19 ditë pa gjurmë të Jurgen Karajt, Shqipëria pa teknologji kërkimi, Kosova vjen në ndihmë për kërkimet në Klos

683

Kanë kaluar gati tre javë nga aksidenti tragjik i 10 janarit në fshatin Dars të Klosit, ndërsa trupi i 30-vjeçarit Jurgen Karaj ende nuk është gjetur. Pavarësisht angazhimit të forcave në terren, kërkimet në lumin Mat janë zhvilluar kryesisht me mjete primitive dhe kontrolle fizike, duke nxjerrë në pah mungesën e pajisjeve teknologjike të specializuara për operacione të tilla.

Ngjarja ndodhi pranë “Urës së Halilit”, kur një automjet tip “Audi” me targa angleze doli nga rruga dhe përfundoi në ujërat e përroit të Darsit. Shoferi i mjetit, 24-vjeçari Andi Losha, arriti të shpëtojë, ndërsa Jurgen Karaj dyshohet se u mor nga rrjedha e ujit dhe më pas përfundoi në lumin Mat.

Kërkimet për tre javë ishin shtrirë në të dyja anët e shtratit të lumit, në një gjatësi mbi 25 kilometra deri në liqenin e Ulzës, por pa përdorimin e teknologjisë si sonarë, skanerë nënujore apo pajisje profesionale lokalizimi. Në vend të kësaj, operacioni po mbështetet kryesisht në kontroll vizual të brigjeve dhe ndërhyrje fizike në terren.

Qeveria në detyrë ka miratuar zyrtarisht vendimin për dërgimin e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Shqipëri në kuadër të një operacioni humanitar kërkim-shpëtimi. Vendimi u mor në mbledhjen e mbajtur më 28 janar dhe parashikon që shpenzimet për këtë angazhim të mbulohen nga Buxheti i Kosovës. Në dokumentin zyrtar theksohet se ndërhyrja bëhet në funksion të nevojave humanitare dhe në kuadër të bashkëpunimit mes dy shteteve.

Kërkesa e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për dërgimin e një kontingjenti të FSK-së në Shqipëri është miratuar edhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Kjo e fundit në cilësinë e autoritetit kushtetues që autorizon zyrtarisht dërgimin e FSK-së jashtë vendit.

Ky nuk është rasti i parë kur Shqipëria kërkon ndihmë nga Kosova për operacione kërkim-shpëtimi. Forca e Sigurisë së Kosovës është angazhuar edhe më herët për situata të ngjashme emergjente, përfshirë rastin e zhdukjes së një të riu në zonën e Klosit gjatë punës në një stog minerali kromi, duke nxjerrë në pah varësinë e përsëritur të Shqipërisë nga kapacitetet e Kosovës për misione kërkim-shpëtimi.