Vendime që mbeten në letër, IMT dështon të ndalë ndërtimet pa leje në Dibër

746
Kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu gjatë një takimi elektoral të Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2025

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton shkelje serioze të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Dibër për të ushtruar funksionin ligjor në parandalimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje. Nga 63 vendime administrative për prishje objektesh të paligjshme, 28 nuk janë ekzekutuar, duke krijuar precedent të moszbatimit të ligjit dhe duke inkurajuar vijimin e ndërtimeve informale.

Mosveprimi i IMT-së ka bërë që vendimet administrative të mbeten formale, pa efekt real në terren, ndërkohë që ndërtimet kanë vazhduar në kundërshtim me legjislacionin urbanistik dhe planifikimin e territorit.

Raporti vëren gjithashtu se, pavarësisht faktit se ndërtimet e paligjshme kanë vijuar edhe pas marrjes së masave administrative, nuk janë ndërmarrë hapa penalë ndaj shkelësve, duke dëmtuar zinxhirin e përgjegjshmërisë institucionale.

Në raport theksohet se: “… nga verifikimi i dokumentacionit rezulton se për një pjesë të konsiderueshme të rasteve të ndërtimeve pa leje, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit nuk ka depozituar kallëzime penale të formalizuara, edhe pse ndërtimet kanë vijuar pas marrjes së vendimeve për prishje”.

Sipas gjetjeve të KLSH, kjo tregon një mungesë të theksuar koordinimi dhe vullneti për zbatimin e ligjit. Gjithashtu thuhet se kjo situatë ka sjellë jo vetëm legalizimin faktik të objekteve të paligjshme, por edhe cenimin e autoritetit të institucioneve vendore dhe rritjen e perceptimit të pandëshkueshmërisë.

“Nga auditimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion nga strukturat e IMT-së, u konstatua se vlera e gjobës për ndërtimet e kundraligjshme nuk është llogaritur në mënyrën e duhur, referuar vlerës së punimeve të kryera dhe sipërfaqes së ndërtimit.” Thuhet në raport.

Moszbatimi i vendimeve dhe mungesa e kallëzimeve penale, sipas analizës së KLSH, e kthejnë IMT-në nga një strukturë kontrolli në një institucion pasiv, duke ndikuar drejtpërdrejt në kaosin urbanistik, shkeljen e planeve vendore dhe dëmtimin e interesit publik. Në këtë kontekst, përgjegjësia nuk mbetet vetëm administrative, por merr përmasa të qarta institucionale dhe ligjore, duke ngritur nevojën për masa urgjente për rivendosjen e ligjshmërisë në territor.

Nga auditimi rezulton se janë konstatuar mosrespektim i Planit të Përgjithshëm Vendor dhe i treguesve urbanë, tejkalim i lartësive, kateve dhe koeficientit të shfrytëzimit të territorit, mangësi serioze në dokumentacionin teknik dhe të pronësisë, miratim lejesh ndërtimi pa leje zhvillimi ose pa mendimet e autoriteteve përkatëse, si dhe dhënie certifikatash përdorimi pa përmbushur kushtet ligjore apo në kundërshtim me lejet e miratuara. Auditimi nxjerr në pah edhe dëme ekonomike dhe të ardhura të munguara, të lidhura me punime jashtë specifikimeve teknike, mosllogaritje penalitetesh dhe taksash, mosarkëtim detyrimesh për leje, legalizime dhe licenca, si dhe moszbatim procedurash për mbledhjen e debitorëve, duke dëmtuar ndjeshëm interesin publik dhe financat vendore.

Problemet në funksionimin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Dibër janë evidentuar edhe më herët në raportime mediatike, duke treguar se situata e konstatuar nga KLSH nuk është një rast i izoluar. Në vite është raportuar se struktura përgjegjëse për kontrollin e territorit nuk ka ushtruar detyrimet ligjore, duke mos kryer kontrolle në terren dhe duke lejuar vijimin e ndërtimeve pa leje, përfshirë edhe në prona publike. Këto raportime kanë nxjerrë në pah praktika të mosveprimit institucional dhe tolerimit të shkeljeve urbanistike, të cilat kanë çuar edhe në hetime penale për shpërdorim detyre.