Bllokimi i Librazhd–Përrenjas, kamionët devijohen në Bllatë dhe Kakavijë

352
Radhë kamionësh në Pikën Kufitare të Bllatës pas bllokimit të aksit Librazhd–Përrenjas. Fluksi i lartë i trafikut dhe hapësirat e kufizuara po shkaktojnë pritje të zgjatura për transportuesit.

Shembja e aksit Librazhd–Përrenjas ka sjellë edhe bllokim të plotë të qarkullimit të mauneve. Dhjetëra kamionë kanë mbetur të bllokuar në zonën e Qafë Thanës, ndërsa drejtoria e Doganave ka vendosur devijimin e trafikut të mallrave drejt pikave të tjera kufitare. Drejtori i Doganave, Besmir Beja, njoftoi se deri në përmirësimin e situatës rrugore do të përdoren pika të tjera kufitare për hyrjen e mallrave në territorin shqiptar.

Sipas vendimit, mallrat që hyjnë nga Maqedonia e Veriut ose përmes saj do të kalojnë nga pika kufitare e Bllatës, ndërsa ato që vijnë nga Greqia apo përmes saj do të përdorin pikën e Kakavijës. Pala maqedonase ka lejuar që nga pika e Bllatës kamionët dhe trajlerët e ngarkuar të kalojnë çdo ditë nga ora 12:00 deri në orën 22:00, ndërsa mjetet e pangarkuara lejohen të kalojnë gjatë gjithë 24 orëve. Megjithatë, autoritetet maqedonase nuk lejojnë kalimin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe as të boteve të naftës, të cilat do të duhet të devijohen përmes Kosovës.

Ambientet e kufizuara të kësaj pike kufitare, së bashku me vonesat në procesimin doganor, kanë sjellë radhë të gjata dhe në orare të caktuara, pavarësisht se nga pala shqiptare dhe ajo maqedonase po punohet me dy sportele në hyrje dhe dy në dalje.

Izolimi i juglindjes së Shqipërisë për shkak të shembjes së rrugëve pritet të vijojë për një afat të pacaktuar, ndërsa autoritetet ende nuk japin një datë konkrete për rikthimin e qarkullimit normal në aksin strategjik Librazhd–Përrenjas. Për pesë ditë me radhë, një pjesë e mirë e vendit është përballur me izolim dhe devijime të detyruara të trafikut, pas rrëshqitjes së madhe të tokës në segmentin Arrat e Gurrës.

Drejtues të lartë të institucioneve të linjës dolën para mediave për të shpjeguar situatën dhe masat e marra. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, deklaroi se do të ndërtohet një rrugë alternative përgjatë shtratit të lumit Shkumbin, pranë hekurudhës, por pa përcaktuar një afat për përfundimin e punimeve dhe normalizimin e qarkullimit.

Sipas tij, ndërhyrjet do të përfshijnë ndërtimin e një rruge të re alternative, prishjen e urës ekzistuese tashmë jashtë funksionit, lehtësimin e ngarkesës mbi trupin e rrugës së rrëshqitur deri në krijimin e një skarpate natyrale, si dhe sistemimin dhe disiplinimin e ujërave sipërfaqësore në zonën e prekur nga rrëshqitja. Kozeli theksoi se aksi Librazhd–Përrenjas është një segment me rëndësi strategjike dhe rikthimi i tij në funksion të plotë do të bëhet vetëm pasi të garantohet stabilitet afatgjatë i terrenit dhe i infrastrukturës.