REPORTAZH/ “Lugina e Kuajve” – Bujtina që po përpiqet të sjellë turizmin në Malin e Bardhë

456
Zamir Truka para bujtinës “Lugina e Kuajve” në Malin e Bardhë, Bulqizë. Foto: Bulqizaime.al

DUSHAJ, BULQIZË – Në afro 1,500 metra lartësi, mes borës që shtrihet si një qilim i bardhë dhe qetësisë malore, qëndron një shtëpi prej druri dhe guri. I është vendosur emri “Lugina e Kuajve”. Kjo është bujtina e parë në Malin e Bardhë, pak minuta larg fshatit Dushaj në Bulqizë. Kjo nuk është thjesht një vilë malore, por historia e një njeriu që vendosi të rikthehet në vendlindje dhe të investojë në diçka që shumëkush tjetër e pa si të pamundur.

Për Zamir Trukën, pronarin e bujtinës, kjo zgjedhje nuk ishte e rastësishme. Për të ky vend, ku kishte lindur dhe ishte rritur, me qetësinë, pamjet madhështore të maleve dhe ajrin e pastër – kishte potencial për t’u bërë një destinacion i kërkuar.

Udhëtimi nga fshati Dushaj deri në afërsi të bujtinës ishte për afro 30 minuta në 7 km rrugë rurale. Rruga që të dërgon atje, ndërtuar gjatë periudhës së komunizmit, kur në këtë zonë kishte disa fortifikime të ushtrisë, por edhe stane blektorie, dëmtuar në disa vende. Por e kalueshme për mjetet e larta. Kur vendosi të ndërtojë bujtinën, shumë prej të afërmve të tij e panë idenë me skepticizëm. “Je duke hedhur lekët në ajër,” i thanë ata. Mali i Bardhë, larg rrugëve kryesore dhe pa infrastrukturë të zhvilluar turistike, dukej si vend i papërshtatshëm për investime.

Peizazhi malor përgjatë rrugës që të çon drejt bujtinës “Lugina e Kuajve”, në Malin e Bardhë të Dushajt, ku shtrirja e maleve dhe qetësia e natyrës krijojnë një panoramë mbresëlënëse. Foto: Bulqizaime.al

“Këtu ofrohet gjithçka që mund të kërkojë një njeri që do qetësi dhe lidhje me natyrën,” tregon Zamiri, duke u shtrirë me dorë nga dritarja e madhe e vilës drejt pamjes malore përreth. “Natyrë, ecje në shtigje, mal, fushë… çdo gjë.” Zamiri ka emigruar për afro 12 vite në në ishullin e Kretës në vendin fqin Helen. Atje tregon se u mor me ndërtim, si shumica e shqiptarëve emigrantë. Pasi fëmijët u rritën dhe duhej të fillonin shkollën vendosi të kthehej në Bulqizë, për të nisur një biznes në fushën e materialeve të ndërtimit.

Pjesa më e madhe e punimeve për ndërtimin e bujtinës janë bërë nga vetë Zamiri. Në ngritjen e objektit nga themelet te detajet e brendshme, duke shfrytëzuar përvojën që kishte marrë gjatë viteve të emigrimit në ndërtim.

Emri i bujtinës nuk është thjesht një zgjedhje estetike. Ajo lidhet ngushtë me pasionin personal të Zamirit për kuajt. Ai i do, i mbarështon dhe kujdeset për ta, duke formuar një lidhje të veçantë midis tij dhe këtyre kafshëve të fuqishme dhe të qeta. Kuajt qëndrojnë në stallën e vendosur në banesën e tij. Ai tregon se shumë shpejt pranë bujtinës do ti sjellë në një stallë të vogël, që edhe vizitorët e mysafirët, të provojnë jo vetëm natyrën, por edhe kontaktin me mënyrën tradicionale të jetesës malore.

“Kuajt për mua janë simbol i lirisë dhe durimit,” thotë Zamiri. “Këtu, në Malin e Bardhë, ndihesh i lirë — larg zhurmës, larg ngutjes.”

Një mundësi për të rinjtë dhe turizmin lokal

Përtej bukurisë natyrore, ideja e bujtinës ka një dimension social më të gjerë. Zamiri e sheh këtë investim si një mundësi për zonën dhe për të rinjtë që shpesh e shohin emigrimin si të vetmin rrugëdalje.

“Nëse punon dhe e do vendin tënd, mund të bësh diçka këtu, midis maleve,” thotë ai. “Turizmi malor po zhvillohet dhe njerëzit kërkojnë pikërisht natyrë — jo beton dhe zhurmë.”

Dhe tashmë vizitorë të huaj, por edhe vendas, kanë filluar të vijnë. Ata nuk kërkojnë luksin e qytetit, por qetësinë autentike dhe pamjet e paprekura që ofron Mali i Bardhë.

Kur kalojmë nëpër fshatin Dushaj për të shkuar drejt bujtinës, ndjesia e parë është ajo e një vendi që ka mbetur pas në kohë. Shumica e shtëpive janë të mbyllura, me oborre të zbrazëta, ndërsa në rrugë shihen rrallë njerëz, kryesisht të moshuar që kanë mbetur pas emigrimit masiv të të rinjve. Banesat e braktisura dhe heshtja që mbizotëron, tregojnë më shumë se çdo shifër se sa shumë e ka ndryshuar emigrimi këtë fshat – ashtu si çdo fshat në Shqipëri.

Peizazhi malor përgjatë rrugës që të çon drejt bujtinës “Lugina e Kuajve”, në Malin e Bardhë të Dushajt, ku shtrirja e maleve dhe qetësia e natyrës krijojnë një panoramë mbresëlënëse. Foto: Bulqizaime.al

Në “Luginën e Kuajve” nuk ka restorant dhe as shërbim gatimi të organizuar, sepse ideja e bujtinës është që vizitori të ndihet si në shtëpinë e vet. Kush qëndron aty gatuan vetë, me ushqimet që sjell ose me produkte të zonës që mund t’i sigurojë pranë, duke krijuar një përvojë më familjare dhe më të thjeshtë. Kjo mënyrë qëndrimi i jep pushimit një ndjesi larg ritmit të shërbimeve të zakonshme turistike, dhe e lidh vizitorin më shumë me jetën e malit.

Dimri e bën Malin e Bardhë edhe më mbresëlënës. Rreth vilës, dëbora mbulon çdo shteg, ndërsa pemët e zhveshura krijojnë silueta mbi sfondin e bardhë. Pamjet nga lart tregojnë një peizazh të gjerë, ku malet duken të pafundme dhe njeriu ndihet i vogël përballë natyrës. Në këtë ambient, “Lugina e Kuajve” nuk është thjesht një bujtinë, por një pikë vëzhgimi dhe reflektimi, një vend ku koha duket se ecën më ngadalë.

Për Zamirin “… besimi në Zot është shtylla mbi të cilën mbështetet vendimi për të qëndruar dhe për të investuar në vendlindje”. Ai beson se njeriu nuk duhet të shkëputë lidhjen me njerëzit dhe me tokën e vet. Pikërisht kjo bindje e ka shtyrë të mos e braktisë Malin e Bardhë, por ta shohë atë si një vend që duhet ringjallur, jo lënë në harresë. Sipas tij, shembujt e tillë mund të shërbejnë si nxitje edhe për banorë të tjerë që kanë emigruar, që të kthehen dhe të investojnë në zonë, duke sjellë jo vetëm zhvillim ekonomik, por edhe rikthim të jetës shoqërore në fshatra që sot po zbrazen. “Nëse secili kontribuon me atë që di të bëjë më mirë, edhe zonat malore mund të marrin frymë sërish dhe të kthehen në vende ku ia vlen të jetosh.”

Edhe pse “Lugina e Kuajve” është bujtina e parë e ndërtuar në këtë zonë malore, vizitori nuk vjen këtu vetëm për të fjetur, por për të përjetuar një sërë mundësish. Terreni përreth ofron shtigje për ecje në natyrë, shëtitje mes pyjeve dhe livadheve, si edhe hapësira për eksplorim të peizazhit malor. Pamjet e hapura drejt vargmaleve dhe lugina përreth krijojnë kushte ideale për fotografi, pushim aktiv dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën. Kjo në çdo stinë.