Rikthehet për shqyrtim pas 7 vitesh projekti i HEC Shytaj në Fushë-Bulqizë, i kundërshtuar nga banorët për marrjen e ujit dhe dëmtimin e pyjeve

1209
Fshatrat e Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë, ku janë projektuar të ndërtohen disa HEC-e. Foto: Sami Curri

Pas gati shtatë vitesh heshtje, një çështje që kishte sjellë më parë përplasje të vazhdueshme ndërmjet banorëve të disa fshatrave në Fushë-Bulqizë dhe pushtetit vendor, do të rikthehet për shqyrtim. Në mbledhjen e parashikuar për datën 6 mars 2026 ora 13:00, Këshilli Bashkiak Bulqizë do të shqyrtojë projektvendimin “Mbi miratimin me shkrim për heqje nga fondi pyjor/kullosor për subjektin HEC Shytaj”, një hap ligjor kyç për nisjen e projektit hidroenergjetik mbi përroin e Hetmit dhe Sheshin e Vogël, degë të Zallit të Bulqizës. Ky projekt prek disa fshatra dhe me një ndikim të konsiderueshëm në mjedis.

Ky vendim konsiderohet hallkë kryesore për projektin, pasi pa transferimin e sipërfaqes nga fondi pyjor publik në funksion të ndërtimit të veprave të marrjes, kompania nuk mund të pajiset me leje ndërtimi. Në këtë kuadër, Bashkia Bulqizë, si pronare e fondit pyjor në zonat e prekura (Koçaj dhe Dragu), duhet të japë pëlqimin paraprak, ndërsa vendimi final i takon këshillit bashkiak.

Një histori e pazgjidhur që nga viti 2019

Konflikti për HEC Shytaj nisi në pranverën e vitit 2019, kur këshilli bashkiak i asaj kohe dështoi tri herë radhazi të mblidhej për shkak të kundërshtive të forta nga banorët e Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë. Salla e këshillit u mbush me qytetarë që kërkonin ndalimin e transferimit të fondit pyjor, duke argumentuar se ndërtimi i HEC-eve do të sillte pasoja të rënda mjedisore dhe ekonomike për zonën.

Banorët paralajmëronin se HEC Shytaj do të ndikonte drejtpërdrejt në burimet ujore që përdoren për vaditje dhe në rezervat nëntokësore, si dhe do të hapte rrugë të reja në zona pyjore, të cilat mund të shfrytëzoheshin nga prerësit ilegalë të drurit, një fenomen i njohur më herët edhe në zonën e Liqenit të Zi. Kjo lëvizje vinte pas një proteste të gjatë kundër një koncesioni për shfrytëzimin e masivit pyjor Sheshe–Bulqizë, çka e kishte kthyer çështjen e pyjeve në një simbol rezistence lokale.

Sipas vlerësimit joteknik, parashikohet ndërtimi i rreth 2.3 km rrugë të reja dhe përmirësimi i 1.9 km rrugëve ose gjurmëve ekzistuese, duke krijuar një rrjet infrastrukturor me gjatësi totale prej afro 4.2 km në zonë.

Protestë në mbrojtje të masivit pyjor “Sheshe Bulqizë” nga tre fshatra të Njësisë Administrative Fushë – Bulqizë. Foto: Mahir Jangulli

Në kërkesën zyrtare të dorëzuar në vitin 2019, banorët i referoheshin shkeljeve proceduriale dhe ligjore, duke theksuar se: Nuk ishte respektuar ligji për konsultimin publik, që detyron institucionet të zhvillojnë dëgjesa me komunitetin përpara miratimit të akteve që prekin interesa të gjera.

Referuar dokumenteve të paraqitura në proceset e aplikimit për projektin “HEC Shytaj” (2018) dhe të dhënave zyrtare të Qendra Kombëtare e Biznesit, rezultonin të përfshira shoqëritë “ERIM” sh.p.k., “ARKEV” sh.p.k. dhe “ÇUPI GROUP” sh.p.k. Struktura e pronësisë për “ÇUPI GROUP” SHPK dhe “ARKEV” SHPK konfirmohet si një zotërim i ndarë në mënyrë të barabartë mes dy anëtarëve të familjes Çupi, përkatësisht Rasim Çupi dhe Arben Çupi, të cilët zotërojnë nga 50% të kuotave secili.

Aktualisht Arben Çupi është njëkohësisht anëtar dhe kryetar i Këshilli Bashkiak Bulqizë nga radhët e Partia Socialiste.

Procedura në lëvizje

Sipas të dhënave zyrtare, projekti HEC Shytaj ka një fuqi të instaluar prej 680 kË dhe zhvillohet nga shoqëria “ERIM” SHPK, e administruar nga Ismail Shyti. Lëvizjet e para administrative për këtë projekt janë regjistruar që në shtator 2023, kur kompania depozitoi pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit njoftimin për nisjen e procedurës së VNM-së. Projekti parashikon ndërtimin e dy veprave të marrjes në përroin e Hetmit dhe atë të Sheshit të Vogël, të cilat më pas bashkohen në përroin e Shytajt.

Transferimi i fondit pyjor nga pronë bashkiake në dispozicion të projektit mbetet kushti themelor për të vijuar më tej me lejen e ndërtimit. Pa këtë akt, çdo ndërhyrje në terren do të konsiderohej e paligjshme dhe dëmtim i pronës publike.

Kompania “ERIM” SH.P.K operon me një strukturë pronësie të ndarë mes tre ortakëve të familjes Shyti. Sipas të dhënave të regjistrit, Adhurim Shyti është aksionari kryesor me 49% të kapitalit, i ndjekur nga Ervin Shyti me 40% dhe Arbër Shyti me 11% të kuotave.

Edhe këtë herë, sipas dëshmive të zonës nuk ka pasur asnjë konsultim publik paraprak për projektvendimin që do të diskutohet më 6 mars. Kjo pritet të rikthejë të njëjtin skenar tensioni si në vitin 2019, me banorët që paralajmërojnë kundërshtim.