Qeveria miraton park fotovoltaik 10 MW në Bulqizë, investim i “GERTI” Sh.p.k.

707
Foto ilustruese

Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet 10 MW në fshatin Vlashaj, njësia administrative Shupenzë Të Bulqizës. Vendimi është marrë me propozim të Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe parashikon realizimin e projektit nga shoqëria “GERTI”, sh.p.k.

Sipas dokumentacionit zyrtar, aplikimi për këtë investim është depozituar që në qershor të vitit 2023, ndërsa miratimi përfundimtar nga qeveria vjen pas më shumë se një viti e gjysmë procedurash administrative dhe vlerësimesh institucionale.

Referuar të dhënave në Regjistrin Kombëtar të Lejeve Minerare, kompania “GERTI” Sh.p.k. rezulton të zotërojë dhe administrojë galeri kromi në zonën e Bulqizës si dhe asete të tjera, duke qenë një subjekt aktiv prej vitesh. Shoqëria është në pronësi të Jeton Danit, një biznesmen i njohur në zonën e Bulqizës për aktivitetin e tij në industrinë minerare, si edhe për lidhjet e tij politike me Partinë Socialiste në pushtet. Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, djali i tij, Murat Dani, kandidoi për deputet në listën e PS-së në qarkun e Dibrës, duke e bërë kompaninë dhe pronarin e saj pjesë të vëmendjes publike edhe për shkak të ndërthurjes së biznesit me angazhimin politik.

Centrali fotovoltaik nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masa mbështetëse shtetërore. Kapaciteti i instaluar do të jetë 10 MË, ndërsa afati i pritshëm për ndërtimin, pajisjen me leje ndërtimi dhe vënien në operim të impiantit është brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit të Këshillit të Ministrave. Afati i operimit të centralit është përcaktuar 49 vjet.

Vendndodhja e projektit është në territorin e fshatit Vlashaj, në njësinë administrative Shupenzë, ndërsa koordinatat dhe planvendosja janë të përcaktuara në aneksin që i bashkëlidhet vendimit.

Vendimi parashikon gjithashtu një sërë detyrimesh për shoqërinë “GERTI”, sh.p.k., përfshirë raportimin periodik çdo tre muaj pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore mbi ecurinë e punimeve. Këto institucione do të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me intervale tremujore gjatë fazës së ndërtimit, vënies në punë dhe operimit të impiantit.

Shoqëria investuese është e detyruar të respektojë të gjitha kushtet mjedisore, licencat dhe autorizimet paraprake, si dhe të dorëzojë sigurimin e kontratës në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës me ministrinë përgjegjëse.

Një tjetër element i rëndësishëm i vendimit lidhet me përfitimin për shtetin, pasi shoqëria “GERTI”, sh.p.k., do t’i japë falas ministrisë përgjegjëse për energjinë 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike, në formë royalty, ose vlerën monetare të saj, e cila do të derdhet në buxhetin e shtetit. Po ashtu, në përputhje me legjislacionin në fuqi, një pjesë e prodhimit mund t’i shitet furnizuesit publik.

Shoqëria “GERTI” Sh.p.k është themeluar më 16 korrik 1999 dhe operon në formën ligjore të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar. Përfshin ndërtimin civil, industrial dhe infrastrukturor, tregtimin dhe prodhimin e materialeve të ndërtimit, si dhe aktivitet në fushën e import-eksportit të mallrave të ndryshme. Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit të saj lidhet me sektorin minerar, ku ushtron shfrytëzim, përpunim dhe tregtim të mineraleve metalore dhe jometalore, përfshirë kromin, si dhe përdorimin civil të lëndëve plasëse. Paralelisht, kompania është e pranishme edhe në sektorin energjetik, duke ushtruar prodhimin, operimin dhe tregtimin e energjisë elektrike, përfshirë ndërtimin dhe administrimin e hidrocentralit “Vardari”, si dhe projekte të reja në fushën e energjisë së rinovueshme.