Bulqizë, numri i bizneseve aktive në tkurrje të vazhdueshme

966
Kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri gjatë një takimi elektoral të Partisë Socialiste në zgjedhjet elektorale të vitit 2025. Foto ilustrim.

Projekt-Buxheti 2026–2028 i Bashkisë Bulqizë përfshin si një nga treguesit bazë të zhvillimit ekonomik edhe numrin e bizneseve aktive në territor, duke synuar të japë një panoramë të aktivitetit ekonomik. Ky tregues, ka rëndësi thelbësore për të kuptuar kapacitetin prodhues, sipërmarrës dhe punëdhënës të zonës.

Megjithatë, që në paraqitjen e tij, numri i bizneseve aktive raportohet si një shifër e vetme, pa ndarje sipas sektorëve ekonomikë dhe pa dallim mes zonës urbane dhe asaj rurale. Kjo mënyrë raportimi e redukton biznesin në një të dhënë administrative, duke ia hequr funksionin si indikator zhvillimi.

Të dhënat ndër vite tregojnë qartë se ekonomia lokale ka hyrë në një cikël negativ.

Në vitin 2021, numri i bizneseve aktive në Bashkinë Bulqizë ishte 674, ndërsa në vitin 2022 u shënua një rritje e lehtë në 682 biznese. Ky vit rezulton të ketë qenë kulmi i aktivitetit sipërmarrës në periudhën e analizuar. Duke filluar nga viti 2023, trendi përmbyset ndjeshëm: numri i bizneseve bie në 620, për të vijuar rënien edhe në vitin 2024, ku regjistrohen vetëm 610 biznese aktive. Për vitin 2025 nuk ka ende të dhëna zyrtare të reflektuara në dokument, por duke u bazuar në ecurinë e deritanishme, pritet që klima negative të vijojë, duke thelluar tkurrjen e bazës ekonomike lokale.

Në Projekt-Buxhetin e Bashkisë Bulqizë për vitin 2026, sektori minerar mbetet shtylla kryesore e ekonomisë lokale, fakt që reflektohet qartë si në përshkrimin e situatës ekonomike, ashtu edhe në strukturën e të ardhurave të planifikuara nga taksat e ndara.

Ekonomia e Bulqizës lidhet kryesisht me minierat e kromit, të cilat historikisht kanë qenë burimi kryesor i punësimit dhe i të ardhurave vendore. Por edhe ky sektor, vitet e fundit, po përballet me vështirësi serioze: luhatjet e çmimit të kromit në bursat ndërkombëtare, mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara, si dhe problematika në administrim dhe menaxhim. Këta faktorë kanë bërë që një pjesë e konsiderueshme e subjekteve minerare të ndërpresin aktivitetin, duke vendosur praktikisht “kyçin” dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në rënien e numrit të bizneseve aktive.

Zhvillimi ekonomik i zonës mbetet i orientuar kryesisht drejt industrisë së rëndë, pylltarisë dhe hidrocentraleve, pa diversifikim real të ekonomisë lokale. Një relacion shpjegues i hartuar nga Sektori i Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj në Bashkinë Bulqizë, në funksion të informimit të Këshillit Bashkiak, evidenton se bashkia nuk ka hartuar plane mbarështimi dhe nuk ka rritur kapacitetet njerëzore për menaxhimin e territorit pyjor dhe kullosor. Kjo mungesë planifikimi strategjik, kufizon potencialin për zhvillim alternativ ekonomik dhe krijim biznesesh të reja.

Renta minerare përfaqëson një nga zërat më të rëndësishëm të “taksave të ndara” që derdhen në buxhetin e bashkisë. Për vitin 2026, Bashkia Bulqizë parashikon të arkëtojë 21,000,000 lekë nga renta minerare. Krahasimi me vitet paraprake tregon një rënie të ndjeshme: në vitin 2024, arkëtimi faktik ishte 30,770,000 lekë, ndërsa në vitin 2025, sipas planit të rishikuar, ishte parashikuar në nivelin 21,762,000 lekë. Këto shifra dëshmojnë jo vetëm paqëndrueshmërinë e të ardhurave nga ky sektor, por edhe rrezikun fiskal që krijon varësia e tepruar nga industria minerare. Në total, të ardhurat nga taksat e ndara, ku renta minerare zë peshën kryesore, përbëjnë mesatarisht 40% të të ardhurave të bashkisë, duke e bërë buxhetin vendor tejet të ekspozuar.

Përveç rentës minerare, biznesi minerar kontribuon indirekt edhe përmes Tarifës së Menaxhimit të Mbetjeve, e cila për vitin 2026 planifikohet në vlerën totale prej 36,629,100 lekë, duke qenë tarifa kryesore që vilet nga subjektet ekonomike në territor. Edhe ky zë konfirmon se pesha fiskale bie kryesisht mbi një kategori të kufizuar biznesesh, pa një bazë të gjerë ekonomike mbështetëse.

Renta minerare mblidhet nga administrata tatimore qendrore në çastin kur subjektet shesin mineralin. Një pjesë e kësaj takse (aktualisht 5%) i transferohet direkt buxhetit të Bashkisë Bulqizë si “taksë e ndarë”, për t’u përdorur për investime publike.

Rënia e numrit të bizneseve aktive lidhet drejtpërdrejt edhe me rënie të vazhdueshme të popullsisë. Krahasimi i të dhënave të Censusit 2023 me ato të vitit 2011 për Bashkinë Bulqizë tregon një tendencë të qartë të tkurrjes demografike. Popullsia totale ka rënë nga 31,210 banorë në vitin 2011 në 26,826 në vitin 2023, një ulje prej 14%. Paralelisht, dendësia e popullsisë ka rënë nga 46 banorë për km² në 37.8, duke reflektuar zbrazjen graduale të territorit.

Analiza e ndryshimeve kryesore demografike tregon se Bulqiza ka humbur rreth 4,384 banorë në 12 vite, kryesisht për shkak të migracionit të brendshëm drejt Tiranës dhe Durrësit, si dhe emigrimit jashtë vendit. Popullsia po plaket, me rritje të ndjeshme të grupmoshës mbi 65 vjeç dhe tkurrje të grupmoshës 0–14 vjeç. Njëkohësisht, madhësia mesatare e familjes ka rënë ndjeshëm, veçanërisht në zonat rurale – si Ostreni, Trebishti apo Zerqani – po përjetojnë rënie drastike të popullsisë.

Në këtë kontekst, rënia e bizneseve aktive nuk është një fenomen i izoluar, por pasojë e drejtpërdrejtë e një cikli të mbyllur negativ: rënie demografike, ekonomi e padiversifikuar, varësi nga minierat dhe mungesë strategjie afatgjatë zhvillimi.