KLSH: Bashkia Dibër humbi miliona lekë nga taksat, tarifat dhe shpenzimet e paligjshme

1037
Foto ilustrim. Në të majtë godina e bashkisë Dibër. Në të djathtë kryetari i bashkisë, Rahim Spahiu

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2024 gjen një sërë problemesh në menaxhimin financiar të Bashkisë Dibër, ku dëmi ekonomik, humbja e të ardhurave dhe mosarkëtimi i detyrimeve debitore. Këto përbëjnë një barrë të konsiderueshme për buxhetin vendor. Sipas auditimit, janë konstatuar 13.1 milionë lekë dëm ekonomik direkt, si pasojë e shpenzimeve të kryera në kundërshtim me ligjin, punimeve të papërputhshme me specifikimet teknike dhe moszbatimit të detyrimeve kontraktore.

Paralelisht me dëmin direkt, KLSH evidenton edhe 15.1 milionë lekë të ardhura të munguara, që lidhen me mosarkëtimin e taksave dhe tarifave vendore, detyrimeve për licencat e tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj, tarifave të legalizimit, si dhe kontributit të detyrueshëm prej 3% për fondin publik të banesave sociale.

Këto të ardhura, të cilat sipas ligjit duhet të ishin kanalizuar në buxhetin e bashkisë, përbëjnë fonde që do të mund të përdoreshin për shërbime bazë, mbështetje sociale apo investime publike, por që kanë mbetur jashtë sistemit financiar vendor për shkak të mungesës së kontrollit dhe ndjekjes administrative.

Një tjetër gjetje e KLSH-së është mosarkëtimi i detyrimeve debitorë, të cilat sipas raportit arrijnë në 69.5 milionë lekë. Auditimi konstaton se për këto detyrime nuk janë ndjekur procedurat ligjore të arkëtimit, duke përfshirë njoftimet, masat shtrënguese dhe ndjekjen administrative të borxheve. Ky mosveprim krijon jo vetëm humbje të menjëhershme të likuiditetit për bashkinë, por edhe një precedent të tolerimit të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit, duke cenuar disiplinën fiskale në nivel vendor.

Në tërësi, gjetjet e KLSH tregojnë se problemet financiare në Bashkinë Dibër nuk janë të izoluara, por lidhen me një model menaxhimi ku mungon kontrolli i brendshëm, ndjekja e të ardhurave dhe përgjegjshmëria në shpenzimin e fondeve publike.