht fuqinë e instaluar prej 680 Kw), është jo produktiv, gjykoj se investimi nuk ka interes të bëhet. Ai në vend që të sjellë zhvillim të zonës krijon probleme serioze si për furnizimin me ujë të pijshëm ashtu edhe për vaditjen e tokave.

Ky problem ka egzistuar e egzison edhe pa u ndërtuar ky HEC.

Projekti parashikon që uji të futet në tubacione, çfarë e dëmton në mënyrë të pariparueshme biodiversiteti (natyrën) i zonës. Edhe po të respektohet standardi për lënien e ujit ekologjik, sasia e tij do ishte e vogël, kështu që dëmi në biodiversitet do të ishte më i madh se sa dobia që sjell prodhimi i 680 Kw. Shembull është hidocentrali i ndërtuar me ujin e liqenit të zi që prek fshatin Valikardhë, edhe pse kapaciteti i atij HEC-i është mbi 19 herë më i madh se ai i hidocentralit Shytaj.

Së DYTI, meraku im i bashkohet merakut të banorëve se hapja e rrugës për realizimin e ndërtimit të hidocentralit Shytaj do shërbejë si “gozhdë Nastradini” për të dëmtuar fondin pyjor të zonës.

Unë nuk jam i prirur të besoj se ky dëmtim mund të parandalohet thjesht duke e saksionuar në letër. Përvoja e dëmtimit të fondit pyjor që aksesohet nga rruga që u ndërtua për hidocentralin e Liqenit të Zi, dëshmon qartazi dëmin e pritshëm edhe në zonën që do aksesohet nga rruga që do hapet për ndërtimin e HEC-it Shytaj.

Nuk duhet harruar edhe refuzimi që iu bë në vitin 2018 një projekti që do të çonte në dëmtimin e pyjeve të zonës sonë, i cili u refuzua kategorikisht nga banorët e zonës dhe u anullua edhe me ndërhyrjen e Kryeministrit Edi Rama.

SË TRETI, me sa jam informuar mungon edhe një studim i detajuar lidhur me avantazhet dhe disavantazhet që sjell ndërtimi i HEC-t Shytaj. Kështu, nëse Këshilli Bashkiak i hap rrugë miratimit të projekt, vendimit të mësipërm atëherë rezistenca e banorëve të zonës mund të shndrrohet në një konflikt me pasoja të paparashikueshme.

Gjykoj që është në interesin e të gjithëve që ky projekt vendim të hiqet nga procedura e miratimit.