Kallëzim penal në SPAK për Ballukun dhe kompaninë ndërtuese të Tunelit të Murrizit në rrugën e Arbrit

1020
Belinda Balluku dhe përfaqësues të ARRSH-së dhe kompanisë duke inspektuar punimet në Tunelin e Murrizit në dhjetor 2024.

Çështja e Tunelit të Murrizit është zhvendosur zyrtarisht në Prokurorinë e Posaçme, pas kallëzimit penal të depozituar nga gazetari Almer Toska ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe ndaj drejtuesve të institucioneve dhe kompanive të përfshira në ndërtimin dhe mbikëqyrjen e veprës. Para SPAK, Toska deklaroi se kallëzimi i tij mbështetet në prova që tregojnë një situatë të rëndë abuzimi me projektin e Rrugës së Arbrit dhe veçanërisht me tunelin kryesor të Murrizit.

“Kam siguruar provat e nevojshme që vërtetojnë se i gjithë segmenti prej 64 kilometrash i Rrugës së Arbrit është një abuzim total, sidomos tuneli kryesor i Murrizit,” tha Toska. Ai shtoi se tuneli është vënë në funksion pa përmbushur kushtet ligjore për sigurinë teknike. “Nuk është kryer kolaudim teknik përfundimtar, nuk është lëshuar certifikata e përdorimit dhe nuk janë verifikuar standardet e sigurisë strukturore. Jeta e qytetarëve që kalojnë aty është e rrezikuar çdo ditë,” u shpreh ai.

Në kallëzim penal përmenden edhe drejtues institucionesh dhe përfaqësues të kompanisë ndërtuese, për të cilët Toska thotë se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. “Ne i kemi paraqitur SPAK faktet për Belinda Ballukun, Gentian Gjylin, Gjoka Konstruksion dhe Ervis Berberin, si persona kyç që kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë lejuar përdorimin e një vepre pa kolaudim,” deklaroi ai, duke shtuar se pret që hetimi të sjellë përgjegjësi penale për hapjen e tunelit në këto kushte.

Gazetari Toska ka deklaruar se supervizionin e Tunelit të Murrizit e ka kryer babai, ndërsa ndërtimin i biri, pavarësisht mungesës së eksperiencës. “Supervizionin e tunelit të Murrizit e bën babai ndërsa ndërtimin e bën i biri, djali i Rrok Gjokës dhe ndërkohë duke mos pasur eksperiencën e nevojshme babai i jep referencë të birit dhe i thotë që kompania e djalit të tij mund të ndërtojë tunele kur s’ka eksperiencë.”

Ndërkohë, pas publikimit të pamjeve që tregonin çarje në mure dhe tavan, si dhe prani uji dhe deformime në shtresën e asfaltit, në Tunelin e Murrizit janë ndërmarrë ndërhyrje teknike. Sipas burimeve nga terreni, kompania që ka ndërtuar tunelin ka izoluar me beton çarjet e krijuara në disa segmente të brendshme dhe ka ndërhyrë në nivelimin e pllakave të betonit poshtë mureve anësore, të cilat kishin shfaqur probleme stabiliteti. Këto punime janë kryer ndërkohë që qarkullimi i automjeteve ka vijuar, pa një njoftim publik zyrtar mbi natyrën e defekteve apo rezultatet e ndërhyrjes.

Në të majtë: ndërhyrjet e bëra për riparimin e dëmtimeve; në të djathtë: pamje të plasaritjeve në tunel, të publikuara më parë në media.

Fakti që tuneli është hapur për qarkullim pa kolaudim është pranuar edhe në dokumente zyrtare. Në një shkresë të Autoritetit Rrugor Shqiptar thuhet se “Tuneli i Murrizit, pjesë e segmentit nr. 3 të Rrugës së Arbrit, është segment që nuk është dorëzuar ende pranë ARRSH-së për ndjekjen e procedurave të kolaudimit.” Ky dokument tregon se, në momentin e hapjes në mars të vitit 2025, vepra nuk ishte certifikuar teknikisht për përdorim, megjithëse ishte inauguruar publikisht si e përfunduar.

Kryeministri Edi Rama e shpalli hapjen e tunelit si një arritje madhore infrastrukturore. “Syri i keq më në fund plasi, se te ai tunel u mblodh e gjithë energjia negative dhe gjeologjia e atij tuneli ishte një tmerr,” deklaroi Rama më 13 mars, ndërsa një ditë më pas tuneli u hap për qarkullim me ceremoni zyrtare. Megjithatë, më pak se dhjetë muaj pas inaugurimit, pamjet e publikuara nga brendësia e tunelit ngritën pikëpyetje serioze mbi gatishmërinë reale të veprës për përdorim.

Specialistët e fushës kanë theksuar se hapja e një tuneli pa kolaudim përbën shkelje të rëndë të ligjit. Nga ana e tij, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, shprehur për BIRN ka këmbëngulur se tuneli është i sigurt, pavarësisht mungesës së kolaudimit. “Absolutisht po, nuk ka asnjë problem sigurie,” deklaroi ai, ndërsa nuk bëri të ditur nëse ekziston një dokument zyrtar që garanton këtë siguri. Përfaqësues të kompanisë ndërtuese kanë pohuar për BIRN se defektet janë pasojë e punimeve në tunelin paralel të emergjencës. “Ka presione nga tuneli ndihmës dhe kjo ka dhënë defekte në asfalt, por nuk ka rrezik strukturor,” është shprehur një përfaqësues i kompanisë, duke pranuar gjithashtu se hapja e tunelit ishte e parakohshme. “Kishte presion për hapjen e tunelit. Ne jemi më të qetë të punojmë me tunel të mbyllur,” tha ai.

Tuneli i Murrizit është pjesë e një projekti të ndërtuar me skemën e partneritetit publik-privat dhe përbën veprën kryesore të Rrugës së Arbrit, që lidh Tiranën me Dibrën. Tuneli kryesor ka një gjatësi rreth 3.8 kilometra dhe shoqërohet nga një tunel paralel emergjence, i cili ende nuk është funksional plotësisht. Projekti ka nisur në vitin 2018 dhe ka pësuar disa shtyrje afati për shkak të problemeve gjeologjike dhe teknike, ndërsa kostoja totale ka kapur mbi 40 miliardë lekë, me pagesa të parashikuara deri në vitin 2031.