HEC Shytaj në Këshillin Bashkiak Bulqizë, përfitues familjarë të ish-gjyqtarit të shkarkuar nga vetingu

854
Grafikë ilustruese

Pas gati shtatë vitesh bllokim pas përplasjeve me komunitetin, projekti hidroenergjetik “HEC Shytaj” pritet të rikthehet për shqyrtim në Këshillin Bashkiak Bulqizë. Në mbledhjen e planifikuar për datën 6 mars 2026, ora 13:00, këshilli do të diskutojë projektvendimin “Mbi miratimin me shkrim për heqje nga fondi pyjor/kullosor për subjektin HEC Shytaj”, një hap ligjor vendimtar për nisjen e punimeve mbi përroin e Hetmit dhe Sheshin e Vogël, degë të Zallit të Bulqizës.

Ky projekt prek territorin e disa fshatrave të Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë dhe parashikon ndërhyrje të konsiderueshme në zonë, përfshirë ndërtimin e rreth 2.3 km rrugë të reja, me ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis, pyje dhe burimet ujore.

Pronësi familjare dhe lidhje me ish-gjyqtarin e shkarkuar

Shoqëria që zhvillon projektin,“ERIM” sh.p.k., ka një strukturë pronësie të përqendruar brenda familjes Shyti. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, aksionari kryesor është Adhurim Shyti me 49% të kapitalit, i ndjekur nga Ervin Shyti me 40% dhe Arbër Shyti me 11%.

Aksioner me 40% të kuotave është Ervin Shyti, djali i ish-gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Bari Shyti, i shkarkuar nga sistemi i drejtësisë pas procesit të vetingut. Ndërkohë, administrator i shoqërisë është Ismail Shyti, vëllai i tij, duke e bërë subjektin një kompani ku kontrolli ekonomik dhe drejtues mbetet brenda të njëjtit rreth familjar.

Bari Shyti u shkarkua nga detyra në vitin 2021 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për deklarime kontradiktore dhe mungesë burimesh të ligjshme për pasurinë e tij, vendim që u la në fuqi në maj të vitit 2024 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Gjetjet e institucioneve të vetingut evidentuan probleme serioze në kriterin e pasurisë dhe raport negativ për figurën e tij, duke e nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë pas më shumë se dy dekadash karrierë.

Bari Shyti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatat e Bulqizës dhe atë të Dibrës. Në vitin 2013, ai u dekretua si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Durrësit dhe prej vitit 2016 deri në sharkim e ushtroi funksionin në Gjykatën e Apelit Administrativ.

Një konflikt i hapur që nga viti 2019

Përpjekja e parë për miratimin e HEC Shytaj daton në pranverën e vitit 2019, kur këshilli bashkiak i asaj kohe dështoi tri herë radhazi të mblidhej për shkak të kundërshtimit të fortë të banorëve të zonës. Salla e mbledhjeve u mbush me qytetarë që kërkonin ndalimin e transferimit të fondit pyjor, duke argumentuar se ndërtimi i HEC-eve do të sillte pasoja të rënda për ujin e pijshëm, vaditjen dhe pyjet përreth.

Banorët paralajmëronin se hapja e rrugëve të reja në zona pyjore do të krijonte terren për shfrytëzim të paligjshëm të drurit, një fenomen i njohur më herët edhe në zonën e Liqenit të Zi. Kundërshtimi ndaj HEC-it u lidh drejtpërdrejt edhe me protestat e gjata kundër koncesionit për masivin pyjor Sheshe–Bulqizë, duke e kthyer mbrojtjen e pyjeve në simbol rezistence lokale.

Në kërkesën e tyre zyrtare të vitit 2019, banorët denonconin mungesën e konsultimit publik dhe shkeljen e ligjit për njoftimin dhe dëgjesat me komunitetin, përpara marrjes së vendimeve që prekin interesa të gjera publike.

Procedura rikthehet, pa konsultim publik

Sipas dokumenteve zyrtare, projekti HEC Shytaj ka një fuqi të instaluar prej 680 kw dhe parashikon ndërtimin e dy veprave të marrjes në përroin e Hetmit dhe atë të Sheshit të Vogël, të cilat bashkohen më pas në përroin e Shytajt.

Transferimi i fondit pyjor nga pronë bashkiake në funksion të projektit mbetet kushti themelor për pajisjen me leje ndërtimi. Pa këtë akt, çdo ndërhyrje në terren do të konsiderohej e paligjshme dhe dëmtim i pronës publike.

Edhe këtë herë, sipas banorëve të zonës, nuk ka pasur asnjë konsultim publik paraprak për projektvendimin që do të diskutohet më 6 mars, duke ngritur dyshime për përsëritjen e të njëjtit skenar tensioni si në vitin 2019.