Të ardhura të munguara dhe borxhe të pambledhura në Bashkinë Mat, KLSH: “Mungesë ndjekjeje sistematike dhe rrezik për humbje të fondeve publike”

576
Foto ilustrim

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton problematika serioze në administrimin e të ardhurave vendore nga Bashkia Mat, duke konstatuar mungesë efikasiteti në mbledhjen e detyrimeve, borxhe të pambledhura ndër vite dhe rrezik real për humbje të fondeve publike. Sipas audituesve, këto mangësi ndikojnë drejtpërdrejt në kapacitetin financiar të bashkisë për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët dhe për të realizuar investime publike.

Një nga gjetjet kryesore lidhet me nivelin e lartë të detyrimeve debitore të papaguara, të cilat janë krijuar nga taksa dhe tarifa vendore. Raporti thekson se “nga verifikimi i të dhënave rezulton një nivel i konsiderueshëm i debitorëve aktivë, për të cilët nuk janë ndërmarrë masa të plota dhe të vazhdueshme për arkëtimin e detyrimeve”. Sipas KLSH-së, ndjekja e këtyre borxheve është kryer në mënyrë fragmentare, pa një plan të qartë dhe pa mekanizma të qëndrueshëm monitorimi.

Sipas raportit, Bashkia Mat ka gjithsej 64.2 milionë lekë detyrime debitore të paarkëtuara, nga të cilat të paktën 57.7 milionë lekë lidhen me detyrime konkrete të identifikuara nga auditimi, përfshirë taksa familjare, taksën e ndikimit në infrastrukturë, karburantet dhe qiratë pyjore/kullosore.

Nga kjo shumë, 45.3 milionë lekë janë detyrime familjare për taksa dhe tarifa vendore, të cilat nuk janë kontabilizuar fare, duke evidentuar jo vetëm problem arkëtimi, por edhe mangësi serioze në evidentimin financiar. Raporti konstaton gjithashtu se nuk janë pasqyruar në kontabilitet 3.7 milionë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për legalizimet, 600 mijë lekë nga subjekte që tregtojnë karburante, si dhe 8.1 milionë lekë nga qiratë e parcelave pyjore dhe kullosore.

Për këto detyrime, sipas audituesve, janë lëshuar vetëm njoftime për pagesë, pa u ndjekur me masa shtrënguese për arkëtim, një praktikë që, sipas raportit, “rrit ndjeshëm riskun e mospagimit dhe cenon efektivitetin e administrimit fiskal vendor”, duke ngritur pikëpyetje mbi vullnetin dhe kapacitetin e bashkisë për të mbrojtur interesin financiar publik.

Auditimi evidenton se Bashkia Mat nuk ka aplikuar në mënyrë të plotë procedurat ligjore për mbledhjen me forcë të detyrimeve, përfshirë masat administrative dhe procedurat përkatëse për detyrimet e prapambetura. Në raport nënvizohet se “mungesa e ndjekjes sistematike të debitorëve ka sjellë zgjatje të afateve të arkëtimit dhe rritje të riskut për parashkrim të detyrimeve”. Kjo situatë, sipas audituesve, përkthehet në humbje potenciale për buxhetin vendor.

Një tjetër problem i evidentuar lidhet me mungesën e analizës së detajuar mbi strukturën e të ardhurave dhe debitorëve. Raporti konstaton se nuk ka një ndarje të qartë të detyrimeve sipas viteve, kategorive të taksapaguesve dhe gjendjes reale të arkëtimit. “Nuk rezulton të jenë hartuar analiza periodike mbi borxhet e pambledhura dhe ndikimin e tyre në buxhetin e bashkisë”, thuhet në raport, duke theksuar se kjo pengon marrjen e vendimeve të informuara financiare.

KLSH vëren gjithashtu se të ardhurat e munguara nuk janë vetëm rezultat i paaftësisë administrative, por edhe i mungesës së kontrollit dhe koordinimit ndërmjet strukturave përgjegjëse brenda bashkisë. Në raport theksohet se “strukturat përkatëse nuk kanë bashkërenduar veprimet për identifikimin, verifikimin dhe arkëtimin e detyrimeve”, duke krijuar boshllëqe në zinxhirin e mbledhjes së të ardhurave.

Në disa raste, sipas auditimit, të dhënat mbi debitorët nuk janë të përditësuara, çka e bën të vështirë gjurmimin dhe ndjekjen e tyre. Raporti thekson se “mungesa e një sistemi të saktë dhe të përditësuar të evidencave rrit ndjeshëm riskun për mospagim dhe humbje të të ardhurave”.

Në qëndrimet e saj, Bashkia Mat ka argumentuar se janë ndërmarrë masa për përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe se procesi është në vijim. Megjithatë, KLSH ka vlerësuar se këto masa nuk janë të mjaftueshme dhe nuk janë shoqëruar me rezultate konkrete, duke theksuar se “pretendimet e subjektit nuk mbështeten me dokumentacion dhe prova të mjaftueshme”.