Llogaritë digjitale pro Ballukut intensifikohen pas vendimit të Kushtetueses për pezullimin

387
Në ditët e fundit, disa llogari digjitale në Instagram kanë rritur aktivitetin për të promovuar figurën e Belinda Ballukut. Llogaritë publikojnë vazhdimisht foto dhe mesazhe pro saj.

Që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga detyra, në rrjetet sociale është regjistruar një valë aktiviteti digjital pro saj. Janë hapur llogari të reja, me emërtime që imitojnë degët e Partisë Socialiste, kryesisht për qarqet Fier dhe Dibër, të cilat postojnë vazhdimisht për rëndësinë dhe rezultatet e Ballukut si deleguese politike.

Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me rolin e saj si përfaqësuese politike e PS në qarqet Dibër dhe Fier. Në Dibër, Balluku u emërua në këtë detyrë më 25 maj 2022, duke zëvendësuar Ulsi Manjanin, i transferuar në atë kohë në Lezhë. Në Fier, ajo mori rolin e drejtueses politike për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, duke filluar aktivitetet rreth fundit të vitit 2024.

Përmbajtja e këtyre faqeve promovon kryesisht sukseset e Ballukut, si fitoren e 4 me 0 të bashkive në Dibër në zgjedhjet e vitit 2023, takimet elektorale dhe deklaratat politike pro saj, shpesh të shoqëruara me këngë folklorike.

Llogaritë e reja që postojnë për Ballukun nuk shërbejnë thjesht për të lavdëruar figurën e saj politike, por si një strategji më të gjerë komunikimi. Qëllimi është të forcojnë imazhin publik të Ballukut duke postuar vazhdimisht për aktivitetet dhe rezultatet e saj. Njëkohësisht, duke injoruar kritikat dhe hetimet ligjore me synim për të reduktuar efektin e lajmeve negative në opinionin publik.

Në literaturën e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun, fushata të tilla të koordinuara njihen si “astroturfing”, përshkruar si përpjekje të orkestruara për të krijuar përshtypjen e mbështetjes së gjerë popullore, ndërkohë që kjo mbështetje është e planifikuar dhe e kontrolluar nga aktorë të caktuar. “Astroturfing” përfshin krijimin e llogarive false, shpërndarjen e përmbajtjes së targetuar dhe përdorimin e elementeve emocionalë për të manipuluar perceptimet e publikut.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të premten rrëzoi kërkesën e Kryeministrit Edi Rama dhe la në fuqi vendimin e pezullimit nga detyra të GJKKO-së për Ballukun. Gjykata nuk arriti të marrë një vendim për shkak të barazisë 4 me 4 të votave, duke konfirmuar kështu masën e pezullimit nga detyra, ndërkohë që çështja e heqjes së imunitetit për arrest të Ballukut mbetet në proces në Kuvend.

Balluku u mor e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë pasi prokurorët gjetën prova në komunikimet e saj me ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar për përcaktimin e fituesve të tenderëve me vlerë dhjetëra milionë euro. Vendimi i GJKKO-së për pezullimin u mor pas zbulimit të përmasave sistemike të manipulimit të prokurimeve. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të reagojë për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit nga Kuvendi për arrestim.

Shoqëria civile ka shprehur shqetësim për mënyrën se si po menaxhohet procedura në Kuvend, duke paralajmëruar për rrezikun e vonesave procedurale dhe instrumentalizimit politik. Organizatat si ‘Drejtësi Sociale’, ‘Qëndresa Qytetare’ dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit theksojnë se mandati përfaqësues nuk duhet të përdoret për të krijuar pengesa procedurale ndaj një personi që përballet me drejtësinë, dhe se transparenca dhe respektimi i rregullave janë themeli i besimit publik në institucionet demokratike.

Kryeministri Rama ka paralajmëruar gjithashtu ofensivë ligjore për të mbrojtur anëtarët e qeverisë ndaj masave të pezullimit dhe ka theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të interpretohet si një ndikim mbi hetimet e SPAK.