DIBËR – Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ka njoftuar se nga mesnata e datës 26 janar 2026 do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut përmes Pikës së Kalimit Kufitar Bllatë, për shkak të një proteste të paralajmëruar nga Shoqata e Kamionistëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur se protesta do të nisë në orën 00:00 dhe do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar. Për arsye sigurie dhe për të shmangur bllokimin e rrugëve apo incidente të mundshme, nuk do të lejohet kalimi i kamionëve dhe mjeteve të transportit të mallrave në drejtim të Maqedonisë së Veriut deri në përfundim të protestës.
Ndërkohë, do të lejohet qarkullimi i automjeteve të vogla, automjeteve të emergjencës, autobusëve dhe mjeteve të transportit të pasagjerëve.
Policia Kufitare u ka kërkuar drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë mirëkuptim dhe respektim të kufizimit të lëvizjes, me qëllim shmangien e bllokimit të rrugëve dhe të situatave problematike në zonën kufitare.
Protesta është pjesë e një aksioni të koordinuar që do të zhvillohet nga transportuesit e mallrave në disa pika kufitare të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, përfshirë Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Shoqata maqedonase e transportit “Makam-trans” ka deklaruar se protesta është kundër sistemit të ri për regjistrimin e ditëve të qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën Shengen.
Sipas organizatorëve, qarkullimi i mallrave do të ndalohet gjatë protestës, ndërsa automjetet e udhëtarëve dhe autobusët do të vijojnë lëvizjen pa ndërprerje. Ata paralajmërojnë se protesta mund të zgjasë deri në shtatë ditë, por mund të ndërpritet më herët nëse arsyet që e kanë shkaktuar tejkalohen.
Shoferët e transportit kundërshtojnë rregullin 90/180 ditë për qëndrimin në zonën Shengen, duke argumentuar se regjistrimi i ditëve të qëndrimit të tyre si turistë sjell pasoja të rënda ekonomike dhe logjistike. Sipas tyre, kjo praktikë mund të çojë në rritje të kostove të transportit, pengesa në zinxhirin e furnizimit dhe ndikim negativ në ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se do të garantojë qarkullim të pandërprerë për automjetet e udhëtarëve dhe autobusët, ndërsa do të merren masa për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, me prioritet për automjetet që transportojnë ilaçe, bagëti dhe materiale të rrezikshme.
Organizatorët e protestës kërkojnë që shoferët profesionistë të mos trajtohen si turistë, por si punonjës ndërkufitarë që kryejnë detyrën e tyre themelore, transportimin e mallrave. Ata paralajmërojnë se nëse nuk gjendet një zgjidhje deri në prill 2026, protestat mund të përshkallëzohen në një grevë më të gjerë me ndërprerje të plotë të transportit të mallrave.
Sipas shoqatës “Makam-trans”, këto protesta janë një mesazh për Komisionin Evropian dhe autoritetet e zonës Shengen, por edhe për kompanitë që përdorin shërbimet e transportit, për të kuptuar ndikimin e rregullave të reja dhe për të lobuar për ndryshime në sistemin e regjistrimit të kohës së qëndrimit të shoferëve profesionistë.









